Adresë joaktive: Shqiptarët po "shlyhen” në Serbi

A ka prapaskenë politike pas një praktike në Serbi për të klasifikuar si joaktive adresat e njerëzve që konsiderohet se nuk jetojnë më në adresat e tyre të regjistruara, një numër i konsiderueshëm i tyre shqiptarë?

 

Në vitin 2019, Ilaz Rushitit u mohua e drejta për të votuar në zgjedhjet lokale në Serbinë e tij të lindjes. Një vit më vonë, në janar, ai u desh të regjistronte makinën e tij në emër të një të afërmi.

Arsyeja? Autoritetet vendosën që Rushiti, një shqiptar etnik në Luginën e Preshevës së Serbisë, nuk jetonte më në adresën e tij të regjistruar.

“Ata pretendojnë se nuk më gjetën në shtëpi dhe kjo mjaftoi që ata ta shënonin adresën time si joaktive”, tha Rushiti, 47 vjeç, për BIRN. Dhe ai nuk është i vetmi që ka këtë problem.

Analiza e të dhënave të votuesve dhe deklaratat e përfaqësuesve politikë dhe të shoqërisë civile tregojnë se disa mijëra shtetasve shqiptarë etnikë të Serbisë në Luginën e Preshevës po u mohohen një sërë të drejtash themelore sepse adresat e tyre janë klasifikuar nga autoritetet si joaktive.

Të uritur për punësim dhe të ardhura në një nga pjesët më të varfra të këtij vendi të varfër, shumë shqiptarë etnikë, si Rushiti, gjejnë periodikisht punë në vendet fqinje ose më larg, në Europën Perëndimore.

Por Rushiti ka në pronësi një shtëpi dhe tokë në komunën e tij të lindjes Medvegjë, është regjistruar si i papunë pranë autoriteteve serbe dhe paguan taksat në Serbi. Ai kohët e fundit investoi 15,000 euro për të rinovuar shtëpinë 108-vjeçare që ai trashëgoi nga babai i tij. Megjithatë, përkundër gjithë kësaj, ai tani ka frikë se do të humbasë shtetësinë e tij.

“Dua të kem mundësinë të jetoj dhe të punoj në vendlindjen time”, tha ai. “Po investoj tani që të paktën ta kaloj pensionin i qetë në shtëpinë time.”

Ekspertët dhe politikanët shqiptarë etnikë argumentojnë se praktika është një shkelje e të drejtave të njeriut dhe po ndryshon artificialisht përbërjen etnike zyrtare – dhe kështu përfaqësimin politik – të një rajoni që dy dekada më parë pa përplasje midis rebelëve shqiptarë etnikë dhe forcave serbe të sigurisë.

Flora Ferati Sachsenmaier, një studiuese në Institutin Max Planck për Studimin e Diversitetit Fetar dhe Etnik në Gjermani dhe e cila e ka hetuar çështjen si anëtare e Forumit Shqiptar për Zhvillimin Ekonomik në Serbi, AFEDS, tha se shqiptarëve po u hiqeshin të drejtat e tyre themelore, duke filluar nga e drejta për të pasur qasje në kujdesin shëndetësor publik e deri te e drejta për të votuar.

“Informacioni që kemi mbledhur deri më tani dëshmon për një shkelje serioze të të drejtave të njeriut dhe atyre politike të komunitetit shqiptar në Serbi”, tha Ferati Sachsenmaier për BIRN.

Muajin e kaluar, ministrat e jashtëm të Shqipërisë dhe Kosovës, Gent Cakaj dhe Meliza Haradinaj-Stublla, bënë një deklaratë të përbashkët duke i bërë thirrje Serbisë të ndalonte fshirjen arbitrare dhe “të qëllimshme të adresave të shqiptarëve”, duke e karakterizuar atë si një “formë të re shtypjeje”.

Ministria e brendshme e Serbisë nuk iu përgjigj një kërkese për koment për këtë histori.

Pasojat politike

Sipas deputetit shqiptar etnik Saip Kamberi, praktika daton në nëntor 2011 dhe me miratimin e Ligjit për Vendbanimin e Qytetarëve, sipas të cilit, nëse autoritetet përcaktojnë se një person nuk jeton në adresën e tij të regjistruar, ajo adresë mund të klasifikohet si joaktive dhe personi është i detyruar të regjistrojë adresën e tij të vërtetë brenda tetë ditëve nga marrja e konfirmimit të vendimit.

Rushiti, megjithatë, thotë se ai kurrë nuk ka marrë ndonjë konfirmim të tillë.

Kamberi tha se praktika ishte një përpjekje për të “ndryshuar artificialisht strukturën etnike të këtyre komunave” në Luginën e Preshevës – Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Dhe kjo ka degëzime politike. Sipas televizionit publik të Serbisë, në Medvegjë në vitin 2015 ishin 10,465 votues të regjistruar. Katër vjet më vonë, sipas televizionit rajonal N1, ishin vetëm 6,602 të tillë.

“Si pasojë e kësaj politike, në Medvegjë përfaqësimi i shqiptarëve në asamblenë komunale ka rënë nga tetë përfaqësues në vetëm tre”, tha Kamberi.

Një njeri si Rushiti përballet me humbjen e të drejtës së tij për të votuar, për sigurime shëndetësore dhe për arsimim. Praktika “do të thotë që je në pritje”, tha Ragmi Mustafa, kreu i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi. “Nuk ka zgjidhje përfundimtare, por kjo parandalon njerëzit të rinovojnë ID-të e tyre ose dokumentacion tjetër.”

Mungesë të dhënash të sakta

Të dhënat e sakta për popullsinë për Luginën e Preshevës është e vështirë të sigurohen pasi shumica e banorëve shqiptarë etnikë bojkotuan censusin e fundit në vitin 2011, me liderët e tyre politikë që përmendën faktin se pyetësori ishte me shkrim cirilik serb dhe numrin e ulët të mbledhësve të të dhënave shqiptarë etnikë.

BIRN pyeti departamentin lokal të policisë që mbulon rajonin për të dhëna në lidhje me nurmin e adresave të klasifikuara si joaktive në dy vitet e fundit, por nuk mori asnjë përgjigje.

Kryetari i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, tha se, bazuar në numrin e njerëzve që kërkojnë ndihmë për të korrigjuar situatën, adresat e rreth 2,000 shqiptarëve etnikë në komunë janë regjistruar si joaktive. Komuna e Bujanocit kishte një popullsi prej rreth 43,000 banorësh në censusin e Serbisë të vitit 2002.

BIRN nuk mori përgjigje nga kryetarët e komunave Medvegjë dhe Preshevë, por Ferati Sachsenmaier tha se AFEDS kishte identifikuar mbi 2,000 raste në Medvegjë. BIRN nuk mundi të gjente të dhëna për Preshevën.

Për t’i krahasuar, BIRN kërkoi gjithashtu të dhëna nga pesë administrata të tjera policore në Serbi – Subotica, Bor, Sremska Mitrovica, Kraljevo dhe Novi Pazar – ku ka shumë më pak shqiptarë etnikë. Vetëm Subotica u përgjigj, duke thënë se 941 adresa ishin klasifikuar si joaktive në tre komunat e mbuluara nga departamenti lokal i policisë midis nëntorit 2018 dhe nëntorit 2020. Kjo është nga një popullsi prej afërsisht 190,000 banorësh.

Në Medvegjë, tha Ferati Sachsenmaier, “një numër i madh i këtyre qytetarëve kanë mësuar (sipas deklaratës që kemi marrë) se adresa e tyre është fshirë gjatë votimeve të fundit. Disa kishin letërnjoftime të vlefshme në atë kohë dhe u befasuan kur panë që ishin hequr nga listat e votuesve.”

Kamberi tha se, ndërsa kishte raste në të cilat adresat e serbëve klasifikoheshin gjithashtu si joaktive, ajo është shumë më e zakonshme në mesin e shqiptarëve etnikë.

“Unë besoj se ka të bëjë me ndryshimin e strukturave etnike në mënyrë që votat e shqiptarëve të mos sjellin ndonjë ndryshim”, tha Muharrem Salihu, një këshilltar në asamblenë komunale të Medvegjës dhe, si Ferati Sachsenmaier, një anëtar i Forumit Shqiptar për Zhvillimin Ekonomik në Serbi, AFEDS.

Ferati Sachsenmaier tha se kishte pasur një “rritje të madhe” të rasteve gjatë pandemisë COVID-19, “dhe ne shohim se kjo prirje do të thellohet”.

Beteja gjyqësore

Për të përcaktuar nëse një person po jeton apo jo vërtet në adresën në të cilën ai është regjistruar, policia telefonon atje tri herë. Nëse ai person nuk gjendet në shtëpi, autoritetet mund ta regjistrojnë adresën si joaktive.

Disa shqiptarë etnikë në Luginën e Preshevës, megjithatë, kalojnë disa muaj jashtë vendit çdo vit.

Disa nga ata me të cilët foli BIRN thanë se adresat e tyre ishin regjistruar si joaktive pas më pak se tre vizitave, ose edhe para se policia të kryente qoftë edhe një kontroll.

Teuta Fazliu është e punësuar në qeverinë e Kosovës, por i kalon fundjavat dhe pjesën më të madhe të kohës së pushimeve në qytetin e saj të lindjes Bujanoc.

Fazliu tha se, për shkak të pandemisë COVID-19, ajo e kaloi pjesën më të madhe të shtatzënisë së saj, midis mesit të marsit dhe fundit të shtatorit, në Bujanoc dhe po planifikonte ta lindte fëmijën në spitalin rajonal në Vranje. Më 15 maj, në orën 13:30, ajo mori një thirrje për të dhënë një deklaratë në polici në Bujanoc. Asaj i kërkohej që të mbërrinte atje në orën 10:30 të asaj dite, pra, tri orë para se të mbërrinte thirrja, edhe pse ajo qe në gjendje ta bënte deklaratën e saj.

Dy muaj më vonë, Fazliu u njoftua se adresa e saj ishte regjistruar si joaktive, duke cituar se ajo kishte thënë se ishte martuar me një burrë nga Kosova dhe se nuk jetonte më në Bujanoc. Ajo e apeloi vendimin, por u refuzua nga ministria e brendshme serbe. Fazliu tani po pret një vendim nga Gjykata Administrative e vendit, por është zotuar se, nëse është e nevojshme, do ta ndjekë çështjen deri në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Që nga momenti që mori vendimin dhe deri në shtator, Fazliu shkoi vetëm dy herë në Kosovë. “Policia erdhi për të kontrolluar nëse unë isha në shtëpi vetëm në këto dy raste”, tha ajo, pasi ministria e brendshme e kishte refuzuar tashmë apelin e saj.

Banori i Preshevës Petrit Hajdari po apelon gjithashtu një vendim në të cilin adresa ku jeton ai dhe dy djemtë e tij është regjistruar si joaktive.

Hajdari ka lindur në Kosovë në vitin 1982, por është rritur dhe ka shkuar në shkollë në Preshevë. Ai arriti të merrte një kartë identiteti të Kosovës këtë vit, por djemtë e tij, pa adresë të regjistruar në Serbi, rrezikojnë të mbeten pa shtetësi pasi pasaportat e tyre serbe skadojnë në dy vitet e ardhshme.

Gjatë verës, Hajdari u thirr të jepte një deklaratë në polici. Ai noterizoi dokumentet që tregojnë se familja kishte ndryshuar numrin e shtëpisë së tyre nga 42 në 44, por thotë se policia i tha që ai mund t’i paraqiste ato vetëm kur të jepej një vendim mbi adresën e tij.

Kur ai mori njoftimin se adresa e tij ishte klasifikuar si joaktive, Hajdari tha se ai shkoi në polici për të apeluar vendimin brenda afatit prej tetë ditësh, por oficerët refuzuan t’i pranonin dokumentet, duke thënë se nuk ishin origjinale.

Hajdari planifikon t’i drejtohet ministrisë së brendshme serbe ndërsa kërkon gjithashtu leje qëndrimi për djemtë e tij në Kosovë, “në mënyrë që ata të paktën të jenë në gjendje të udhëtojnë në rajon dhe të vizitojnë dajat e tyre në Maqedoninë e Veriut, nga është gruaja ime, ose të shkojnë në vendlindjen tonë në Preshevë”.

Megjithatë, atij iu kërkua dy herë të shkonte më vonë kur shkoi në komunën e Obiliqit në Kosovë për të pyetur në lidhje me lejet e qëndrimit për djemtë e tij. BIRN pyeti ministrinë e brendshme të Kosovës për problemet me të cilat përballen shqiptarët etnikë nga Lugina e Preshevës në marrjen e lejeve të qëndrimit në Kosovë, por nuk mori asnjë përgjigje.

Një tjetër banor i Medvegjës, i cili foli në kushte anonimiteti, i tha BIRN: “Unë udhëtoj çdo ditë në Luginën e Preshevës dhe kthehem në Fushë Kosovë sepse nuk mund të qëndroj në shtëpinë time në Serbi. Për shkak se adresa ishte regjistruar si joaktive në 2016, autoritetet më shkëputën ujin dhe energjinë elektrike.”

Ai rrezikon të mos jetë në gjendje të udhëtojë në Serbi dhe të punojë në qytetin e tij të lindjes. “Aktualisht, nuk mundem të shes as tokën time atje, në rast se dikush do të interesohej”, tha ai.