A është gati Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës?

Nën mbikëqyrësin kryesor evropian të të drejtave të njeriut, një humbje e Rusisë mund të jetë përfituese për Kosovën.

 

Me largimin e Rusisë nga Këshilli i Evropës, Kosova sheh një mundësi për vete.

Muajin e kaluar, presidentja Vjosa Osmani njoftoi se kishte kërkuar që të bëhen të gjitha aranzhimet e nevojshme për një aplikim për t’iu bashkuar mbikëqyrësit kryesor të të drejtave të njeriut në Evropë këtë vit.

Ky vendim pasqyron ndjenjën e urgjencës për ta konsoliduar stabilitetin në Ballkanin Perëndimor marrë parasysh pushtimin rus të Ukrainës.

Vendimi i Rusisë për t’u larguar nga Këshilli në mes të marsit, duke e parandaluar një vendim për ta përjashtuar atë, hoqi një tjetër pengesë të mundshme për anëtarësimin e Kosovës, por ekspertët thonë se dyshimet brenda dhe jashtë vendit mbi dëshirueshmërinë e anëtarësimit mbeten ende.

Ajo tashmë ka marrë një përgjigje plot zemërim nga Serbia, e cila nuk e njeh ish-krahinën e saj jugore si një shtet të pavarur.

Gëzim Visoka, profesor i asociuar nga Kosova, ligjërues i Studimeve të Paqes dhe Konfliktit në Universitetin e Qytetit të Dublinit, tha se shanset e Kosovës janë të mira.

“Këtë vit, rrethanat kanë ndryshuar dhe Kosova ka shanse të mira për të siguruar mbështetje të mjaftueshme për anëtarësim,” tha ai për BIRN, “por një gjë e tillë kërkon lobim aktiv, përgatitje serioze për anëtarësim dhe investim në ruajtjen e momentumit pozitiv të krijuar pas përjashtimit të Federata Ruse nga Këshilli i Evropës.

Aplikim dhe hakmarrje

Në fillim të majit, kryeministri Albin Kurti, aleat i presidentes Vjosa Osmani, tha në Berlin se Kosova planifikon të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s, një hap drejt anëtarësimit në aleancën perëndimore.

Serbia, aleati kryesor i Rusisë në Ballkan, paralajmëroi për hakmarrje në rast të një aplikimi nga pala kosovare.

“Detyra jonë është ta mbrojmë vendin dhe kushtetutën tonë,” tha presidenti serb Aleksandar Vuçiq më 6 maj. “Përgjigja jonë do të jetë më e fortë se sa disa  e imagjinojnë.”

Përgjigja do të jetë diplomatike, jo ushtarake, tha ai, “por ne do t’i tregojmë dhëmbët tanë”.

Serbia e ka humbur kontrollin mbi Kosovën pasi bombardimeve 11 javëshe të NATO-s me qëllim të dëbimit të forcave serbe të akuzuara për spastrim etnik dhe mizori gjatë një lufte brutale kundër kryengritjes së shqiptarëve etnikë në Kosovë. Beogradi zyrtar refuzon ta njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe për një gjë të tillë e ka mbështetjen e Rusisë e cila e ka të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, në përpjekjen për ta penuar integrimin e saj ndërkombëtar.

Në shtator të vitit 2020, në bazë të një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga administrata Trump në Shtetet e Bashkuara, Kosova u zotua për një moratorium njëvjeçar në përpjekjet për t’iu bashkuar organizatave ndërkombëtare; Serbia gjithashtu u zotua të mos lobojë tek shtetet që ta tërheqin njohjen e Kosovës për të njëjtën periudhë.

 Moratoriumi ka skaduar në shtator të vitit 2021.

Jeton Zulfaj, këshilltar i Kurtit, tha se tani ishte koha e duhur për të kërkuar anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

“Unë mendoj se ne kemi shanse të mira pas largimit të Rusisë,” tha ai për Tëvë TV të martën. Dy të tretat e vendeve që do të votonin tani janë të siguruara në kuptimin që janë vende që na njohin.

Visoka tha se Gjermania dhe një numër i konsiderueshëm i vendeve anëtare të KiE kanë shprehur mbështetje.

“Përsëri, kjo është vendimtare dhe një lëvizje pozitive, e cila duhet të promovohet më tej,” tha ai për BIRN.

“Për më tepër, moratoriumi detyrues me Serbinë për pezullimin e aplikimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare tashmë ka skaduar dhe aplikimi për anëtarësim në KiE është një mundësi e mirë për ta rikthyer besimin e Kosovës në udhëheqje të pavarur të punëve të saj të jashtme.

Asnjë garanci që anëtarësimi do të ndodhë së shpejti

Aplikimi për anëtarësim është një gjë, por në fakt sigurimi i votës për anëtarësim është dicka tjetër.

Në vitin 2013, një raport i grupit për Studime Juridike dhe Politike me seli në Prishtinë, vuri në dukje se Komiteti i Ministrave duhet së pari të miratojë një rezolutë duke kërkuar nga Asambleja Parlamentare opinionin e saj për anëtarësimin.

“Komiteti i Ministrave nuk i kërkoi PACE [Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës] një opinion për Bosnjë dhe Hercegovinën për më shumë se tri vjet pas marrjes së aplikimit të saj,” shkroi instituti, duke shtuar se Kosova duhet të jetë gati për një periudhë të lobimit “shumë të përkushtuar”. 

Visoka vuri në dukje se, “për një periudhë të gjatë kohore”, Kosova ka qenë në gjendje të llogarisë në një numër të mjaftueshëm votash për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës. Mirëpo kjo gjë e ka frenuar aplikimin “për shkak të kufizimeve të jashtme dhe të brendshme”.

“Jashtë, partnerët kryesorë evropianë të Kosovës kanë hezituar ta mbështesin aplikimin e Kosovës në KiE, nga frika se një veprim i tillë do t’i minonte perspektivat për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe do t’i irritonte Rusinë dhe anëtarët e tjerë të KiE që ende nuk e kanë njohur Kosovën”, tha ai. 

“Në aspektin e brendshëm, aplikacioni u kufizua për shkak të një hezitimi nga autoritetet kosovare, nga frika se anëtarësimi eventual i Kosovës në KE do t’i shkaktonte institucioneve të Kosovës kosto të mëdha reputacioni dhe materialialisht, veçanërisht nëse një numër i madh i shkeljeve të supozuara të të drejtave të njeriut do të përfundonin në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.”

Më pas, kishte mungesë të “punës përgatitore serioze” për një aplikim në mes të një periudhe të vazhdueshme pasigurie politike.