Ilustrimi: Trembelat për KALLXO.com

Aksham pazari i Pal Lekajt, inicion tender 110 milionësh

Ministria e Infrastrukturës, e udhëhequr nga Pal Lekaj, e ka shfrytëzuar kohën kur Kosova është pa qeveri dhe pa buxhet të miratuar për të shpallur tenderin me vlerë të parashikuar prej 110.6 milionë euro, për ndërtimin e rreth 24 kilometrave të autostradës Banullë (Lipjan) – Dheu i Bardhë.

Ministria e Infrastrukturës më 13 janar 2020, ka publikuar njoftimin për kontratë për “Ndërtimin e Autoudhës A7.1 Kryqëzimi në disnivel A6 A7.1 (Banullë) – Dheu i Bardhë, pjesa Udhëkryqi Bresallc -Dheu i Bardhë. nga Stac.26+875.00 – Stac.51+752.00”, për të cilën ka parashikuar të shpenzojë saktësisht 110,641,160 euro.

Ky projekt me vlerë mbi 110 milionë euro nuk ka qenë i parashikuar në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2019-2021, në të cilën parashihen projektet për periudhën 3 vjeçare.

Vetëm autostrada Banullë – Dheu i Bardhë parashihet të kushtojë 110,641,160 euro, ndërsa në buxhetin e vitit 2019 kanë qenë të planifikuara që për tërë vitin të shpenzohen 75,262,000 euro për ndërtimin e autostradave. Autostrada Banullë – Dheu i Bardhë parashihet të kushtojë 35,379,160 euro më shumë se gjithë buxheti i shpenzuar për autostrada në vitin 2019.

Ndërsa në vlerësimin e vitit 2020, planifikohet të që shpenzohen 21,130,000 euro për ndërtimin e autostradave, gati sa një e pesta e vlerës së parashikuar për ndërtimin e autostradës Banullë – Dheu i Bardhë.

Tenderi është i ndarë në 4 lote. Gjatësia e kësaj autostrade është 24.877 kilometra, ku për një kilometër janë parashikuar 4.4 milionë euro. Gjatësia e lotit të parë është 7.052 km, e lotit të dytë 5.148 km, gjatësia e lotit të tretë është 6.410 km kurse loti i katërt do të jetë 6.267 km.

Kohëzgjatja e kësaj kontrate është parashikuar të jetë 36 muaj apo 3 vjet, që nga nënshkrimi i kontratës.

Gati 10 ditë nga publikimi i njoftimit për kontratë nga Ministria e Infrastrukturës, ky tender është pezulluar për shkak të ankesave nga kompanitë.

Më 24 janar, Ministria e Infrastrukturës e ka pezulluar tenderin deri në shqyrtimin e ankesës së kompanisë “2A Group Sh.P.K”.

“Pezullohet deri në shqyrtimin e ankesës aktiviteti i prokurimit për tenderin e prokurimit “Ndërtimi i Autoudhës A7.1 Kryqëzimi në disnivel A6 A7.1 (Banullë)-Dheu i Bardhë, pjesa Udhëkryqi Bresallc-Dheu i Bardhë. nga km.26+875.00 – km.51+752.00”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së infrastrukturës.

Më 28 janar, Ministria e Infrastrukturës, përsëri ka njoftuar se e ka pezulluar tenderin deri në shqyrtimin e ankesës së kompanisë “Jaha Company Sh.P.K”.

Kosova është pa qeveri që nga muaji gusht kur kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme janë mbajtur më 6 tetor, fituese e të cilave ka dalë Lëvizja Vetëvendosje, e ndjekur nga Lidhje Demokratike e Kosovës.

Përfundimisht, rezultatet e zgjedhjeve janë certifikuar më 27 nëntor, që nga atëherë, LVV dhe LDK janë takuar vazhdimisht për të arritur një koalicion qeverisës.

Afati i fundit kushtetues për Albin Kurtin, mandatarin për kryeministër, është deri më 4 shkurt. Por, pas marrëveshjes së lidhur në mes të LDK-së dhe LVV-së, nëser (me 3 shkurt) pritet të votohet qeveria Kurti.

Në muajin shkurt të vitit 2018, është nënshkruar kontrata për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Gjilan.

Ministria e Infrastrukturës në krye me ish-ministrin Lutfi Zharku, nisi procedurat e Autostradës Prishtinë-Gjilan, ku planifikoheshin të harxhoheshin 128 milionë euro në kohën kur vendi ishte në zgjedhje dhe pushtetet ishin duke u ndërruar.

U pranuan 181 oferta nga 27 biznese e konzorciume për tetë pjesët e këtij tenderi. Tenderit iu dha drita e gjelbër nga Ministria e Infrastrukturës, pa shumë shpjegime, 24 orë para ndërrimit të qeverisë. Të përgjegjshme mbetën vetëm 8 oferta, duke u eliminuar në mënyrë të kundërligjshme ofertat e tjera që ishin edhe më të lira se ofertat e rekomanduara për kontratë.

Aksham Pazari për Autostradën 100 Milionëshe

Ministria e Infrastrukturës e ka bërë vlerësimin e ofertave për ndërtimin e “Autostradës së Gjilanit”.

Ministrisë i janë dashur 20 ditë që t`i rivlerësojë 181 ofertat e pranuara nga 27 biznese e konsorciume për tetë pjesët e këtij tenderi multi-milionësh.

Organi Shqyrtues i Prokurimit kishte gjetur shkelje ligjore në vlerësimin e parë dhe kishte marrë vendim që lënda të kthehet në rivlerësim.

Pas rivlerësimit, për kontratë nuk është rekomanduar asnjë nga kompanitë që ishte shpallur fituese në vlerësimin e parë. Tani janë tetë biznese dhe konzorciume të reja që janë shpallur fituese.

Ndërrohen Kompanitë që do ta Ndërtojnë Autostradën e Gjilanit

Eksperti Gjen Shkelje Ligjore në Tenderin e Autostradës për Gjilan

Vendimi i Dyshimtë i OSHP-së për Autostradën për Gjilan

Në emisionin e sotëm “Drejtësia në Kosovë” u transmetuan gjetjet e një hulumtimi katërmujor i cili zbardh mënyrën se si kompania e familjes së zëvendësministrit të Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, është përfshirë në ndërtimin e autostradës Prishtinë – Gjilan.

Furnizimin me beton për autostradës Prishtinë-Gjilan, nga kompania e djalit të zëvendësministrit Rexhep Kadriu, nuk e mohon as ky i fundit.

Rexhep Kadriu është larguar nga pronësia e kompanisë para pak muajve.

“Kompania “Pro- Eng” ka qenë pronë e imja, tash është pronë e djalit. Nga pronësia jam larguar para katër ose pesë muajve”, ka thënë Kadriu për emisionin “Drejtësia në Kosovë”.

Hulumtimi zbulon se kompania “Pro-Eng”, pronë e familjes së zëvendësministrit Rexhep Kadriu furnizimin me beton për autostradën Prishtinë-Gjilan e bën përmes disa kompanive të nënkontraktuara.

Edhe vet Kadriu për “Drejtësia në Kosovë” e ka pranuar se kompania e familjes së tij furnizon me beton kompaninë “Morava-Mont”, e cila furnizon me beton punimet në autostradën Prishtinë- Gjilan.

“Kompania “Pro- Eng” është duke bërë furnizimin e kompanisë “Morava-mont” e cila blen beton nga “Pro- Eng” që ka të drejtë çdo kompani të blejë betonin”, thotë Kadriu.

Rrjeti i kompanive të familjarëve të AAK-së, betonojnë autostradën Prishtinë – Gjilan