Aktivistët e Taksimit të Hyjnë në Politikë

Protestuesit turq që dolën në rrugë në Stamboll më 31 maj, për të mbrojtur hapësirat e gjelbra dhe drunjtë e Gezi Parkut nga shndërrimi në qendër tregtare, dy javë më pas nuk kanë më kërkesa aq “të pafajshme” dhe ekologjike.

Grupe me orientime të ndryshme, nuk kanë shtuar vetëm numrin e të pakënaqurve, por kanë ndryshuar edhe karakterin e protestave, duke zgjeruar edhe shtrirjen gjeografike nëpër qytete tjera të vendit.

Sabine Freizer bashkëpunëtorja e lartë e Këshillit të Atlantikut për Turqi, një organizatë e hulumtimit të politikave, thotë se turqit nuk po protestojnë tash vetëm për çështje të mjedisit, por për arsye të ndryshme.

“Protesta e Gezi Parkut i ka bërë bashkë një spektër të gjerë të organizatave të shoqërisë civile, nga ato të myslimanëve kundër kapitalizmit, te organizatat për çështje dhe të drejta të grave, e deri te grupimet më të matura të kurdëve ose shoqatave të arkitektëve”, thotë Freizer për gazetën Jeta në Kosovë.

Ndërhyrja e policisë, sidomos gjatë ditëve të para të këtij rebelimi popullor, vlerësohet të ketë qenë shumë e ashpër, për ta shtuar edhe më tepër numrin e pjesëmarrësve në protesta.

“Policia përdori forcë të tepruar dhe gaz lotsjellës me tepri, duke e hedhur atë direkt në protestues, e jo mbi kokat e tyre, siç parashihet. Gazi lotsjellës preku edhe njerëzit që punonin, studionin, ose vizitonin Stambollin si turistë. Dukej si një hakmarrje e policisë, e jo tentim i saj për kontrollimin e turmave dhe ruajtjen e rendit publik”, shpjegon Freizer.

Sabine Freizer

Sipas Freizer-it një pjesë e protestuesve janë në rrugë për të reaguar kundër ndërhyrjes së ashpër të policisë, ose ngase nuk u pëlqen stili gjithnjë e më autoritar i udhëheqjes së kryeministrit turk Erdogan, a disa ligje të aprovuara kohëve të fundit që përzihen në jetën e përditshme dhe private të individëve.

Në qershor presidenti Abdullah Gul nënshkroi ligjin e miratuar në parlament që kufizon përdorimin e pijeve alkoolike në vende publike prej ores 22 të mbrëmjes deri në orën 6 të mëngjesit, ndërsa në maj autoritet e Ankarasë ndaluan puthjet e çifteve në vende publike. Një ligj tjetër për kufizim aborti ngriti shqetësimet.

Këtyre pakënaqësive u “vuri kapak” angazhimi i zjarrtë i kryeministrit Erdogan, për ta rirregulluar me çdo kusht sheshin Taksim, duke ndërtuar qendër tregtare në Parkun Gezi.

“Arsyeja kryesore pse protestat u zgjeruan kaq shumë, lidhet me mundësitë e vogla të njerëzve për të ndikuar te të zgjedhurit e tyre. Kryeministri ndjeu që ai duhej ta merrte vendimin përfundimtar për parkun. A është renovimi i sheshit Taksim vërtet kompetencë e kryeministrit?”, pyet Freizer.

Ajo nuk i sheh protestat si përplasje mes sekularistëve dhe fanatikëve fetarë të Turqisë. Për të edhe mendjet e ngarkuara fetare turke, besojnë se shteti duhet të mos ndikohet nga feja.

Ajo lavdëron kryetarin e shtetit dhe atë të Stambollit që angazhohen për zgjidhje të problemeve me dialog, duke dënuar përdorimin e dhunës policore ndaj të tubuarve.

“Në Turqi sidoqoftë pushteti është i centralizuar dhe kryetarët e qyteteve me disa përjashtime të vogla, janë kryesisht të dobët”, thotë Freizer.

Ajo nuk mund të parashikojë si do të shkojë puna e protestave.

Deri tash gjatë përleshjeve mes policisë dhe pjesëmarrësve ka pesë të vdekur, katër protestues dhe një polic, ndërsa për të shtunën janë paralajmëruar tubime masive në Ankara dhe Stamboll.

Freizer sugjeron se nëse organizatorët e protestave duan të kenë ndikim më të gjatë në politikën e vendit, duhet të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme, duke sfiduar vetë Erdoganin.

Zgjedhjet lokale në Turqi pritet të mbahen në mars të vitit 2014, ato presidenciale në gusht të vitit të ardhshëm, ndërsa zgjedhjet e përgjithshme janë paraparë të zhvillohen në vitin 2015.

Analistja Freizer nuk e përjashton mundësinë që tri palë zgjedhjet turke të mbahen njëkohësisht.

Ajo e di se lëvizjet e reja politike në Turqi, e kanë shumë vështirë të depërtojnë në parlament, pasi pragu elektoral në këtë shtet është dhjetë për qind.

“Aktivistët e protestave të Gezi Parkut duhet ta zhvendosin betejën e tyre [nga rruga] te kutitë e votimit. Kanë shumë pak kohë për t’u organizuar dhe përballur me makinën e frikshme të fushatës së AKP-së”, thotë Sabine Freizer.

AKP-ja[Adalet ve Kalkinma Partisi] Partia e Drejtësisë dhe Zhvillimit është partia në pushtet në Turqi, e drejtuar nga kryeministri Erdogan.