Albin Kurti - Isa Mustafa

A i ndërroi fjalët LDK-ja për postin e Presidentit?

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit sollën Lëvizjen Vetëvendosje si forcën e parë politike në vend. E dyta parti politike u rendit Lidhja Demokratike e Kosovës.

Derisa kanë kaluar dy muaj që prej mbajtjes së zgjedhjeve, takimet për formimin e ekzekutivit të ri kosovar nuk kanë sjellë rezultate konkrete.

Harmonizimi i programeve politike u tha se u bë 100%, ndonëse dy partitë janë të ndryshme për nga orientimi ideologjik.

Por, takimi i fundit ndërmjet Albin Kurtit e Isa Mustafës nxori disa mospajtime.

Posti i Presidentit po del të jetë “mollë sherri” për finalizimin e koalicionit qeverisës.

Por, çfarë deklaronin publikisht paria e LDK-së për këtë post?

Gjatë fushatës elektorale, kandidatja për kryeministre nga LDK, Vjosa Osmani, kishte deklaruar se pozita e Presidentit, të cilën e mbanë aktualisht Hashim Thaçi, nuk do të jetë pjesë e marrëveshjeve për koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Ka një kohë të gjatë që unë kam insistuar që çështja e zgjedhjes së Presidentit mos të jetë pjesë e pazareve politike. Pra, patjetër që si parti e parë do të investojmë, në fakt edhe gjatë negociatave për koalicion parazgjedhor, gjithnjë kemi insistuar që pozita e Presidentit mos të jetë pjesë e ndarjes së pozitave në koalicion, por të kemi një lloj marrëveshje paraprake që të kemi kandidat konsensual”, kishte thënë Osmani.

“Më e mira do të ishe që të jetë i pranueshëm edhe përtej partive tona ose e pranueshme, sepse do t’i bënte nderë atij institucioni dhe vetë Kosovës në coftë se aty vendoset një person që ndihmon në krijimin e unitetit të spektrit politik. Absolutisht favorizoj një zgjedhje të tillë dhe për të do të insistoj”, kishte thënë Vjosa Osmani në televizionin T7, e cila është edhe nënkryetare e LDK-së.

Pak pas zgjedhjeve, kur edhe u mor vesh se kush i fitoi zgjedhjet, për postin e presidentit ishte deklaruar edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.

Ai kishte shprehur ambicie për pozitën më të rëndësishme shtetërore sipas protokollit.

“Unë nuk e ka ndonjë përgjigje. Unë s’mund të them publikisht se nuk do të isha i interesuar ose që nuk jam i interesuar të jem President i vendit sepse është një nder i veçantë që dikush me mbyllë karrierën e vetë politike në një përgjegjësi për qytetarët e Republikës së Kosovës”, kishte deklaruar Isa Mustafa.

“Mirëpo, as që jam unë ai që mundem me bë vetën President, as që do ta imponojë veten si President të vendit, në qoftë se partia ime dhe koalicioni qeverisës nesër, në coftë se kam me pasur edhe përkrahjen e opozitës, sepse pa i pasur 80 deputetë Kuvend, që marrin pjesë në raundin e parë, kur zgjidhet, procedura nuk mund të shkoi në zgjedhjen e Presidentit”, thoshte Isa Mustafa.

Madje, i pari i LDK-së kishte deklaruar publikisht që nuk do të kushtëzohej formimi i institucioneve përmes pozitave të caktuara, përfshirë edhe postin e Presidentit të vendit.

“Është çështje që mbetet e hapur, mirëpo në asnjë moment koalicioni me Vetëvendosjen nuk do të kushtëzohet dhe nuk do të imponohet, të themi me, me pozitën, me kërkesa të veçanta, të themi të mijat apo të dikujt tjetër, për pozita të veçanta”, kishte thënë Isa Mustafa në Klan Kosova më 10 tetor të këtij viti.

Por, tash kur gati gjithçka është përafruar për krijimin e Qeverisë së re, posti i Presidentit është rikthyer në tavolinën e negociatave ndërmjet LVV-së dhe LDK-së.

Kandidati për deputet nga LDK, Haxhi Avdyli, ka deklaruar diçka tjetër prej Isa Mustafës e Vjosa Osmanit.

Ai mendon që posti i Presidenti duhet të diskutohet me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Nëse nuk përfshihet atëherë është naivitet politik nëse nuk përfshihet kjo pikë sepse pozita e presidentit është edhe pozitë politike dhe partitë që tani e kanë shumicën nëse këtë nuk e diskutojnë atëherë është naivitet politik apo është “me fut kokën si makushi në rërë” sepse ky problem shumë shpejt pas një viti vjen”, ka thënë ai në një bisedë për KALLXO.com.

I pyetur për deklarimet e Vjosa Osmanit gjatë fushatës zgjedhore, se posti i Presidentit nuk duhet të përfshihet në marrëveshjen për koalicionin qeverisës, Haxhiu thotë se ato janë thjeshtë deklarime të fushatës.

“Deklaratat gjatë fushatës janë të fushatës ndërsa tani janë deklarata që kanë të bëjnë me qeverisjen. Duhet të ndahen ato deklaratat e fushatës. Ka lloj-lloj”, mendon Avdyli.

“Sepse në fushatë ka pasur edhe deklarata të ndryshme të ndarjeve të posteve që janë bërë. Ky koalicion duhet të jetë i mirëbesimit, i bashkëpunimit e jo i kurtheve, prandaj duhet të diskutohet haptas çdo gjë që një partner i caktuar në këtë rast VV apo LDK e ka, duhet të diskutohet. Nëse nuk arrihet të diskutohet atëherë këtu diçka nuk po funksionon”, thotë Haxhi Avdyli.

Se kjo pozitë duhet të negociohet me partinë e Albin Kurtit e ka thënë edhe Avdullah Hoti nga LDK.

Posti i Presidentit aktual në vitin 2014 ishte pjesë e një marrëveshje politike ndërmjet LDK-së dhe PDK-së. Atë botë, Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi u morën vesh që i parti të bëhej kryeministër e i dyti President.

Por, deri më tani, në deklarime publike, Vetëvendosje ka thënë se nuk dëshirojnë që postin e Presidentit ta përfshijë në negociatat për krijimin e Qeverisë së re, të cilës pritet t’i prij Albin Kurti.

Nga zgjedhjet e 6 tetorit LVV mori 29 deputetë ndërsa LDK 28 deputet.

Ja Marrëveshja e Plotë PDK- LDK (Dokument)

www.kallxo.com