AI: Policia përdori forcë të tepruar

Organizata Amnesty International (AI) ka kritikuar “përdorimin e tepruar të forcës” nga Policia e Kosovës, kundër protestuesve “duket jo të dhunshëm” në dy demonstratat e 14 janarit, të organizuar nga lëvizja Vetëvendosje.

Organizata e njohur ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, në një deklaratë për shtyp, thotë se Policia e Kosovës përdori gaz lotsjellës, sprej, shkopinj gome dhe topa uji, në temperatura nën zero, në përpjekje për të shpërndarë turmën.

Ndërmjet 50 dhe 80 njerëz, sipas raporteve, u lënduan kur policia ndërhyri për të shpërndarë protestën. Dhjetë demonstrues u plagosën rëndë, duke përfshirë dy anëtarë të Vetëvendosjes, të cilët sipas njoftimeve, u rrahën nga policia edhe pas arrestimit. Katër demonstrues u shtruan në spital, vazhdon AI.

Policia e Kosovës intervenoi edhe më vonë, gjatë ditës, në protestën e dytë pranë kalimit kufitar “Dheu i Bardhë”, ku demonstruesit kishin raportuar se ishin qëlluar me këmbë dhe ishin shkelur nga policia.

Në analizën e saj, organizata thekson se sipas raporteve të medias, incidentet filluan pasi policia kishte ndërhyrë për të shpërndarë protestuesit.

Amnesty International rikujton se standardet ndërkombëtare kërkojnë që niveli i forcës së ushtruar të jetë proporcional dhe në përputhje me ligjet e vendit dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut të cilat theksojnë se “në shpërndarjen e grumbullimeve të paligjshme, por paqësore, policia duhet të shmangë përdorimin e dhunës, ose kur e sheh të pazbatueshme, të përdorë forcë në minimumin e nevojshëm”.