Aksionet "Sekrete" të Albright-it në IPKO

Para tetë vitesh, më 2004, Madeline K. Albright, sekretare amerikane e shtetit gjatë kohës së luftës në Kosovë, do të lidhte një marrëveshje me “Ipko Net”, një kompani që merrej me shpërndarjen e internetit. Ajo ishte angazhuar si këshilltare e kryetarit të bordit të kësaj kompanie Akan Ismajlit, tash ambasador i Kosovës në SHBA.

Katër vjet më vonë, kompania IPKO do të merrte licencën për operator të telefonisë mobile. Ndër hisedarët e saj ishin Akan Ismajli dhe vetë Madeleine K. Albright, por shumicën e aksioneve e mbante Telekom Slovenije – me diku mbi 60 për qind.

Përveç ish-sekretares Albright, edhe disa anëtarë të tjerë të Albright Stonebridge Group figurojnë si aksionarë në IPKO Telecomuncations. 

Një tjetër kompani investuese me emrin “Albright Capital Management”, që kryesohet nga Madeleine K. Albright dhe ku “Albright Stone Bridge Group” ka mbi 25 për qind të aksioneve, është parakualifikuar nga Qeveria e Kosovës për të marrë pjesë në tenderin për blerjen e 75 për qind të aksioneve të Postë-Telekomit të Kosovës, ndërmarrjes më profitabile publike në vend e që pritet të shitet brenda këtij viti.

Krahas katër ofertave tjera, ACM ka konkurruar në blerjen e aksioneve të PTK’së në konsorcium me “Portugal Telecom” që sipas qeverisë kosovare operon në disa vende të botës dhe ka të hyra vjetore prej 4 miliardë eurosh. Tenderi hapet muajin e ardhshëm.

Bazuar në të dhënat e publikuara nga Ministria për Zhvillim Ekonomik e Kosovës, vetë ACM është themeluar në vitin 2003, por që nga viti 2007 ka ngritur fonde për investime në vlerë prej mbi 600 milion dollarësh. Po ashtu ajo ka asete nën menaxhim në vlerë prej mbi 700 milion dollarësh.

Komisioni Kosovar i Konkurrencës, një institucion i pavarur që është i thirrur për të luftuar monopolet, pret që Qeveria të konsultohet me të para se të nënshkruajë kontratë me “Albright Capital Management” – nëse kjo e fundit del fituese e tenderit.

“Nëse kjo kompani shpallet fituese, Qeveria duhet të kërkojë nga ne një interpretim se a krijohet monopol në këtë rast”, thotë Ahmet Krasniqi, udhëheqës i Komisionit Kosovar të Konkurrencës për Gazetën Jeta në Kosovë. “Pas analizave që i bën, komisioni vendos nëse kjo mund të lejohet apo duhet të ndalohet. Por ne duhet të pyetemi para nënshkrimit të kontratës pasi që ajo kontratë nuk ka validitet pa miratimin tonë”.

Në Kosovë operojnë vetëm dy operatorë telekomi, VALA e IPKO. Posedimi i hises në të dyja kompanitë nga një person mund të çojë në krijimin e monopolit.

Telekom Slovenije: Nuk obligohemi të tregojmë aksionarët

Për ndryshim prej vitit 2008 kur kishte mbi 60 për qind të aksioneve, në një raport financiar për vitin 2011 Telekom Slovenije thotë se ka 93.11 për qind të aksioneve në IPKO Telecomunications.

Por në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë (ARBK) ende figurojnë si pronarë të IPKO Telecomunications Carol Martha Browner, Suzanne A George, James Coad O Brein, Telekom Slovenije d.d., Factor Banka d.d., Paul Hoogner Meyer, Bujar Musa, Dardan Behluli, Lavdrim Sadiku, Bujar Elshani, Venera Biçaku, Bashkim Uka, Akan Ismaili, Visar Dobroshi, Lea Nimani, Bamir Hasani, Perparim Nazifi, Madeleine Korbel Albright dhe Sarah Renee Sherman – Stokes. 

“Ablright Stonebridge Group” nuk është përgjigjur as në pyetjet e dërguara me shkrim në këtë firmë në lidhje me interesimin e tyre për PTK-në dhe as në telefonatat e GJnK. As ambasadori Akan Ismajli, themelues i kompanisë, nuk ka dhënë përgjigje.  

Carol Browner, Suzanne A George, James Coad O Brein dhe Madeleine Korbel Albright janë nga “Ablright Stonebridge Group”.

Për dy javë rresht, “Ablright Stonebridge Group” nuk është përgjigjur as në pyetjet e dërguara me shkrim në këtë firmë në lidhje me interesimin e tyre për PTK-në dhe as në telefonatat e Gazetës Jeta në Kosovë.

As ambasadori Akan Ismajli, themelues i kompanisë, nuk ka dhënë përgjigje rreth aksioneve të tij e të Madeleine Albright në operatorin e dytë të telefonisë mobile në Kosovë dhe as në lidhje me lobimin e mundshëm të tij si ambasador i Kosovës që kompanitë amerikane të blejnë PTK’në.

Në raportet e ndërmarrjes publike sllovene Telekom Slovenije nuk përmenden emrat e aksionarëve që mbajnë pjesën prej 7 për qind të aksioneve IPKO Telecomunications.

Kompania IPKO është pyetur nëse zyrtarët e Albright Stonebridge Group mbajnë ende aksione në këtë kompani, por zyra për media e kësaj kompanie ka sugjeruar se këto informata mund t’i japë vetëm “Telekom Slovenije”.

E Telekom Slovenije thotë se ajo nuk obligohet ta bëjë publike këtë informatë.

“Struktura e pronësisë (numri i aksioneve të aksionarëve) si dhe transakcionet e tyre pronësore si dhe numrat personal të identifikimit nuk janë të qasshme për publikun, përfshirë mediat”, ka thënë Darinka Pavlic Kamien, shefe e komunikimit në ndërmarrjen sllovene.

Kamien ka shtuar se IPKO nuk është e obliguar të zbulojë informacionin në lidhje me strukturën e pronësisë, përfshirë aksionet për çdo aksionar. “Kështu, çështja e zbulimit të aksioneve mbetet nën diskrecionin e kompanisë”, tha ajo.

Konfuzioni vjen për shkak të rritjes së përqindjes së aksioneve të Telekom Slovenije në IPKO Telecomunications dhe disa raportimeve se një numër i aksionarëve kishin shitur me kohë aksionet e tyre. Por, në ARBK lista mbetet e njëjtë.

Mehdi Pllashniku, koordinator për çështje praktike e jurdike në ARBK, thotë se kjo agjenci zakonisht i bën menjëherë ndryshimet në faqen e saj publike sapo të ketë ndryshime në strukturën pronësore të ndërmarrjeve. “Kjo zakonisht bëhet për dy-tre minuta”, tha ai.

Pllashniku shtoi se informata e aksionarëve duhet të jetë publike. “Emrat e aksionarëve duhet të jenë publikë. Nuk ka arsyetim të fshihen emrat. Një kompani mund të mos tregojë sa për qind ka një aksionar, por emrat duhet të jenë publikë”, tha ai.

Kështu, shtoi ai, aksionarë aktualë të një kompanie llogariten ata që ende figurojnë në regjistrat online të ARBK’së.

Ish-sekretarja me disa të drejta vetoje në “Albright Capital Menagment”

Në një dokument informues të “Albright Capital Menagment”, të publikuar në faqën zyrtare të saj, përshkruhet roli i aksionerëve të saj.

Madeleine K. Albright ka pozitën e kryetares së bordit si dhe ka të drejtën e vetos për disa çështje specifike që kanë të bëjnë me rrezikun politik, reputacionin e aspektet etike.

“Albright Stonebridge Group”, si aksionar me mbi 25 për qind, ka të drejtën që në ACM të emërojë anëtarë në menaxhment si dhe në Komitetet për Investime.

Si aksionarë tjerë të mëdhenjë të firmës figurojnë Gregory B. Bowes dhe John K. Yonemoto të cilat kanë kontroll të përditshëm në investimet e kompanisë dhe marrin vendime për operacionet e saj.

Takimi miqësor Thaçi-Albright-Podesta 

foto  
Albright-Thaçi, 2012 | Foto: kryeministri-ks.net  

 

Zyra e Kryeministrit të Kosovës kishte njoftuar në prill të këtij viti se Thaçi kishte zhvilluar një takim miqësor me ish-sekretaren amerikane të shtetit Madeleine Albright.

Kreu i ekzekutivit e kishte takuar atë gjatë vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku kishte takuar udhëheqës aktualë të qeverisë amerikane.

“Në takimin miqësor, kryeministri Hashim Thaçi shprehu mirënjohjen për angazhimin e vazhdueshëm që ish-sekretarja Albright ka luajtur dhe po luan në mbështetje të zhvillimeve demokratike në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e publikuar në faqen e Zyrës së Kryeministrit.

Albright e kishte përgëzuar kryeministrin për marrëveshjet e arritura në dialogun teknik Bruksel si dhe për fillimin e procesit të përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur .

Por, në atë takim kishte pasur edhe dy persona tjerë.

Në kalendarin e takimeve të zyrtarëve amerikanë të shtetit figuron se më 4 prill Robert Hormats, zëvendës-sekretar për Ekonomi, Energji dhe Mjedis kishte pritur Kryeministrin Hashim Thaçi, ish-sekretaren Madeleine Albright si dhe ish-zyrtarin amerikan të shtetit John Podesta.

Takimi kishte qenë i mbyllur për media.

John Podesta kishte qenë shef i stafit të presidentit Bill Clinton gjatë kohës së luftës në Kosovë.

John, bashkë me vëllain e tij Tony, kishin themeluar kompaninë “Podesta Associates”. Tash John Podesta udhëheq Qendrën për Përparimin Amerikan, një “think-tank” liberal në Washington.

Ndërkohë Tony Podesta drejton Podesta Group një kompani lobimi e cila ka lidhur një kontratë me Qeverinë e Kosovës, përkatësisht Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik e cila udhëheq procedurat e shitjes së aksioneve të Postë-Telekomit të Kosovës.

Gazeta Jeta në Kosovës ka raportuar më herët se kontrata e lidhur në mars të këtij viti me këtë kompani me bazë në Washington peshonte rreth 50 mijë dollarë në muaj.

Bazuar në marrëveshjen e cila u publikua nga Departamenti i Drejtësisë së SHBA, “Podesta Group” u angazhua “për të studiuar dhe analizuar çështjet shqetësuese” të Kosovës.

Kontrata gjithashtu përshkruan se si “Podesta” do të këshillojë Kosovën “në politikat amerikane të interesit, aktivitetet në Kongres dhe në degën e Ekzekutivit dhe zhvillimet në skenën politike të SHBA-së në përgjithësi; dhe të mbajë kontakte, sipas nevojës, me anëtarë të Kongresit dhe stafin e tyre, zyrtarët e Ekzekutivit, anëtarë të shtypit, si dhe organizatat joqeveritare”.