Aktivizmi qytetar dhe paditë strategjike, histori suksesi në rastin e hidrocentraleve në Kosovë

Prodhimi i energjisë elektrike si problem global ka afektuar edhe Kosovën. Në këtë aspekt ka disa vite që është menduar dhe janë bërë shumë analiza për të gjetur alternativa të ndryshme për prodhimi e energjisë përmes ku njëra ndër to është prodhimi energjisë përmes hidrocentraleve por gjithmonë duke bërë një balancë për të mbrojtur interesin e përgjithshëm në rastin konkret ruajtjen e ambientit. Në dekadën e fundit, vala e ndërtimit të hidrocentraleve në Kosovë ka nxitur reagime të shumta.

Projektet e hidrocentraleve të mëdha, në disa komuna kanë rezultuar në rezistencë publike mjaft të madhe. Fillimi i ndërtimit të këtyre hidrocentraleve pa planifikim të mirëfilltë strategjik, pa vlerësim të ndikimit në mjedis, pa analizë adekuate të prurjeve të ujit ka ndikuar që niveli i shumë lumenjve të bie, apo në kohë të caktuara edhe në shtjerrje të tërësishme tyre. Dëmi i cili është duke iu shkaktuar natyrës mund të jetë vështirë i riparueshëm.

Fatkeqësisht, ndërtimi i hidrocentraleve ka degraduar rëndë mjedisin, florën, faunën, kanë çrregulluar ekosistemin, kanë shëmtuar peisazhin dikur shumë të bukur, kanë devijuar dhe penguar rrjedhën e lumit, ua kanë mohuar qytetarëve ujin e pijes dhe ujitjes, të cilët kanë qenë të varur nga ky ujë, sidomos bujqit vendor. Raste të tilla të degradimit janë vërejtur sidomos në komunën e Shtërpcës.

Në këtë drejtim, Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike, si e para e këtij lloji në Kosovë e cila në bashkëpunim me një OJQ vendore filloi luftën kundër hidrocentraleve në gjykatë. Rasti i paraqitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me padinë e parashtruar nga Grupi për Studime Juridike  dhe Politike dhe GAIA rezultoi i suksesshëm. Puna e ndërtimit të Hidrocentralit në Brezovicë u ndal dhe operimi i tij u ndalua, pas Aktgjykimit të Gjykatës Supreme më të cilin vërtetoi se gjykata e shkallës parë ka vepruar drejtë kur ka vendosur për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit me të cilin iu është aprovuar leja ujore.

Procedurat administrative për ndërtimin e katër hidrocentraleve në Shtërpcë kanë filluar në vitin 2013. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (në vijim: Ministria) nuk i ka ndjekur procedurat e parapara me legjislacionin në fuqi dhe ka lëshuar pëlqimet për këto hidrocentrale, edhe pse ligji ka përcaktuar një procedurë tërësisht tjetër. Sipas Ligjit për Ujërat parashihet procedura e ndarjes së koncesionit e cila duhet t’i paraprijë procesit të ndërtimit të një hidrocentrali, përkatësisht partneritet publiko-privat.

Në këtë rast, Ministria ka vendosur t’i përdorë procedurat e lëshimit të lejes ujore si për çdo palë tjetër duke injoruar në tërësi kërkesën ligjore se lejet ujore mund të lëshohen pas një procesi koncesioni. Ministria ka vazhduar të lëshojë vendime tjera sa i përket fitimit të së drejtës ujore dhe ka lëshuar lejen dhe mjedisore që janë aktet finale për fitimin e së drejtës ujore për hidrocentralet në Shtërpcë.

Shkeljet ligjore të Ministrisë kanë vazhduar në vitet në vazhdim. Ministria ka lëshuar pëlqime për hidrocentrale pa e respektuar të drejtën kushtetuese të qytetarëve për pjesëmarrje në vendimmarrje që ndikon në ambientin ku ata jetojnë. Gjithashtu, Ligji për Ujërat parasheh parimin e pjesëmarrjes së publikut dhe qasjes në informata duke përcaktuar detyrimin e organeve kompetente për sigurimin e qasjes në informata për interesin e të gjitha palëve të interesuara me rastin e marrjes së vendimeve që kanë të bëjnë me resurset ujore. Në të njëjtën kohë Ligji obligon Ministrinë që të organizojë debat publik për shqyrtim të planeve.

Në rastin e hidrocentraleve në Shtërpcë, debati publik është mbajtur, por asnjë qytetar nuk ka qenë prezent. Kjo na tregon se qytetarët e Shtërpcës nuk kanë qenë të njoftuar në formë të përshtatshme dhe megjithatë pëlqimi mjedisor është lëshuar nga Ministria.

Kjo ka rezultuar në fillimin e punimeve nga kompania gjë që ka ndikuar në ndaljen e ujit të pijes për qytetarët e Shtërpcës. Kompania po ashtu ka degraduar mjedisin në afërsi të lumit dhe ka ndërtuar edhe në brendësi të Parkut Nacional të Sharrit, në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit.

Qytetarët e Shtërpcës, pasi e kuptuan se një kompani private ka filluar ta shkatërrojë ambientin ku ata jetojnë dhe duke e shtjerrë lumin, i cili është burimi kryesor i pijes dhe i ujitjes së të mbjellave, kanë mbajtur një numër të protestave ku ishin pjesëmarrës shumë qytetarë. Ata kanë shpjeguar se autoritetet publike kanë lëshuar lejet e ndërtimit, mjedisit dhe pëlqimet/lejet ujore në kundërshtim me legjislacionin në fuqi dhe kanë shprehur se atyre po ju mohohet  e drejta e qasjes në ujë të pijshëm nga ndërtimi i hidrocentraleve.

Qytetarët kanë shpjeguar se nga ndërtimi i hidrocentraleve është shkaktuar ndotja e lumit Kaluxherska, burimi kryesor i ujit të pijshëm për qytetin e Shtërpcës, ndotja e lumit Blatestica dhe përrenjtë e Durlës, burim kryesor ujor i fshatrave Brezovicë dhe Jazincë. Qytetarët e Shtërpcës, Bitijës dhe fshatrave tjerë kanë protestuar me vite, por fatkeqësisht asgjë nuk ka funksionuar. Ata kanë shprehur irritimin e tyre se është duke ju mohuar e drejta në ujë të pijshëm për qëllime të përfitimit të një kompanie private.

Sipas raportimeve të shoqërisë civile, nga viti 2015 deri në vitin 2019 qytetarët kanë organizuar rreth 200 protesta kundër ndërtimit të hidrocentraleve, për të cilat shqetësimi kryesor ishte ndikimi në mjedis, në ujë të pijshëm dhe të ujitjes së të mbjellave.

Në qershor të vitit 2021, Ministria ka lëshuar një Raport të Grupit Punues për Hidrocentralet, në të cilin ka konfirmuar se ka pasur shkelje ligjore gjatë nxjerrjes së akteve administrative, si dhe ka rekomanduar që të shfuqizohen të gjitha aktet administrative të lëshuara në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Kjo është një storie e suksesit. Qytetarët dhe shoqëria civile duhet ta ngrisin zërin në momentet e vërejtjes së cenimit të ndonjë të drejte. Reagimet ndaj rasteve të shkeljes së të drejtave të njeriut janë shkas i zvogëlimit të mundësisë së përsëritjes së rasteve të tilla.  Shkeljet e tilla që kanë ndodhur me rastin e Hidrocentraleve e ngrisin edhe më shumë nevojën për procedimin e padive strategjike edhe për raste të tjera.

Gjyqësia strategjike është mjet i fuqishëm dhe në vende si Kosova mund të krijojë precedentë pozitivë dhe të ndalë degradimin qoftë mjedisor, por edhe në sfera tjera. Prandaj, Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike në këto dy vitet e fundit ka dhënë frytet e veta duke rikthyer fokusin tek shkeljet në mjedis, dhe proceduar me padi që kanë synim interesin e përgjithshëm të qytetarëve.

Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Human Rightivism” te mbështetur nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA) dhe implementuar nga Fondi për Zhvillim Komunitar (CDF).