Foto: Donald J. Trump / Facebook

Agjenda e Trumpit “Së pari Amerika” rrezikon ta lërë të izoluar Kosovën

Kushdo që formon qeverinë e ardhshme të Kosovës pas zgjedhjeve të fundit, do të duhet të merret me një politikë të jashtme amerikane më transaksionale në Ballkan që me gjasë do ta favorizojë Serbinë

Lëvizja e fundit e Donald Trumpit për të çuar përpara rrekjen për negociata të menjëhershme me Vladimir Putinin për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë – duke kushtëzuar Ukrainën që të heqë dorë prej territorit të saj të pushtuar nga Rusia dhe prej përpjekjes për anëtarësim në NATO – hijezon atë me të cilën qeveria e re e Kosovës mund të përballet.

Politika e jashtme “Së pari Amerika” sfidon aleancat tradicionale dhe normat ndërkombëtare, duke favorizuar ujditë dhe rinegocimet që lidhen me interesat strategjike amerikane. Si në rastin e Ukrainës, administrata e Trumpit pritet të shtyjë përpara gjetjen e një zgjidhje të menjëhershme përfundimtare për Kosovën që i shërben agjendës së saj gjeopolitike, duke e vendosur kryeministrin Albin Kurti, ose cilëndo qeveri që mund t’u rezistojë kushteve të saj, direkt në udhëkryqin e saj politik.

Në zgjedhjet parlamentare të së dielës, partia e Kurtit, Vetëvendosja, siguroi rreth 41 për qind të votave, një rënie e theksuar krahasuar me 50-përqindëshin që e kishte arritur në zgjedhjet e vitit 2021. Partia Demokratike e Kosovës e pasoi me rreth 22 për qind dhe Lidhja Demokratike e Kosovës me 18 për qind që doli e treta. Pa asnjë parti me shumicën parlamentare, partitë duhet të kërkojnë partnerë koalicioni për formimin e qeverisë.

Derisa partitë kanë telashe që të lënë mënjanë dallimet e tyre për formimin e një koalicioni, analisti politik, Petrit Zogaj, vlerëson: “Një çështje kyç që ndikoi zgjedhjet dhe do të ndikojë edhe marrëdhëniet e Prishtinës me Uashingtonin është shmangia e çfarëdo zgjidhjeje politike për komunitetin serb prej të gjitha partive kryesore politike”. Kjo qartazi ndihmoi PDK-në të rriste hisenë e saj të votës krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021, kur kishte fituar 17 për qind të votave.

Më 2020, presidenti i atëhershëm dhe lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, kishte punuar ngushtësisht me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, ish-të dërguarin special të Trumpit për Serbi dhe Kosovë, Richard Grenell, dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq për të negociuar një zgjidhje përfundimtare për Kosovën.

Marrëveshja e propozuar dyshohej se përfshinte shkëmbimin territorial: Veriu i Kosovës me shumicë etnike serbe do të këmbehej me rajonin më jugor të Serbisë me shumicë shqiptare, megjithëse kjo ishte hedhur poshtë nga Grenelli, Rama dhe Thaçi.

Albin Kurti, atëherë kryeministër në detyrë, kundërshtoi planin. Menjëherë pastaj, qeveria e tij në detyrë ra pasi partnerja e saj e vogël kërkoi mocion mosbesimi. Kurti akuzoi Grenellin se orkestroi rënien e qeverisë për të lehtësuar ujdinë dhe për t’i siguruar Trumpit një fitore diplomatike për fushatën e tij për rizgjedhje.

Në fund, marrëveshja u shkërmoq kur Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë njoftuan për ngritjen e aktakuzës ndaj Thaçi për krime lufte, derisa ai po udhëtonte drejt Uashingtonit për ta finalizuar ujdinë.

Ky zhvillim ishte çështje e diskutueshme për Grenellin, i emëruar së fundmi prej Trumpit si emisar i tij për misione speciale.; Ai i ka dhënë vazhdimisht zë marrëdhënies së tij të fortë bashkëpunuese ndërmjet Thaçit, Ramës dhe Vuçiqit, dhe ka bërë thirrje për ringjallje të aleancës së tij, duke avokuar për lirimin e Thaçit nga Haga.

Megjithëse fjalët e Grenellit mund të mos rezonojnë në mesin e kosovarëve, ose ta fuqizojnë mbështetjen publike pa shkëlqim për Thaçin në Kosovë, rrokën vëmendjen e disa prej shqiptarëve më të kamur nga Kosova, Shqipëria dhe SHBA-ja.

Musa Dakaj, aktivist i kahershëm në Shtetet e Bashkuara dhe mbështetës i koalicionit në pushtet të Kosovës, Vetëvendosje dhe Guxo, pretendon se në nëntorin e vitit 2024, rreth 50 shqiptarë u mblodhën në restorantin “Acra” në Lincoln Park në New Jersey, pas thirrjes për mbledhjen e fondeve për mbrojtjen legale të Thaçit – pavarësisht se qeveria e Kosovës tashmë ofron miliona për këtë qëllim.

Aktiviteti bëri tok gazetarë me ndikim, figura politike dhe liderë të pasur të biznesit nga Kosova, Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara, shumë prej të cilëve mbështetës të Ramës dhe Thaçit.

“U mblodhën miliona dollarë”, ka thënë Dakaj. Pasi tubimit për fondet, nisi një fushatë publike, duke kritikuar gjykatën e Hagës për “shpërdorim të madh të drejtësisë” dhe sulmuan Kurtin duke e portretizuar si antiamerikan. “Çfarë mbetet e paqartë është nëse fushatat e shënjestruara që pasuan për t’i shpartalluar zgjedhjet në Kosovë ishin krejtësisht rastësore ose drejtpërdrejt të lidhura me darkën për mbledhjen e fondeve”, ka deklaruar Dakaj.

Pavarësisht një peticioni prej shumë organizatave shqiptaro-amerikane, me të cilin i kërkohej Kurtit që të rriste ndihmën financiare për fondin legal për UÇK-në, dhe për qeverinë amerikane që të kishte përfshirje më të drejtpërdrejtë me gjykatën, fushata rroku pak vëmendje.

Realpolitikë pa dorashka

Përkundrazi, disa javë më vonë, postimi i Grenellit më 3 shkurt në X i inkurajonte votuesit e Kosovës që të refuzonin Kurtin, duke e fajësuar për marrëdhëniet e tendosura me Shtetet e Bashkuara dhe bashkësinë ndërkombëtare, dhe për pengimin e investimit amerikan në Kosovë. Postimi kishte ndikim të rëndësishëm dhe ofroi një vrojtim për drejtimin e politikës amerikane ndaj Kosovës.

Megjithëse misioni i Bashkimit Europian për monitorimin e zgjedhjeve i përshkroi komentet e Grenellit në X si “jodiplomatike”, postimi i tij mishëronte një formë të hapur të realpolitikës, duke e njoftuar qeverinë e re se kanë fleksibilitet minimal në përpjekjen për baraspeshimin e pritjeve të Uashingtonit dhe kosovarëve.

Kjo ndodh para së gjithash për shkak të Kurtit, i cili kishte fuqizuar mbështetjen e tij publikje dyshifrore prej pozicionimit të tij si mbrojtës i sovranitetit të Kosovës, qëndrim që u fuqizua prej ngulmit të tij për shtrirjen e kontrollit në enklavat etnike serbe, pavarësisht kundërshtimit nga Uashingtoni dhe Bruksel.

Qasja e Kurtit është fokusuar në sigurimin e mbështetësve të tij sesa të merret me interesat ndërkombëtare. Refuzimi i tij për të finalizuar një marrëveshje që u jep më shumë autonomi komunave me shumicë etnike serbe derisa Beogradi ta njohë pavarësinë e Kosovës, ka frustruar Perëndimin, duke bërë që SHBA-ja dhe BE-ja të suspendonin fondet për projekte të caktuara.

Sidoqoftë, gjithashtu vendosi vijën e kuqe që qeveritë e ardhshme të Kosovës do të tregojnë hezitim për ta shkelur, meqë ndryshe do të ishte vetëvrasje politike – si puna e fatit të PDK-së në zgjedhjet e vitit 2021. Kjo veçmas relevante në kulmin e spekulimeve se Kosova me gjasë do të mbajë zgjedhje të parakohshme në vitin e ardhshëm kur kuvendi të votojë për presidentin e ardhshëm – një proces që pritet të dështojë, pasi kandidati duhet të sigurojë kuorumin prej dy të tretave.

Partitë politike të Kosovës nuk kanë një strategji të qartë për t’u marrë me administratën e Trumpit. Ato e dinë se Uashingtoni është fokusuar në fuqizimin e marrëdhënieve me Serbinë, sikur se është parë në mbështetjen e hapur të Grenellit për presidentin Vuçiq dhe përfshirja e investitorëve amerikanë, përfshirë Jared Kushner, dhëndri i Trumpit, në një projekt luksoz zhvillimi në Beograd.

Kjo sugjeron se çdo marrëveshje me gjasë do të favorizojë Beogradin. Rrjedhimisht, shumë analistë parashikojnë se qeveria e ardhshme me gjasë do të udhëhiqet prej opozitës dhe do të jetë e përkohshme, e fokusuar në menaxhimin e krizës dhe përmirësimin e marrëdhënieve amerikane, duke shmangur njëherësh lëvizje të forta deri të zgjidhet presidenti i Kosovës në parlament.

Megjithatë, Kosova mund të mos i kuptojë rreziqet e politikës së administratës së Trumpit, “Së pari Amerika”, e cila mund të rezultojë me reduktim të përkrahjes amerikane – trupa, ndihmë dhe njohje – duke e lënë Kosovën të izoluar në një rajon të cenueshëm.

Shpresa e saj më e mirë mund të mbështetet në protestat e vazhdueshme anti-korrupsion në Serbi, që do të mund të shmangnin vëmendjen larg Kosovës dhe do të blinte kohë. Por është një qasje me rrezik të lartë, duke pasur parasysh tendencën e administratës amerikane për të favorizuar mbrojtjen e interesat tregtare amerikane kundrejt konsideratave morale dhe ideologjike./Balkaninsight.com

(Fron Nahzi është autor i librit të ardhshëm “Ethnic Interest Groups in US Foreign Policy: The Albanian American Movements” (Routledge Press).)

Opinionet e shprehura janë të autorit dhe jo domosdo reflektojnë pikëpamjet e BIRN-it.