A do t’i aneksojë Rusia territoret e pushtuara ukrainase këtë javë

Rusia e ka përfunduar mbajtjen e “referendumeve” në Ukrainën e pushtuar, duke i hapur rrugën një aneksimi të një territori më sovran ukrainas në atë që disa e kanë quajtur një moment “të gjithanshëm” për Moskën.

Kremlini ka kërcënuar se do t’i aneksojë ato territore që në fillim të kësaj jave, ndërkohë që Moska përpiqet ta shantazhojë Ukrainën për ta ndaluar kundërsulmin e saj të suksesshëm. Por me Kievin – i mbështetur nga perëndimi – i vendosur për ta quajtur bllofin e Putinit, si mund të ndodhte e gjithë kjo?

Çfarë po ndodh në Ukrainën e pushtuar?

Rusia përfundoi mbajtjen e një “referendumi” të rremë për territoret e pushtuara të Ukrainës në katër rajone: Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhzhia, në të cilin ata kërkonin që votuesit ta kërkonin anëtarësimin në Federatën Ruse. Ushtarët e armatosur rusë i kanë mkiqyrë votimet në territoret e okupuara të Ukrainës, dhe shumë njerëz që janë mbështetës ndaj qeverisë ukrainase kanë ikur nga kontrolli rus. Ukrainasit e kanë përshkruar atë si një votim të mbajtur nën kërcënimin e armëve.

Siç pritej, Moska i mori “rezultatet” që i dëshiront dhe qeveria ruse tani është gati t’i aneksojë katër territoret, të cilat përfshijnë disa toka që aktualisht nuk janë nën kontrollin rus.

Pse po e bën Putini një gjë të tillë?

Në javët e fundit, Rusia ka humbur terren në fushënbetejë. Një kundërsulm ukrainas që filloi muajin e kaluar kishte kapur më shumë se 3,000 km katror në vetëm disa javë. Trupat e tij ishin dëbuar nga pjesa më e madhe e rajonit të Kharkiv, ku u kishin premtuar vendasve se “Rusia kishte ardhur përgjithmonë” dhe kanë filluar të humbin territoret në Donetsk dhe Luhansk që i kishin mbajtur që para 24 shkurtit. Moska, me këtë rast, u poshtërua.

Analistët thonë se Rusia po i kryen këto aneksime tani për ta ndalur tërheqjen e tyre. Duke i shpallur këto territore pjesë të Rusisë, Moska po kërcënon me një reagim të frikshëm, përfshirë një sulm të mundshëm bërthamor, si pjesë e një lufte mbrojtëse nëse Ukraina nuk i ndalon përpjekjet e saj të suksesshme për t’i çliruar territoret e veta. Duke kërcënuar me një përshkallëzim masiv, Rusia po kërkon t’i ngadalësojë humbjet e saj derisa forcat e saj të mund të rigrupohen.

Cili është afati kohor për aneksimin rus?

Shumë po presin që Putini do t’i drejtohet Këshillit të Federatës të premten, më 30 shtator, me një vendim për aneksimin zyrtar të territoreve të pushtuara. Sipas ligjit, ato traktate fillimisht duhet t’i paraqiten Këshillit të Federatës, organit të lartë të parlamentit rus, dhe më pas Putinit për nënshkrim.

Kjo mund të organizohet në mënyrë të shkurtër. Por tani Këshilli i Federatës ka treguar se nuk do ta mbajë një seancë speciale të premten. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë seanca e ardhshme e planifikuar do të zhvillohet më 4 tetor, e cila është e premtja e ardhshme.

Kjo mund të tregojë se Rusia po pauzon për t’i ndërprerë negociatat me Kievin dhe perëndimin, në mënyrë që ta ngadalësojë përparimin e Ukrainës. Ose se po e teston mbështetjen lokale për një aneksim. Por me pak besim te presidenti rus jashtë vendit, një marrëveshje duket e pamundur dhe aneksimi duket si rezultati më i mundshëm.

Çfarë mund të ndodhë pas aneksimit?

Kjo është pyetja kryesore. Putin dhe zyrtarë të tjerë të lartë kanë sugjeruar se ata do të fillojnë t’i trajtojnë sulmet në rajonet e aneksuara si ato në territorin sovran rus. Ukraina ka kryer tashmë sulme brenda Rusisë gjatë luftës, duke përfshirë sulme shkatërruese në një bazë ajrore ruse në Krime. Megjithatë, Moska po thotë se tani është serioze dhe po kërcënon me një përshkallëzim.

Për sa i përket operacioneve ushtarake, Rusia mund të fillojë të targetojë më shumë qendra popullsie dhe ndërtesa qeveritare me raketat e saj të mbetura, të ngjashme me sulmet që synuan infrastrukturën energjetike të Ukrainës pranë Kharkiv në fillim të këtij muaji.

Moska gjithashtu, ndoshta, mund të fillojë të mbajë stërvitje bërthamore apo edhe të kryejë sulme taktike bërthamore për ta frikësuar perëndimin. Rusia gjithashtu do të dërgojë shpejt njerëzit e mobilizuar në front për t’i mbajtur linjat dhe për ta parandaluar Rusinë që të humbasë më shumë territor nga kundërofensiva ukrainase.

Në vend, Rusia mund të mbyllë kufijtë e saj ose të vendosë ligjin ushtarak në territore të caktuara. Masat e parashikuara nga ligji ushtarak mund të përfshijnë sekuestrimin e pronës, vendosjen e shtetrrethimit, arrestimin e kritikëve të qeverisë, kampet e internimit për shtetasit e huaj dhe masa të tjera të rënda që do ta bënin më tej jetën në Rusi të pasqyronte atë të një shteti totalitar.

Cili është reagimi perëndimor?

Ukraina zyrtare është shprehur  se nuk do ta pranojë shantazhin bërthamor të Rusisë dhe synon t’a çlirojë të gjithë territorin që ka qenë i pushtuar nga Rusia që nga fillimi i luftës. Zyrtarët perëndimorë kanë rënë dakord, duke thënë se i kanë bërë paralajmërime shumë të rrepta Kremlinit që të mos e përshkallëzojë këtë konflikt përmes përdorimit të armëve të fuqishme, duke përfshirë një opsion bërthamor.

Kjo siguron pasiguri të pabesueshme në ditët në vijim. Kur e ka bërë kërcënimin e tij drejtpërdrejt, Putin është shprehur se “ky nuk është një bllof”. Mund të jetë një bllof, por presidenti rus do të jetë nën presion të madh për ta mbajtur territorin që ka marrë.

Cila është përfundimi?

Në terma afatgjatë, Putini duket se ka të njëjtin qëllim: kontrollin politik të Ukrainës. Ndërkhë që para luftës ai thoshte se donte garanci sigurie për mos zgjerimin e NATO-s, tani është e qartë se ai e kërkon ndryshimin e regjimit në Kiev dhe dominimin e së ardhmes politike të këtij vendi.

Aneksimi i territorit në Ukrainën Lindore ndoshta nuk do ta kënaqë atë. Ndërkohë që ai dëshiron ta ndalojë përparimin ukrainas në një afat të shkurtër dhe t’u japë trupave të tij kohë për t’u rigrupuar, shumë presin që ai do të dëshirojë t’i kthehet ofensivës sapo trupat e tij të jenë gati. /The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala