Komuna e Gjilanit, Foto: Komuna e Gjilanit

Agjencia Kundër Korrupsion gjen shkelje në tenderin 30 mijë eurosh në komunën e Gjilanit

Agjencia Kundër Korrupsion ka gjetur shkelje ligjore në një tender në vlerë 30 mijë eurosh të Komunës së Gjilanit, e cila drejtohet nga Lutfi Haziri.

Në tenderin “Vlerësim Strategjik Mjedisor të HZK-së”, i cili ishte shpallur me 27 shtator, sipas AKK-së kërkesat që i ka vendosur Komuna e Gjilanit për operatorët ekonomik tek kapaciteti teknik dhe profesional, janë në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik.

“Në kuadër të rubrikës III.2.4 Kapaciteti teknik dhe profesional kërkesa 1. Agjencia vëren se Autoriteti Kontraktues ka kërkuar nga operatorët ekonomik të ofrojnë dëshmi se kanë përfunduar shërbime të ngjashme të realizuara në tri vitet e shkuara nga data e publikimit të (Njoftimit për kontratë), e vërtetuar nga OE, ku përfshihen titujt e projekteve së paku 3 vlerësime mjedisore, numri, data e kontraktimit dhe vlera minimale të jetë 30,000.00 euro. Kërkesë kjo për të cilën konsiderojmë se bie ndesh me nenin 69 të Ligjit në fuqi për Prokurim Publik”, thuhet në opinionin e AKK-së të lëshuar me 3 tetor 2019.

Tutje Agjencia ka shtuar se konsideron se Autoriteti Kontraktues nuk ka të drejtë të bëjë kufizimin e vlerësimeve mjedisore në vlerën e caktuar.

“E rëndësishme për Autoritetin Kontraktues është që ta vërtetojë se operatorët ekonomik përmbushin vlerën minimale, e cila është kërkuar nga ana e Autoritetit Kontraktues, pavarësisht numrit të vlerësimeve mjedisore dhe referencave. E jo si në rastin konkret ku është kërkuar numri i vlerësimeve mjedisore në vlerë të caktuar”, ka thënë AKK.

Antikorrupsioni ka thënë se veprimet e tilla si në rastin konkret e kufizojnë konkurrencën e lirë dhe diskriminojnë operatorët ekonomik, të cilët mund të ofrojnë vlerësime mjedisore të tilla të kënaqshme.

Në fund AKK ka shtuar se shkeljet e tilla nuk duhet lejuar në aktivitetet e prokurimit, duke rekomanduar që Komuna t’i evitojë shkeljet e gjetura nga ta.

Pas këtij opinioni, Komuna e Gjilanit ka bërë ndryshimet e cekura nga ana e Agjencisë Kundër Korrupsion.

Këtë e ka konfirmuar edhe për KALLXO.com, u. d. zyrtar përgjegjës i prokurimit në Gjilan, Izet Kurteshi.

“Janë marrë për bazë konstatimet që i ka nxjerrë AKK në opinion dhe janë bërë ndryshime në dosjen e tenderit “Vlerësimi strategjik mjedisor të HZK-së”. Ndryshimet mund t’i gjeni te njoftimi për korrigjim”, ka thënë Kurteshi.

Këto janë ndryshimet e bëra në sistemin elektronik të prokurimit.

www.kallxo.com