Aksident Fatal në Landovicë

Sipas hetuesve të trafikut të Policisë më Prizren, drejtuesi i mjetit të transportit “Opel Combo” kishte hyrë në tejkalim të një kamioni, megjithëse në atë vend me shenjë komunikacioni një gjë e tillë është e ndaluar. “Në pamundësi për ta përfunduar tejkalimin, është ndeshur ballëpërball me një autobus, i cili lëvizte nga krahu tjetër i lëvizjes”, ka konfirmuar zëdhënësi i policisë, Hazir Berisha.

Në këtë përplasje, shoferi i “Opel Combo” kishte pësuar lëndime të rënda trupore dhe urgjentisht është dërguar për në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Prizren, mirëpo atje mbërrin pa shenja jete. Bashkudhëtari i tij, me plagë të rënda, është ndaluar për shërim të mëtejmë.

Procedurat hetimore në vendin e ngjarjes janë kryer nga hetuesit rajonalë të trafikut, nën mbikëqyrjen e komandantit dhe prokurorit, të cilët kishin dalë në vendin e ngjarjes.

Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa shoferi i autobusit është ndaluar në mbajtje në objektet policore, derisa të sqarohen rrethanat e aksidentit.