Agim Çeku Numëron Veteranët e Luftës

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e emëroi të martën Çekun, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, në detyrën e kryesuesit të  komisionit që ka për detyrë verifikimin e statusit të veteranëve të luftës, pas dorëheqjes muajin e shkuar të Azem Sylës.

Kryetari i Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Muharrem Xhemajli, konfirmoi për BIRN-in se Çeku do të udhëheqë takimin e ardhshëm të komisionit.

Çeku është aktualisht ministër i Forcës së Sigurisë në Kosovë, FSK, të cilën shumë e shohin si ushtrinë e ardhshme të Kosovës, edhe pse mandati i saj është vetëm për operacione në përgjigje të krizave, operacione për mbrojtje civile brenda Kosovës dhe ndihmë në tragjedi natyrore.

Çeku ka qenë komandant i Trupave të Mbrojtjes të Kosovës, pasardhëse e UÇK-së, që u shpërbë në janar të vitit 2009.

Gjatë luftës në Kosovë, Çeku ishte pasardhësi i Sylës si komandant Suprem i UÇK-së.

Azem Syla dha dorëheqjen nga posti tre javë më parë, duke thënë se nuk kishte kohë të mjaftueshme për t’iu dedikuar punës së komisionit, për shkak të ngarkesës së tanishme me punë.

Komisioni, i cili u krijua në janar të këtij viti, ka për qellim të gjejë numrin e saktë të anëtarëve të UÇK-së dhe të verifikojë identitetin e atyre që luftuan dhe vdiqën për UÇK-në gjatë luftës kundër forcave të sigurisë serbe në vitin 1998 dhe 1999.

Në fund të  luftës në Kosovë në vitin 1999, Qeveria e Përkohshme e Kosovës tha se UÇK-ja kishte rreth 20,000 anëtarë që luftuan kundër forcave te sigurisë serbe.

Por, 13 vjet më vonë, kjo shifër u rrit në më shumë se 40,000 luftëtarë të UÇK-së, sipas Shoqatës së Veteranëve të Luftës, OVL UÇK.

Kjo ka çuar në ankesa nga një numër i veteranëve të plagosur dhe shoqatave të veteranëve, që janë ankuar si ndihma e shtetit nuk po arrin tek personat e duhur.