Kriptovaluta, Foto: Dogana e Kosovës/Facebook
A mund të sekuestrohen pajisjet për prodhimin e kriptovalutave?
Sekuestrimi i pajisjeve të cilat prodhojnë monedha virtuale në Kosovë ka ngjallur debat rreth ligjshmërisë së marrjes së përkohshme të pajisjeve, të cilat hasen duke prodhuar kriptovaluta në kundërshtim me vendimin e Ministrisë së Ekonomisë.
Prodhimi apo siç njihet ndryshe si mihja e kriptovalutave nuk është vepër penale dhe rrjedhimisht nuk është e ndaluar me ligj, e që nënkupton se pajisjet e përfshira në prodhimin e tyre nuk mund të sekuestrohen në rast se i kanë përfillur rregullat ligjore në drejtim të zhdoganimit dhe obligimeve tatimore.
Sekuestrimi i këtyre pajisjeve pa mbulesë ligjore rrezikon ta dëmtoj vendin, për shkak se një numër i madh i prodhuesve të cilët arrijnë të dokumentojnë zhdoganimin e pajisjeve dhe pagesën e tatimeve, mund ta ushtrojnë padi dhe të kërkojnë kompensimin e dënimit, i cili mund të jetë qindra e mijëra euro.
Sipas Kodit të Procedurës Penale, sekuestrimit të përkohshëm mund t’i nënshtrohen vetëm sendet të cilat janë fituar me vepër penale, janë përdorur për kryerjen e veprave penale apo kanë ndihmuar në kryerjen e veprave penale.
“Sendet që përkohësisht mund të sekuestrohen janë sende që mund të jenë prova gjatë një procedure penale, sende ose pasuri që kanë mundësuar kryerjen e veprës penale, ose sende që konsiderohen dobi pasurore e fituar me kryerjen e veprës penale dhe për të cilat ligji parasheh sekuestrimin”, përcaktohet në nenin 112 të Kodit të Procedurës Penale.
Më tej Kodi i Procedurës Penale përcakton se në rastet kur këto sende sekuestrohen me urdhër të Prokurorit të shtetit, të njëjtat duhet t’i kthehen pronarit nëse pas 5 ditëve nga sekuestrimi nuk janë aprovuar nga gjykata kompetente.
“Sendet, pasuria, provat apo paratë mund t’i nënshtrohen kufizimit të përkohshëm sipas urdhrit të prokurorit të shtetit që zgjat jo më shumë se pesë ditë nëse zyrtarët e autorizuar të policisë mësojnë për sendin, pasurinë, provat apo paratë e tilla gjatë kontrollit apo arrestit të ligjshëm. Prokurori i shtetit kërkon urdhër të gjykatës nga gjyqtari i procedurës paraprake që është në pajtim me paragrafin 3 të këtij neni”, përcaktohet në KPPRK.
Kohëve të fundit po zhvillohen aksione të shumta për sekuestrimin e pajisjeve të cilat prodhojnë monedha virtuale në Kosovë.
Numri i aksioneve doganore dhe policore në drejtim të sekuestrimit të këtyre makinerive u rrit pas vendimit të Ministrisë së Ekonomisë me të cilin u ndalua prodhimi i kriptovalutave në mbarë vendin.
Më 4 janar të këtij viti, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, mori vendimin për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave, vendim ky i cili bëri bujë jo vetëm në Kosovë por edhe jashtë saj.
Arsyetimi i këtij vendimi ishte kursimi i energjisë elektrike, pasi vendi po përballët me krizë energjetike dhe ka shpallur gjendje emergjente.
Për të zbatuar vendimet e ministrisë për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave u angazhuan institucione të ndryshme të Republikës së Kosovës, si Policia e Kosovës, Dogana, Prokuroria, Administrata Tatimore si dhe KEDS.
Qindra pajisje u sekuestruan përkohësisht përderisa akoma nuk dihet nëse sekuestrimi i tyre ka mbulesë të mjaftueshme ligjore me përjashtim të sekuestrimit nga Dogana e Kosovës, e cila në bazë të ligjit ka të drejtë të sekuestrojë mallin e padoganuar.
Dogana e Kosovës deri me tani ka sekuestruar rreth 400 pajisje për prodhim të Bitcoin-it dhe riga me kartela grafike.
Të gjitha këto pajisje të sekuestruara sipas Doganës së Kosovës nuk kanë qenë të zhdoganuara dhe për këtë shkak janë sekuestruar.
“Vazhdimisht dogana ka aksione lidhur me mallra të kontrbanduara, derisa edhe pajisjet e tilla që nuk kanë mbulesë dokumentare konsiderohen mallrat e kontrabanduara prandaj edhe i nënshtrohen konfiskimit. Dogana i konfiskon vetëm në ato raste që nuk kanë dëshmi se janë zhdoganuar”, thuhet në përgjigjen e Doganës.
Sipas këtij institucioni, aksionet janë ndërmarrë në Prishtinë, Mitrovicën e Jugut, Mitrovicën e Veriut dhe në Komunën e Gjilanit.
“Në Mitrovicë pjesën jugore kanë qenë disa pajisje për prodhim të kriptovalutave me 67 Kartela Grafike, në Prishtine 39 kartela grafike, në Leposaviq janë konfiskuar 272 Antminera (paisje për prodhim të Bitcoin-it)”, thuhet në përgjigjen e Doganës.
Lidhur me aksionet për sekuestrimin e pajisjeve të doganuara të cilat hasen duke prodhuar monedha virtuale në kundërshtim me vendimin e Qeverisë, KALLXO.com ka kërkuar informacione nga Ministria e Ekonomisë dhe Policia e Kosovës.
Policia e Kosovës në një përgjigje përmes telefonit ka theksuar se gjatë kësaj kohe i ka asistuar institucionet e tjera në aksionet e ndërmarra për zbatimin e vendimit të ministrisë.
“Policia e Kosovës nuk ka ndërmarrë aksione për sekuestrimin e këtyre pajisjeve mirëpo vetem i ka asistuar institucionet e tjera në këto aksione”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.
Përderisa përkundër kërkesës, Ministria e Ekonomisë nuk ka dhënë ndonjë përgjigje në lidhje me ligjshmërinë e sekuestrimit të pajisjeve, të cilat janë të doganuara dhe hasen duke prodhuar monedha virtuale në kundërshtim me vendimin e saj.
Në javën e parë të këtij viti, Policia e Kosovës kishte zbatuar një aksion në bashkëpunim me KEDS-in, ku kishte sekuestruar tre aparate për prodhimin e kriptovalutave të cilat ishin hasur duke punuar në kundërshtim me vendimin e Ministrisë së Ekonomisë.
Aksione të tjera ishin ndërmarrë në veriun e Kosovës ku si rezultat ishin sekuestruar qindra pajisje të cilat përdoreshin për prodhimin e kriptovalutave.