Agnesa Haxhiu, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)

Agnesa Haxhiu nga KDI: Legjislatura e shtatë, më jetëshkurtëra në historinë e parlamentarizmit

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi Qeverinë e Kosovës dhe kërkoi shkuarjen në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, shumë shpejt pritet që të shpërndahet Kuvendi i Kosovës.

Legjislatura e shtatë e Kuvendit të Kosovës është karakterizuar me përmbushje të dobët të agjendës legjislative si dhe me mungesa të theksuara të kuorumit që pamundësuan vendimmarrjen.

Monitoruesja e punës së Kuvendit nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Agnesa Haxhiu në një intervistë për KALLXO.com, ka thënë se legjislatura e shtatë pritet të jetë më jetëshkurtëra në historinë e parlamentarizmit në Kosovë.

“Ndonëse pritet të jetë më e shkurtër, është përballur me sfida të shumta, e një prej tyre ka qenë mungesa e theksuar e kuorumit në votim. Për rrjedhojë, në pamundësi të vendimmarrjes në seancë, janë grumbulluar më shumë se 50 pika të rendit të ditës që nuk kanë arritur të marrin epilog”, ka theksuar ajo.

Pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 6 tetorit 2029, legjislatura e shtatë e Kuvendit është konstituuar më 26 dhjetor 2019.

Ndërsa, Haxhiu ka shtuar se vetëm 14 projektligje janë votuar për një vit pune të kësaj legjislature, projektligje këto që kanë qenë të ndërlidhura me menaxhimin e pandemisë dhe rimëkëmbjen ekonomike.

“Dhe në fakt, të gjitha këto janë votuar edhe nga opozita, (përjashtim ligjit për buxhetin që është miratuar nga qeveria Kurti),  në disa raste vetëm nga një pjesë e opozitës sepse shumica parlamentare nuk ka mbërri të miratohet asnjë ligj pa ndihmën e opozitës për shkak të brishtësisë së numrave që prej ditës kur është zgjedhë Qeveria Hoti”, shtoi ajo.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës ka bërë thirrje që Kuvendi i Kosovës të mos shpërndahet pa u votuar buxheti i shtetit për vitin 2021.

Njohësja e punës së Kuvendit ka thënë se në aspekt teknik, organizimi i punëve ka qenë më mirë sesa në legjislaturën e kaluar, por problemet politike që e kanë shoqëruar këtë legjislaturën kanë qenë pothuajse të ngjashme me legjislaturën e kaluar.

“Përveç mospjesëmarrjes së deputetëve në votim pavarësisht prezencës fizike, edhe mos prezenca fizike e deputetëve në seanca muajt e fundit ka qenë shumë e shprehur, mandej një pjesë e deputetëve ndonëse marrin pjesë në fillim të seancës nuk qëndrojnë në seancë gjatë gjithë kohës sa zgjatin punimet”.

Haxhiu tutje në këtë intervistë thotë se ky vit i punës së Kuvendit, u karakterizua ndër të tjera edhe me përdorim të shpeshtë të gjuhës dhe sjelljeve jo parlamentare  nga ana e deputetëve gjatë diskutimeve, duke penguar kështu mbarëvajtjen e punimeve si në seanca ashtu edhe në mbledhje të komisioneve, ku në tri raste pati ndërprerje të punimeve për shkak të situatave të krijuara.

KALLXO.com ka raportuar për rrahjet dhe përplasjet më të bujshme të Kuvendit të Kosovës ndër vite.

Ndryshe nga praktika e deritanishme, Agnesa Haxhiu (KDI) thotë, se Kuvendi nuk ka miratuar planin e punës për këtë vit meqë programi legjislativ i Qeverisë është proceduar në Kuvend në muajin qershor.

“Duke u bazuar në projektligjet që i ka sjellë qeveria për shqyrtim dhe projektligjet e inicuar nga vet deputetët, pra nismat ligjore, Kuvendi deri në fund të këtij viti ka pranuar në agjendën legjislative gjithsej 48 projektligje. Prej këtyre 48 projektligjeve, 11 janë nisma ligjore të iniciuara nga deputetët dhe 15 marrëveshje ndërkombëtare”, bën të ditur monitoruesja nga KDI.

Ajo shton se nga 48 projektligje, Kuvendi ka arritur që të miratojë vetëm 14 prej tyre, 10 prej të cilave janë ratifikim i marrëveshjeve ndërkombëtare dhe katër janë ligje të tjera.

“Ndërkaq 27 projektligje të tjera janë shqyrtuar nga komisionet, disa prej tyre janë në shqyrtim të dytë e disa të tjera ende në fazën e shqyrtimit të parë në seancë. Kurse 7 të tjera vetëm u janë shpërndarë deputetëve por nuk janë shqyrtuar në parim as nga komisionet parlamentare sepse janë dorëzuar në Kuvend gjatë këtyre ditëve”, shprehet ajo.

Tani në pritje për t`u votuar, që nënkupton në çfarëdo fazë që janë brenda komisioneve ose votimit në seancë, Haxhiu bën të ditur se janë edhe 34 projektligje varësisht prej fazës së shqyrtimit ku gjenden aktualisht.

“Mirëpo me shpërndarjen e Kuvendit këto projektligje do të kthehen në pikën zero, pra i kthehen sponsorizuesëve”, tha ajo.

Ndërsa në agjendë legjislative, në procedurë kanë mbetur edhe 5 marrëveshje ndërkomëtare.

Të dhënat e KDI-së tregojnë, se tri prej tyre janë në proces të votimit që nga seancat e mbajtura në muajin tetor por për shkak të mungesës së kuorumit për vendimmarrje ato nuk janë votuar. Ndërkaq dy të tjera kanë mbetur ende në komisionet përkatëse në fazë të shqyrtimit.