Akuzohet Gabimisht se Shkeli 15-Vjeçarin

Në Gjykatën Komunale në Prizren, të martën, u mbajt seanca gjyqësore, në të cilën Rasim Hodaj akuzohej se kishte kryer veprën penale të “Rrezikimit të trafikut publik”.

Hodaj akuzohej se në fshatin Kushnin të Hasit, gjatë vozitjes me automjetin e tij “Audi” e kishte shkelur 15-vjeçarin Faton Temaj, i cili ishte duke e kaluar rrugën me bagëtitë e tij.

Pas aksidentit, vozitësi ishte larguar nga vendi i ngjarjes, duke u munduar ta fshehë rastin dhe duke mos i dhënë ndihmë të dëmtuarit, të cilin e kishte lënë të shtrirë në tokë nga plagët që kishte marrë në aksident.

Por, në seancë u kuptua se veturën në ditën kritike po e ngiste dhëndri i Hodajt, Përparim Krasniqi.

“Në ditën kritike, dhëndëri im Përparimi, ka pasë me shku në një dasëm dhe ka ardhë ma ka marrë veturën time ‘Audi’, sepse veturës së tij i kishte kaluar regjistrimi. Siç duket me veturën time e ka shkaktuar aksidentin, dhe si rezultat i kësaj unë sot jam këtu i akuzuar”, tha Hodaj, para trupit gjykues. Ndërkohë i pranishëm në seancë ishte dhe Përparim Krasniqi, i cili me lëvizje të kokës i aprovonte fjalët e Hodajt.

Edhe përfaqësuesi ligjor, prindi i të miturit, tha se Hodaj nuk e ka shkaktuar aksidentin. “Djalin ma ka shkelë Përparim Krasniqi. Dhe për faktin që është larguar nga vendi i ngjarjes dhe që nuk ka ardhë me më kërku falje në shtëpi, fort më ka ardhë rëndë… Po e di se këtë e ka bërë duke menduar se nuk do të zbardhet e vërteta”, ka thënë Temaj.

Prokurorja Publike Komunale, Elfete Purova, tha se pas procedurës së provave, është ndërruar gjendja faktike dhe në vend të të akuzuarit Hodaj, duhet të jetë i akuzuari Përparim Krasniqi.

“Andaj unë tërhiqem nga propozimi akuzues kundër të pandehurit Rasim Hodaj, pasi që të njëjtin e kemi ngarkuar pa faj”, tha ajo.
 
Pasi që Prokuroria u tërhoq nga akuza, gjykata mori Aktgjykim, duke e refuzuar akuzën e Prokurorisë Komunale ndaj Hodajt. Në këtë rast, me shpenzimet procedurale u ngarkua buxheti i Kosovës.

Tani Prokuroria Komunale në Prizren duhet që të ngrisë propozim akuzues të ri, mirëpo kësaj radhe ndaj Përparim Krasniqit.