A po rrezikojnë hidrocentralet zhdukjen e rrjedhave të lumenjve?

Projektet e ndërtimit të hidrocentraleve kanë ngjallur frikë për shkatërrimin në formën më të egër të lumenjve të Kosovës.

Përballë rrezikut për dëmtimin e rrjedhave të lumenjve dhe rrjedhimisht rrezikimit të furnizimit me ujë të pijes, si dhe të shkatërrimit të ambientit, në pjesë të ndryshme të Kosovës kanë filluar të mbahen protesta kundër këtyre projekteve “investuese”.

Kundërshtimeve të qytetarëve u janë bashkuar edhe drejtues të institucioneve lokale dhe qendrore.

Punimet në lumin Lumbardh në grykën e Deçanit, pastaj lumin Lepenc në Parkun Kombëtar të Sharrit e së fundmi edhe Lumbardhi i Pejës kanë nxitur reagime të shumta nga banorë të zonave dhe aktivistë për mbrojtjen e ambientit.

Gjithçka kishte filluar më 19 shkurt në Komitetin Ndërministror për Investimet Strategjike, kur Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, përmes një publikimi në Facebook ka njoftuar se “KelKos-Energy Peja SH.P.K”, ka përmbushur kriteret për investitor strategjik dhe do të investojë 97 milionë euro në komunën e Pejës.

“Edhe dy investitorë strategjik i kanë përmbushur kriteret teknike për të kaluar në fazën tjetër të vlerësimit nga ana e grupit operacional, të cilin e themeluam sot me vendim të Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike. Subjektet aplikuese “Solar Kosova 2020” dhe “KelKos-Energy Peja SH.P.K” planifikojnë të investojnë në Kosovë 225 milionë euro. “Solar Kosova 2020” planifikon investimin e 128 milionë eurove në Komunën e Obiliqit dhe “KelKos-Energy Peja SH.P.K” 97 milionë në Komunën e Pejës. Të dyja këto projekte në energji alternative”, kishte shkruar ministri në Facebook.

Menjëherë pas kësaj, kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri ka shprehur shqetësimet për këtë projekt përmes një letre drejtuar ministrit Shala.

Muhaxhiri në letër kishte shkruar se Komuna e Pejës ndalon çfarëdo investimi në lumin Lumbardh të Pejës nga investitori “KelKos-Energy Peja SH.P.K”, sepse, siç thuhet, kjo kompani ka shkaktuar dëme të madha ambientale në Grykën e Deçanit.

“Më lejoni që të ju njoftoj, se ky projekt është nga viti 2012-të, dhe ka marrë gjithë këtë kohë sepse, dokumentacioni i cili është miratuar në Komunën e Pejës, pra Plani i Zhvillimit Komunal, kategorikisht e ndalon ndërtimin e hidrocentraleve ose projekteve për prodhimin e energjisë në rrjedhën kryesore të Lumbardhit. Dhe duhet të kemi parasysh, se projektet të cilat janë zhvilluar në anën tonë, e sidomos në Grykën e Deçanit nga po i njëjti investitor, dëmet ambientale kanë qenë kolosale, kështu që ne kemi marrë veprimet tona dhe kemi stopuar çdo komunikim me investitorin”, thuhej në letrën e Muhaxherit.

25 shkurti i këtij viti nxori në sheshin e Pejës mijëra qytetarët e ambientalistë për të kundërshtuar projektin e ndërtimit të pesë hidrocentraleve në lumin Lumbardh.

Ata përmes një proteste nën pankartat ‘Lumbardhi krenari e Pejës’, ‘Politikën e japim, Lumbardhin s’e japim”, ‘Mos ma prek Lumbardhin”, “Jo diga, jo gypa, mbroje natyrën, mbroje turizmin” dhe ‘Jo edhe një lum i vdekur”, kanë ngritur zërin në mbrojtje të Lumbardhit.

Nol Krasniqi, banor pejan, ka shpjeguar tri arsyet se pse ky projekt i menduar në Lumbardh të Pejës është i dëmshëm për qytetarët e Pejës.

“Fillimisht po du me ju tregu që hidrocentrali nuk është hidrocentral klasik që bohet me digë, por është forma më e keqe e hidrocentraleve në botë e që në shumicën e vendeve të Evropës dhe Botës nuk lejohet, është varrosja e lumit ose futja e lumit në gypa, fillimisht krejt shtatit që e kemi në Rugovë mbetet pa ujë sepse investitori e fut krejt ujin në gypa për me përfitu sa ma shumë megavat të energjisë, e dyta është që banorët e Pejës rrezikojnë që me mbet pa ujë sepse në burimin e kemi në fillim të qytetit dhe ato burime në nuk e dimë ku i kanë damarët edhe sendi i tretë është se Peja, 20 vjet pas luftës ka bo përpjekje për me u rrit turizmi dhe tash kemi fillu me ja marrë ato frytet e para turizmit dhe futja e lumit në gypa rrezikon drejtpërdrejt turizmin”, shpjegon Krasniqi.

Shaban Rexhaj, banor rugovas, i frustruar ka shprehur kundërshtimin për ndërtimin e hidrocentralit në Lumbardh.

“Po qysh s’po e kundërshtoj, kah kemi me shku na, qaty e kemi jetën, a bon pa bukë, a bon pa ujë, s’bon. E duhet shumë mu kujtu çka është ka na bën ne, nuk e pranojmë, se pranojmë atë e ka të dekun që bohet ajo punë, veç që na dëmton e me na dëmtu mundet e nuk është e drejtë”, thotë Rexhaj.

Edhe Agron Nikqi, përfaqësues i 17 fshatrave të Rugovës ka treguar për të këqijat që i sjellë ky projekt natyrës së Pejës dhe banorëve të saj. Thotë se ky projekt do të kundërshtohet fuqishëm nga të gjithë banorët, veçanërisht nga ata të Grykës së Rugovës.

“Ne si banorë dhe si trevë se kjo bukuri e Rugovës pa Lumbardhin nuk e ka këtë hijeshi, nuk e ka këtë natyrë dhe është më se i dëmshëm për turizmin, për Lumbardhin, për Pejën për qytetarët, të cilët freskinë e gjejnë në Grykën e Rugovës e duke e pa përvojën edhe në Grykën e Deçanit e dimë që nuk do të ketë ujë në rrjedhën e vet të lumit”, vazhdon mw tej Nikqi.

Nuk ishin vetëm pejanët, ata të cilët kundërshtuan projektin e hidrocentralit. Alben Kola thotë se kufiri shqiptar nuk e ka ndaluar atë të udhëtoj shumë kilometra për të mbështetur banorët e Pejës.

“Arsyeja se pse kam ardhë nga Tirana është pikërisht arsyeja se shkatërrimi që ja bënë natyrës në Shqipëri, por edhe çfarë është më e rëndësishmja këtu në Dardani është turizmi, pasi përmes turizmit ne tregojmë vlerat dhe traditat i kemi këtu si ën Kosovë si në Shqipëri, prandaj është mëse e nevojshme që ky projekt të tërhiqet menjëherë nga qeveria aktuale. Kosova nuk ka nevojë të shkatërrojë asnjë lumë, pasi për Kosovën janë shkatërru lumenjtë e Shqipërisë dhe prodhojmë energji mjaftueshëm edhe për Kosovë edhe për Mal të Zi edhe për të gjithë rajonin, kështu që mbroni këtë thesar e thesari i fundit i Kosovës është Gryka e Rugovës, është lumi Lumbardh dhe janë këto alpe të bukura që i kemi mbrapa shpinës sonë”, thotë Kola.

Pas kësaj, mbi 120 organizata të shoqërisë civile i ishin drejtuar me një letër të hapur Këshillit Ndërministror për Investime Strategjike për ta kundërshtuar idenë që kompanisë “KelKos-Energy Peja SH.P.K”, e cila po synon të ndërtojë hidrocentral në lumin Lumbardh t’i jepet statusi i ‘investitorit strategjik’.

Në letër janë renditur disa arsye se pse këto organizata po kërkojnë që kompania KELKOS të mos marrë statusin e investitorit strategjik dhe rrjedhimisht të mos lejohet ta ndërtojë hidrocentralin në Lumbardh.

Në letrën e dërguar katër ministrave të Qeverisë së Kosovës, Endrit Shalës (MTI), Bedri Hamzës (MF), Fatmir Matoshit (MMPH), Valdrin Llukës (MZhE) dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës thuhet se ky investitor është i njohur për dëmet ambientale që ka shkaktuar në grykën e Deçanit dhe ka shpërdorur statusin e “investitorit strategjik”.

E në anën tjetër edhe Kuvendi Komunal në Pejë me 27 shkurt ka votuar unanimisht duke e mbrojtur me rezolutë futjen e Lumbardhit në gypa.

Kompania “Kelkos Energy” është paditur edhe nga Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në vitin 2016, por që Gjykata Themelore në Prishtinë nuk ka proceduar me rastin.

Kjo kompani ka katër hidrocentrale operative në Deçan, përkatësisht hidrocentralet ‘Lumbardhi’, ‘Belaja’, ‘Deçani’ dhe ‘Lumbardhi II’, megjithëse vetëm hidrocentrali i Lumbardhit është treguar i pajisur me licencë të operimit nga Zyra e Rregullatorit për Energji në Kosovë.

Neni 22 i Ligjit për Investimet Strategjike që mbulon “Transferimin e të drejtës për shfrytëzimin e pronave të paluajtshme publike dhe shoqërore nga investitori i interesuar”, thuhet se Qeveria e Kosovës, me shumicë të thjeshtë votash në parlament, mund të transferojë të drejtën për të përdorur një pronë të paluajtshme në pronësi shoqërore për investime strategjike, qoftë me vetë votimin, ose duke votuar për zbatimin e Ligjit për shpronësim, duke anashkaluar autoritetet komunale.

Ndërtimi i hidrocentraleve gjithashtu në dukje ka vënë institucione të ndryshme qeveritare në konflikt me njëri-tjetrin.

Vlerësimi Strategjik Mjedisor për Planifikimin Hapësinor të Parkut Kombëtar të Bjeshkëve të Nemuna, të publikuar nga Agjencia e Kosovës për Mbrojtjen e Mjedisit, AMMK, një institucion në kuadër të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, MMPH, thotë se: ” Zhvillimi i projekteve të reja të hidrocentraleve duhet të dekurajohet, pasi që ato krijojnë ndikime kumulative në sistemet e lumenjve, në drejtim të prishjes së karaktereve të peizazheve dhe bukurisë së tyre, si dhe ndikojnë në funksionin e habitateve të tyre”.

Zonat e Mbrojtura janë të rëndësishme për ruajtjen e natyrës. Në mënyrë të jashtëzakonshme, rreth 1,000 nga 3,000 projekte hidroenergjetike në Ballkan janë planifikuar në zonat e mbrojtura të tilla si Parqet Kombëtare dhe vendet e Natura 2000 (bën pjesë edhe Kosova në vendet e Natura 2000).

Përderisa pesë hidrocentralet, të cilat po mendohet të ndërtohen në komunën e Pejës, në lumin Lumbardh, specifikisht në Parkun Kombëtar të “Bjeshkëve të Nemuna”, ligji për mbrojtje të natyrës e ndalon “prekjen” e këtij parku, duke ndaluar shfrytëzimin ekonomik të të mirave natyrore. Në pikën tre dhe katër të nenit 11 për parqet kombëtare thuhet që ndalohen shfrytëzimi i natyrës burimore të këtyre parqeve.

“Në parkun kombëtar lejohen punët dhe veprimtaritë me të cilat nuk rrezikohet natyra burimore ndërsa në  parkun kombëtar ndalohet shfrytëzimi ekonomik i të mirave të natyrës”, thuhet në këtë nen.

Çështjet për ndërtimin e hidrocentraleve gjithashtu janë rritur më parë në pjesë të tjera të Kosovës, veçanërisht në Parkun Kombëtar Sharri. Problemet më të fundit kanë ndodhur në komunën e Shtërpcës, ku qytetarët protestuan në dhjetor të vitit të kaluar kundër ndërtimit të një hidrocentrali duke i vazhduar protestat edhe më vonë.

Banorët e Shtërpcës kanë protestuar vazhdimisht kundër ndërtimit të hidrocentraleve në parkun kombëtar Malet e Sharrit.

Sipas banorëve, me punimet që po zhvillohen për ndërtimin e hidrocentralit po dëmtohet rrjedha e lumit dhe cilësia e ujit të cilin e përdorin për pije.

Pas rezistencës së banorëve, me një vendim, Inspektorati komunal i Shtërpcës ka ndaluar përkohësisht ndërtimin e një hidrocentrali në këtë komunë me arsyetimin se “ka ardhur deri te turbullimi i ujit të pijshëm në rezervuar dhe kjo po e përkeqëson furnizimin e banorëve”.

Përkundër qytetarëve të Pejës dhe Shtërpcës, të cilët po rezistojnë me protesta, deçanasit kishin festuar me koncert investimet milionëshe në grykë të Deçanit, duke mos e ditur për dëmet ambientale që këto investime i kanë shkaktuar banorëve.

Angazhimi i kompanisë në projektet e hidrocentraleve si dhe shkaktimi i dëmeve pothuajse të pariparueshme ambientale në Deçan e që po planifikon të investojë në Lumbardh të Pejës, ishte shoqëruar me kritika të larta dhe rezistencë të fortë të komunitetit në rajon.

Fatmir Matoshi, ministër i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në emisionin ‘Jeta në Kosovë kishte deklaruar se asnjë hidrocentral në Kosovë nuk ka leje mjedisore.

Në Serbi, mijëra njerëz janë bashkuar me protesta të vazhdueshme mbi planet për ndërtimin e 60 hidrocentraleve në Parkun Natyror të Stara Planina.

Në Bosnje dhe Hercegovinë, ‘Gratë e guximshme të Krushçicës’ kanë qëndruar në një urë për më shumë se një vit për të parandaluar ndërtimin e një dige dhe për të mbrojtur burimin e tyre të vetëm të ujit të pijshëm.

Në Kosovë ende nuk ka ndonjë studim të mirëfilltë rreth rezervave ujore, por ministri i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, i ftuar në emisionin “Jeta në Kosovë” ka thënë se ende nuk është bërë asnjë studim për resurset ujore të Kosovës, por Kosova bën pjesë në grupin e shteteve të varfra me rezerva ujore në rajon.

Edhe në një studim për lumenjtë e Ballkanit thuhet se 60% e lumenjve në BE nuk kanë një status të mirë ekologjik, gjë që ka çuar në një humbje dramatike në biodiversitetin e ujërave të ëmbla dhe sasinë e vogël të ujërave që mund të kenë lumenjtë.

Sipas studimit “Ruaje zemrën e kaltër të Europës” të Riverwatch, organizatë për mbrojtjen e lumenjve në Ballkan, thuhet se nevoja e hidrocentraleve nuk është e madhe dhe është lehtë e zëvendësueshme me energji të erës edhe të diellit, tejkalon potencialin nga hidrocentralet prej pesë herë!

Sipas kësaj organizate, lumenj janë shumë të vlefshëm për t’i humbur dhe se sistemet alternative të energjisë mund të gjenden për të siguruar një të ardhme ku plotësohen nevojat ekonomike dhe ruhen vlerat mjedisore. Për të ruajtur këto vlera të jashtëzakonshme, planet për ndërtimin e pothuajse 3000 hidrocentraleve thjesht nuk mund të vazhdojnë.