ILUSTRIM - FOTO KALLXO: Punëtorët kosovarë

Adresat ku punëtorët raportojnë lëndimet në punë

Punonjësiwve të cilëve u dëmtohet shëndeti gjatë punës në biznese private por edhe në institucionet publike kanë të drejtë të kërkojnë llogari nga punëdhënësi i tyre.

Përpos ligjit civil i cili parasheh kompensime të dëmeve, kodi penal ka paraparë dënime të ashpra ndaj punëdhënësve të cilët nuk i respektojnë rregullat e sigurisë në punë.

Lëndët të cilat nisen në prokurori pas denoncimit të palëve e më pas përfundojnë sipas statistikave trajtohen me urgjencë nga gjykata.

Të dhënat statistikore të publikuara në këtë analizë kanë për bazë të dhënat e hapura nga data baza e të dhënave e krijuar nga BIRN, që ka për  burim të dhënat e hapura të ofruara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës si dhe Agjencia për Ndihmë Juridike Falas.

Të dhënat nga databaza, tregojnë se gjykatat kanë zgjidhur 70 % të rasteve të kësaj natyre në favor të punëtorëve.

Sipas rregullave ligjore nëse një punëtorë lëndohet në punë dhe kjo për çfarëdo lëndimi ai duhet ta denoncoj rastin në inspektoratin e punës dhe në policinë e Kosovës.

Në situatat kur natyra e punës paraqet rrezik për jetën dhe shëndetin e njeriut, punëdhënësi ka për obligim që t’i marr të gjitha masat për parandalimin e rreziqeve.

Pra, një punëdhënës është i detyruar që t’i krijojë kushte të sigurta dhe të shëndetshme punëtorit.

Sipas Ligjit për sigurinë dhe shëndetin në punë, siguria në vendin e punës ka të bëjë me përmirësimin e kushteve, mbrojtjen e shëndetit, përmirësimin e ambientit të punës si dhe mbrojtjen fizike dhe psikike të punësuarve.

Kur i punësuari merr lëndime apo sëmundje, punëdhënësi i bart shpenzimet në qoftë se  nuk e ka realizuar sigurimin shëndetësor. Por, dënimet ashpërsohen nëse në mungesë të kushteve rezulton me vdekjen e një apo më shumë personave në vendin e punës. Për këtë, Kodi Penal i Kosovës ka paraparë dënime me burgim nga 1 deri në 12 vjet.

Katër raste të veprës rrezikimi i sigurisë në vendin e punës të cilat janë pranuar gjatë tri viteve të fundit në Gjykatat e Kosovës janë zgjidhur, ndërsa vetëm  një lëndë pret zgjidhje.

Data baza e të dhënave të hapura tregon se numri i rasteve të sigurisë në punë ka shkuar duke u zvogëluar.

Fillimi i vitit 2017 nisi me katër lëndë të pazgjidhura ndërsa sipas të dhënave gjatë këtij viti u pranua në punë 1 rast i kësaj natyre.

Prej këtyre  lëndëve, për vitin 2017, të dhënat më tej shpalosin se asnjë rast i vetëm nuk u gjykua me vendim lirues, refuzues  si dhe asnjë lëndë nuk u parashkrua.

Vitin 2017, gjykatat e përfunduan me 2 lëndë të zgjidhura e 3 lëndë të pazgjidhura.

Viti 2018 nisi me tri lëndë të pa zgjidhura të trashëguara nga viti paraprak. Nga të dhënat rezulton se edhe në vitin 2018 gjykatat pranuan një lëndë lidhur me sigurinë në punë, që së bashku me numrin e lëndëve të trashëguara e quan numrin në katër lëndë të cilat i kishin në punë gjyqtarët për këtë vit.

Prej këtyre rasteve, në po këtë vit një dënim u shqiptua me gjobë dhe një dënim kusht.

Në vitin 2018 nuk pati asnjë lëndë të vjetërsuar ndërkaq, u përmbyll me 2 lëndë të zgjidhura dhe 2 të pazgjidhura.

Vitin 2019, Gjykatat Themelore në Kosovë sipas statistikave e nisën me 2 lëndë të pa zgjidhura të trashëguara nga viti paraprak. Nga të dhënat rezulton se në vitin 2019 nuk u pranua asnjë lëndë e re.

Nga të dhënat arrijmë të analizojmë se prej dy lëndëve në punë një lëndë ka mbetur e pazgjidhur ndërsa një rast tjetër për sigurinë në punë është ndarë në kompetencë të gjykatës.

Nëse e krahasojmë numrin e lëndëve të sigurisë në punë, kuptojmë që numri i lëndëve të pazgjidhura, ka shkuar duke u zvogëluar paralel me numrin e rasteve të pranuara. Si në vitin 2017, po ashtu edhe ne vitin 2018, gjykatat zgjidhën nga 2 lëndë të natyrës së punës. Vitin pasues gjykatat e përfunduan pa asnjë rast të zgjidhur.

Siguria në punë çka është dhe si zbatohet?

Siguria në punë nënkupton masat parandaluese që kanë synim përmirësimin e kushteve të punës, mbrojtjen e shëndetit të punëtorëve, përmirësimin e ambientit të punës, mbrojtjen fizike dhe psikike të punësuarve.

Me anë të Ligjit për sigurinë dhe shëndetin në punë synohet përmirësimi i shkallës së sigurisë dhe shëndetit të të punësuarve në sektorin publik- privat të nivelit qendror dhe lokal.

Mbikëqyrjen e zbatimit të dispozitave të këtij ligji e bën Inspektorati i Punës.

Por, kur personi fizik dhe juridik nuk i respekton rregullat parashihen dënime më gjobë dhe burgim.

Ligji për sigurinë dhe shëndetin në punë

Ligji për sigurinë dhe shëndetin në punë ka përcaktuar se për shkelje të dispozitave të këtij ligji punëdhënësi do të dënohet në të holla në shumën prej 500 deri në 35,000 Euro.

Ndërkaq, Kodi Penal i Kosovës ka paraparë dënime me burgim.

Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës 

Kodi Penal ka përcaktuar se kushdo që asgjëson, dëmton ose heq pajisjen mbrojtëse nga cilido vend i punës dhe me këtë rrezikon jetën e njerëzve ose shkakton dëm pasuror dënohet me burgim prej 1 deri në 8 vjet.

Ndërkaq, kur personi përgjegjës nuk i instalon pajiset mbrojtëse apo nuk e siguron përdorimin e tyre dhe rrezikon jetën e njerëzve, dënohet me burgim nga 6 muaj deri në 5 vjet.

“Kushdo që është përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës dhe i cili nuk i instalon pajisjet mbrojtëse, nuk i mirëmban ato në gjendje të rregullt për punë, nuk siguron përdorimin e tyre kur është e nevojshme apo nuk vepron në pajtim me dispozitat apo rregullat teknike mbi masat për sigurinë në vendin e punës dhe me këtë rrezikon jetën e njerëzve ose shkakton dëm të konsiderueshëm pasuror, dënohet me burgim prej 6 muaj deri në 5 vjet”-përcaktohet në Kodin Penal.

Por, nëse vepra penale rezulton me vdekjen e një apo më shumë personave, kryesi mund të dënohet me burgim prej 1 deri në 12 vjet.

Ky raport është mbështetur në të dhënat e grumbulluara nga projekti ‘Databaza për luftimin e narrativeve të dëmshme mbi gjyqësorin”.

Programi është përkrahur nga Fondacioni i Mijëvjeçarit në Kosovë (MFK) dhe Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC).

Të dhënat në raport nuk paraqesin qëndrimet e MFK dhe MCC por janë qëndrime të Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese.