A do të zbulohet identiteti i të infektuarve me COVID-19 në Kosovë? 

Paralajmërimi i kryeministrit Avdullah Hoti për shqyrtimin e mundësisë që “ t’i bëjnë të ditura” rastet e infektimit me COVID-19, ngjalli reagime në opinion në mbrojten e të drejtave të njeriut. Megjithatë, zyrtarë të qeverisë tani janë zotuar se identiteti i të infektuarve me coronavirus në Kosovë asesi nuk do të bëhet publik. 

Ekzekutivi megjithatë po diskuton mënyra të krijimit të një databaze për të parë zonat me shpërndarje të pandemisë.

Pas rritjes drastike të numrave të të infektuarve me coronavirusin e ri në Kosovë, qeveria nuk ka përjashtuar mundësinë e krijimit të një sistemi për të mbajtur në kontroll respektimin e masave për izolim të personave të infektuar.

 Idea e përcjelljes së rasteve me COVID-19 u lansua për herë të parë të mërkurën, nga kryeministri Hoti në një konferencë për media pas takimit me komitetin për vlerësimin e situatës me COVID-19.

 “Po duket se ka nevojë shumë më tepër që të rritet vetëdija e qytetarëve sa i përket seriozitetit të situatës, sepse ka raste që qytetarët që janë testuar pozitiv, nuk kanë qëndruar të izoluar, prandaj jemi duke shqyrtuar mundësinë që eventualisht, në përputhje me legjislacionin në fuqi, të shikojmë mundësinë se si mund t’i bëjmë të ditura rastet që janë me COVID pozitiv, në mënyrë që të parandalohet përhapja e virusit”, kishte deklaruar Hoti 

Kjo deklaratë la hapësirë të interpretohet në opinion se Qeveria do të zbulojë identitetin e personave të prekur. Ndaj deklaratës reagoi edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) duke ia kujtuar Hotit se publikimi i emrave të të infektuarve, pa pëlqimin e tyre shkel Ligjin mbi Privatësinë dhe, në të njëjtën kohë paraqet shkelje të drejtave të njeriut.

“Qeveria e Kosovës duhet të krijojë mundësi që të infektuarit, me vullnetin e tyre dhe në mbrojtje të shëndetit të qytetarëve, ata vet t’i lajmërojnë personat e kontaktit. Ose, pa pasur nevojë të bëjnë publik emrin e të infektuarve mund të formohet një shërbim i cili do të kontaktonte personat e kontaktit, do t’i thërriste për t’ua bërë testin duke iu rekomanduar edhe masat mbrojtëse”, thuhet në komunikatën e organizatës.

Të dhënat personale e në veçanti në situata të ndjeshme mbrohen me Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale. Shkelja e tyre mund t’u kushtojë me gjobë institucioneve,zyrtarëve, mediave e individëve.

Megjithëse nuk dolën me sqarim publik që nga 8 korriku, në një deklaratë për KALLXO.com, qeveria ka mohuar planet për zbulim të identitetit të të infektuarve me virus.

Drejtori i Zyrës për Komunikim Publik në Qeverinë e Kosovës, Xhavit Beqiri, ka deklaruar se kreu i ekzekutivit nuk ka aluduar në publikimin e identitetit të të infektuarve.

Beqiri tha se deri më tani qeveria ka diskutuar edhe mundësinë e një aplikacioni për telefona celular, përmes të cilës qytetarët mund të kuptojnë vendndodhjen e personave të infektuar,  në mënyrë që të parandalohet kontakti dhe përhapja e virusit.

“Gjithmonë duhet të ruhet privatësia e qytetarëve, ka në disa mënyra që janë duke i bë edhe disa vende të tjera përmes telefonit. Qoftë në mënyrë teknike që njerëzit disi të dinë se kush janë në një mjedis të caktuar apo në një lagje/vend që aty i ekspozohen afërsisë së njerëzve që kanë qenë ose janë me COVID-19”, thotë Beqiri.

Ai ka theksuar megjithatë se deri më tani nuk ka asnjë plan konkret veprimi për këtë ide duke theksuar se do ta ruajnë me çdo kusht privatësinë e pacientëve.

“Në kuadër të ligjeve në fuqi duhet të shihet mundësia sepse kjo nuk nënkupton qe duhet dalë ne t’i publikojmë emrat sepse kjo është cenim i privatësisë. Vendet që e kanë teknologjinë e avancuar këtë punë e ka bërë përmes telefonave mobil, ka edhe mënyrë të ndryshme. Të gjitha këto janë në nivel diskutimi që asnjëra mënyrë mos të prek privatësinë e qytetarit por që të ndalohet kontakti i njerëzve që janë me COVID-19”, përfundoi ai.

Privatësia në kohë pandemie dhe shembujt në rajon

Përpjekjet e qeverive nëpër botë dhe rajon për të mbajtur në kontroll përhapjen e virusit vdekjeprurës shpesh kanë rënë ndesh me ruajtjen e të drejtës njerëzore për privatësi.

Në mars të këtij viti, Mali i Zi që ishte shteti i fundit në rajon i prekur nga pandemia vendosi që të publikojë emrat e të infektuarve në mënyrë që të respektojnë masën e vetizolimit.

Sipas qeverisë malazeze ky veprim është ndërmarrë me pëlqimin e Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, e cila ka dhënë aprovim që të publikohen emrat e personave që kanë marrë urdhër të qëndrojnë në vetë izolim.

Ky vendim megjithatë u sfidua në Gjykatën Kushtetuese të këtij vendi nga një OJQ që pretendon se qeveria ka shkelur të drejtat e garantuara njerëzore me zbulimin e identitetit të të infektuarve.

Një vendim eventual që zbulon identitetin e personave të prekur me COVID-19, nga profesionistët shëndetësorë po konsiderohet një masë që do të përkeqësonte shëndetin mendor të personave të prekur.

Psikologia, Azize Daku thotë se një vendim i tillë mund të nxisë “zemërim masiv” dhe “stigmë afatgjate”.

“Një veprim i tillë, qytetarët e vendit tonë nuk do i ndihmonte të e tejkalojnë gjendjen më lehtë, ajo do e rëndonte edhe më shumë gjendjen psikologjike të tyre, do të ndihmonte në rritje të stigmës edhe më shumë, si dhe diskriminim më të lartë të komuniteteve të caktuara”, vlerëson Daku.

Ajo shton se banorët mund të ndjejnë pasiguri për shkak të politikave të pasigurta qeveritare.

Megjithëse nuk ka hapa konkret për krijimin e databazës së të infektuarve në Kosovoë, në fund të qershorit, qeveria e udhëhequr nga Hoti ka ndërmarrë disa masa kundër COVID-19 mes tyre edhe kufizimin e lirisë së lëvizjes.

Nga data 6 korrik duke filluar nga ora 21:00 deri në orën 05:00 është ndaluar qarkullimi i personave fizikë jashtë vendbanimeve të tyre në komunat e Prishtinës, Prizrenit, Ferizajt dhe Vushtrrisë.

Kurse lokalet e gastronomisë, me vendimin e fundit janë  mbyllur nga ora 21:00 deri në orën 05:00 në gjitha komunat. 

Jashta kësaj periudhe lejohet veprimtaria të jetë vetëm në ambiente të hapura ose “take aëay” apo “merre me vete”.

Këto vendime janë marrë pas rritjeve drastike të numrit të rasteve me COVID-19 dhe vdekjeve. Deri më tani numri i të infektuarve me COVDI-19  ka arritur në 4307, prej tyre 2095 janë shëruar dhe 94 kanë vdekur.