Agjenda e Gazetës New York Times në Kosovë

Luca Lietti, Agron Kaliqani, Arian Harxhi, Haki Lekaj dhe disa miq tjerë ishin mbledhur të mërkurën në Pejë të festonin shpërblimin që iu ka ndarë Pejës në Abu Dabi për ofertën turistike të cilën qyteti e ofron së bashku me komunën e Rozhajës dhe komunat veriore të Shqiprisë. Miqtë që festonin janë të gjithë të involvuar në zhvillimin e turizmit në Pejë. Ata shihnin frutet e punës së tyre si dhe të Virtyt Morinës i cili ishte në Abu Dabi për të pranuar këtë shpërblim prestigjioz.

Tourism of Tomorrow Award u nda të martën në një ceremoni në Abu Dabi ku mori pjesë edhe ish-presidenti i ShBA-së Bill Clinton i cili tha se “Paqja funksionon më mirë se konflikti” dhe se “një nga manifestimet më të mira (të paqes) është udhëtimi dhe turizmi”. Oferta e perbashkët e Kosovës, Malit të Zi dhe Shqiprisë me sukses e konkurroi edhe ofertën e vendeve si Bhutan-i ekzotik.

Përderisa Clinton në Abu Dabi shpërblente kosovarët, në Pejë miqtë bisedonin se si të organizojnë më tutje turizmin, tash që potenciali u shënua edhe ndërkombtarisht. Në bisedë Lendita Hysenin, nga OJQ-ja Rugova Experience, ajo tregonte se si në web-faqen e organizatës janë shtuar shumë klikimet që vijnë nga SHBA-ja.

Shkak për këtë është një artikull i gjatë i The New York Times i cili kishte paraprirë shpërblimit duke përshkruar turizmin ballkanik dhe udhëtimin në këmbë në trekufirin Kosovë, Mali i Zi, Shqipëri.

Artikulli përshkruante turizmin ekzotik që e kishin bërë disa amerikanë, në një pako që është rezultat i një projekti të përgrahur nga agjencia gjermane për zhvillim GIZ, të cilët janë angazhuar dhe kanë financuar shënimin e rrugëve, kanë përkrahur banorët që të hapin derën për mysafirë dhe kanë lidhur autoritetet ndërkufitare që të mundësohet kalimi i kufirit në këmbë jashtë kalimeve zyrtare.

Në The New York Times, Ballkani e edhe Peja e Kosova përshkruhen në dritë pozitive me të gjithë mungesat që ekzistojnë.

Prestigji dhe fryma që i ofron Kosovës një artikull i tillë është për çka dua të flas në këtë shkrim.

Kosova doli në gazetën më të njohur në botë me një ofertë turizmi të financuar nga Qeveria Gjermane. Kosova, rishtasi ka dalë edhe disa herë në këtë gazetë në dritë pozitive.

Në një tekst tjetër të saj përshkruhet arti kosovar i cili mundohet të lidhë Kosovën me botën. Artikulli, i botuar në mars të këtij viti, kishte përshkruar artistin Petrit Halilaj, i cili fillimisht kishte shprehur talentin e vet artistik duke vizatuar njëkohësisht me të dy duart në një kamp refugjatësh në Shqipëri ku ishte dëbuar gjatë konfliktit në Kosovë, ndërsa tash është bërë një artist i pranuar ndërkombtarisht. I tërë teksti ishte në dritë pozitive dhe secili lexues do merte një paraftyrim të mirë për shtetin tonë.

E njëjta gazetë më herët kishte bartur një tekst të agjencisë Reuters për kualifikimin e Majlida Kelmendit në Olimpiadë dhe përpjekjen e saj për njohje të identitetit të saj kosovar nga bota.

Tri gjëra të ndryshme ku kosovarët kanë arritur sukses me punë, përkushtim dhe talent, në tri fusha të cilat janë në margjina të agjendës kosovare.

Në të kundërtën, në shumicën e mediave kosovare këto gjëra janë në margjina të agjendës, në faqet e fundit e ndonjëherë të prezantuara në një qysh të rezervuar për rubrikën, por kurrë si lajmi numër 1.

Majlinda rrallë e ka zënë vendin e Lajmit numër 1 në këto media – edhe kur është ranguar e para në botë edhe kur është kualifikuar për olimpiadë. Nuk ka zënë vend asnjë temë nga arti e kultura, sikur që nuk ka zënë bjeshkataria dhe turizmi malor.

Fatkeqsisht njerëzit si puntorët e zellshëm dhe të përkushtuar të turizmit bjashkatar të Kosovës nuk zënë vend në diskutimet e diplomacisë publike që mbahen në hotelet mondane të Prishtinës.

The New York Times nuk ka shkruar vetëm për imazhin pozitiv të Kosovës. Aty së voni (përjashto tekstet për diskutimet me Serbinë) ka zënë vend edhe një tekst i cili ka vënë në dritë të keqe dy miq të mëdhenjë të Kosovës, Madlaine Allbright dhe Wesley Clarck, si dhe sistemin e privatizimit në Kosovë.

Një tekst përshkruante se si zyrtarët e SHBA-së të cilët kanë punuar në një vend përdorin influencën e tyre politike për të marrë resurse të vendit përkatës.

Shpejtë pas këtij teksti kompania e Allbright u tërhoq nga privatizimi i PTK-së duke e lënë këtë kompani me blerës të panjohur në fushën e telekomunikacionit.

Teksti ishte negativ dhe e përshkruante Kosovën si vend ku bizneset bëhen në bazë të lidhjeve politike e jo nëpërmes ofertës më të mirë. Më saktësisht teksti përshkruante Kosovën si një vend të korruptuar.

Pasi jam në kontakt më shumë me njerëz që kanë dëgjuar shumë pak për Kosovën sesa me ata që dinë gjithçka për të, e shoh se në secilin tentim të shitjes së ndonjë produkti ose shërbimi nga Kosova, më së pari ndeshem me një përqeshje të atillë që Kosova nuk mund të ofrojë asgjë.

Pas një kohe, pikat në të cilat unë diskutoj janë pikrisht ato që përmenda më lartë, Sporti – Majlinda Kelmendi; Turizmi, Bjeshkët e Nemuna, ecja e trekufirit në bjeshkë të egra dhe më të virgjëra se vetë himalajet, si dhe arti e skulpturat e Sislej Xhafës në qytete të mëdha europiane. Pas këtyre mund të filloj edhe një diskutim më pozitiv për vendin tim.

Ndoshta ky çmim për turizmin edhe tek shumë kosovarë të tjerë do të zgjojë një agjendë më normale që ndonjëherë do të jetë më e rëndësishme se koalicioni i AAK-së me LDD-në që ka zënë disa ballina të gazetave. Ndoshta sikur edhe shumica e qytetarëve edhe mediet do të fillojnë të shikojnë përtej temave politike dhe t’i japin këtij populli të lexojë edhe gjëra të këndshme.

Miqtë e mi në Pejë do vazhdojnë të punojnë në përkrahje të turizmit dhe të lexojnë e të shikojnë më pak e më pak agjendën e ngritur nga mediat kosovare dhe me përkushtim do të mundohen të gjejnë punë për guidat e trajnuar malorë. Do të vazhdojnë të trokasin në dyer të donatorëve për të zhvilluar turizmin, artin e sportin në Kosovë.