Aktakuzë për Pesë Kontrabandues Emigrantësh

Bekë Nikqi, Qerim Dreshaj, Nuradin Ahmeti, Pjetër Krasniqi dhe Jeton Smaka akuzohen për veprat penale të përfshirjes në kontrabandimin e emigrantëve, përpjekjes për përfshirje në kontrabandimin e emigrantëve dhe për prodhimin, ofrimin dhe posedimin e dokumenteve të falsifikuar të udhëtimit apo identifikimit për ta mundësuar kontrabandimin e emigrantëve dhe për të përfituar dobi financiare apo dobi tjera materiale. 

Të gjithë këta persona janë të përfshirë në akuzën e përgatitur nga një prokuror i EULEX-it në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë.

“Të dyshuarit pretendohet se i kanë pajisur disa persona me dokumente të falsifikuara për të udhëtuar nga Kosova në vendet e huaja kundrejt shumave të mëdha të parave. Rasti i tyre gjithashtu ka të bëjë me Demë Nikqin, i dyshuari kryesor, i cili po ashtu pretendohet të jetë i përfshirë në kontrabandimin e emigrantëve,” thuhet në komunikatën për shtyp të EULEX-it.

Dema, i njohur për rrjetin e madh të kontrabandimit me emigrantë, është ekstraduar me 6 janar 2012, nga Shqipëria për në SHBA.

Hektor Kelmendi i njohur ndryshe edhe si Demë Nikqi u shpall në kërkim ndërkombëtar nga Interpol në Uashington pasi akuzohet për emigracion ilegal, plagosje, gjymtime, vrasje si dhe organizim të trafiqeve njerëzore.