Ilustrimi: Kallxo.com

A do kandidojnë politikanët me aktakuza në zgjedhje

Dorëheqja e kryeministrit Ramush Haradinaj gati një muaj më parë dhe kërkesa që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, kanë bërë që partitë politike në vend të nisin një parafushatë elektorale, edhe pse data për zgjedhje nuk është shpallur ende.

Në anën tjetër, disa zyrtarë e pjesëtarë të subjekteve politike ndonëse kanë aktakuza për vepra të ndryshme penale, vazhdojnë t’i mbajnë funksionet e trye partiake e institucionale, ndërsa pritet që të njëjtit të jenë edhe pjesë e listave të ardhshme zgjedhore, duke synuar qeverisjen nacionale.

Por njohës të çështjeve politike në vend, vlerësojnë se insitucioneve të Kosovës u nevojiten njerëz me “duar të pastra”, edhe pse sipas tyre, nuk pritet që të ketë ndryshime nga vitet e kaluara.

Valmir Ismaili, drejtor në organizatën e pavarur “Demokraci Plus” (D+), sqaron aspektin ligjor të kandidimit në zgjedhje të personave me aktakuza.

“Ligjërisht, çdokush që nuk ka ndonjë aktvendim të formës së prerë për vepra penale në tri vitet e fundit mund të garojë në zgjedhje sepse vlenë parimi i prezumimit të pafajsisë. Pra aktakuzat nuk janë të mjaftueshme që dikujt t’i mohohet garimi në zgjedhje”, thekson ai për Gazetën Jeta në Kosovë.

Mirëpo, sipas Ismailit nëse jo vetë kandidatët, do të duhej që partitë politike të distancoheshin nga njerëzit që kanë probleme me ligjin dhe të njëjtit të mos garojnë derisa të ketë një vendim të prerë për rastet e tyre.

“Fatkeqësisht, përkundër proklamimit, partitë politike kanë dështuar që këta njerëz fillimisht mos t’i lejojnë që të marrin pozita brenda subjekteve të tyre politike e më pastaj e njëjta praktikë të zbatohej edhe në zgjedhje si nacionale apo lokale”, shton më tej ai.

Ismaili ndër të tjerash potencon, se njerëzit që kanë probleme me ligjin, për shume arsye nuk do të duhej të ishin pjesë e listave zgjedhore të subjekteve politike.

“Duke i parë parapërgatitjet që po bëhen nga subjektet politike, nuk pritet që të ketë ndryshime nga vitet e kaluara dhe njerëz të tillë priten që prapë të jenë në lista zgjedhore”, thotë ai.

Ndërkaq, analisti politik Haki Abazi thotë për Gazetën JnK, se është koha që në insitucionet e Kosovës të zgjidhen njerëz me integritet dhe me “duar të pastra”.

“Kjo duhet filluar nga parlamenti. Asnjë individ dhe asnjë parti nuk duhet lejuar që të përfshihen në lista njerëz që kanë aktakuza apo janë të dyshuar. Funksionimi i shtetit varet nga integriteti i individëve dhe insitucioneve që kanë po ashtu integritet dhe llogaridhënie të plotë”, vlerëson ai.

Sipas Abazit, tash e në disa mandate parlamentarët kanë ndërruar parti sikur të ishin lojtarë sportiv.

“Në politikë nuk është qëllimi që të rritet çmimi i parlamentarit, por duhet të matet integriteti dhe arritja e rezultateve konkrete në kalimin dhe zbatimin e ligjeve në të mirë të qytetarëve. Nuk është e mundur që politikanët të lejohen që të hyjnë në politikë të varfër dhe të dalin milionerë. Krimi fillon nga politika dhe ky krim dhe korrupsion duhet ndërprerë”, shtoi analisti politik.

Abazi thekson se zgjedhjet e ardhshme duhet të jenë referendum për demokracinë, meritokracinë dhe llogaridhënien.

Vetëdijësimi i munguar qytetar në zgjedhje

Para mbajtjes së zgjedhjeve, qytetarët e Kosovës janë ata të cilët në vazhdimësi deklarohen se duan ndryshime në qeverisje në mënyrë që të ketë zhvillim ekonomik, vende pune dhe mirëqenie sociale.

Megjithkëtë, njohësit e zhvillimeve politike vlerësojnë se mungon vetëdijësimi i tyre për të mos votuar zyrtarë partish që kanë aktakuza.

Valmir Ismaili (D+), thotë se një pjesë e madhe e problemit qëndron edhe në faktin se qytetarët në masë të madhe i kanë votuar njerëzit që kanë pasur problem me ligjin.

“Kjo ka qenë shtytje për subjektet politike që të njëjtit t’i fusin në lista edhe në zgjedhjet pasuese. Nëse qytetarët do të kishin një vetëdije më të lartë dhe mos të votonin njerëzit e tillë, atëherë subjektet politike nuk do të kishin motiv për t’i futur ata në lista”, tha ai për Gazetën Jeta në Kosovë.

Sipas Ismailit, qytetarët në këto zgjedhje do të duhej të ishin më vigjilent dhe të mos votonin njerëz që kanë probleme me ligjin, sepse siç thotë ai, kjo po ndikon edhe në performancën e institucioneve, në këtë rast Kuvendit të Kosovës.

Edhe analisti politik Haki Abazi thekson, se qytetarët para zgjedhjeve të ardhshme duhet të jenë sy hapur.

“Një votë e shitur sjell ardhmëri të shitur, një votë e drejtuar drejt individëve me integritet do të thotë e ardhme më e mirë dhe e dinjitetshme për ta dhe fëmijët e tyre”, thotë ai për Gazetën JnK.

“Pastërti” në listat zgjedhore për deputetë të partive politike, ishte kërkuar edhe para zgjedhjeve të kaluara parlamentare të vitit 2017.

Ish-përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar në një intervistë për Emisionin Jeta në Kosovë, në fund të 2016-s, pati bërë thirrje për ndërrim të klasës politike duke larguar politikanët të përfshirë në afera korruptive.

“Ne duhet t’i shohim politikanët që janë nën hetime, apo që kanë aktakuza të ngritura apo që akuzohen në gjykatë, jashtë politikës. Do të ishte mirë të kemi politikanë që janë rol modele, pra kemi nevojë për politikanë që janë promovues të duarve të pastra, që luftojnë korrupsionin”, kishte thënë Zhbogar.

Megjithëatë, subjektet politike në lista zgjedhore atë botë, kishin përfshirë edhe zyrtarë që kishin aktakuza apo ishin dënuar për vepra të ndryshme penale.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë çështje.

PDK Kandidon në Han të Elezit të Dënuarin për Mashtrim me Vota

Naser Osmani Prish ‘Pastërtinë’ e Listës së Koalicionit Rreth LDK-së

Humbesit e zgjedhjeve marrin pozita në degët e PDK-së

Limaj nuk tregon nëse do i fus në listë kandidatët me aktakuza

Aktakuzë për Rastin ‘Pronto’