
Hashim Thaçi në seancën e jashtëzakonshme të 26 shkurtit 2016, kur u votua si president | Foto: Hashim Thaç/FB
9 vjet prej kur Hashim Thaçi u zgjodh President
Nëntë vjet më parë, fytyra kryesore e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hashim Thaçi ishte përzgjedhur të jetë njeriu i parë i Kosovës, President i vendit. Fillimi nuk e zuri fundin, pasi që mandati i mbeti i papërfunduar, për shkak konfirmimit të Aktakuzës ndaj tij dhe dërgimit në Hagë – atje ku tash mbi 4 vjet po përballet me akuzat për “krime lufte”.
Kthim pas, Thaçi në po këtë datë, më 26.02.2016, në seancën e jashtëzakonshme që nisi një orë më vonë, mes tensioneve, protestave dhe gazit lotësjellës kishte arritur t’i marrë 71 vota për t’u bërë President me mandat pesëvjeçar. Tek në tentativën e tretë, ai arriti të marrë votat e mjaftueshme për karrigen presidenciale. Kundërshtar për President kishte pasur vetëm bashkëpartiakun e tij, Rafet Rama.
Shkurti 2016 mbahet në mend si një muaj që ishte përcjellë me shumë zhurmë për përzgjedhjen e Presidentit, pasi që Thaçi nuk gjente mbështetjen e opozitës, e përbërë nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma për Kosovën, si dhe as të një grupi prej 6 deri në 8 deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), që në atë kohë bashkëqeverisnin së bashku.
Në dy raundet e para të votimit të rregullt ashtu siç e përcaktojnë procedurat e Kushtetutës së Kosovës, Thaçi nuk i kishte marrë votat e mjaftueshme, apo ⅔ e deputetëve. Në herën e tretë që kërkohet një shumicë e thjeshtë e votave (61 vota), nga minimalisht 80 deputetë sa duhet të marrin pjesë në votim, ai arriti t’i sigurojë votat, por vetëm me ndihmën e atëkohë kryeministrit Isa Mustafa, partnerit të tij në Qeveri.
Midis gurëve që goditnin dritaret e Kuvendit të Kosovës dhe protestës me gaz lotsjellës që krijohej brenda sallës nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), si revoltë kundër përzgjedhjes së tij, për t’ia bërë votat Thaçit, Mustafa, që atëkohë ishte edhe Kryetar Lidhjes Demokratike të Kosovës, kishte shkuar ulëse më ulëse te deputetët e partisë së tij për t’ia siguruar votat Presidentit.
Kundërshtimet e opozitës, me protesta e lotsjellës brenda Kuvendit të Kosovës, në mënyrë që të pengohen seancat kishin nisur që nga muaji shtator i vitit 2015 të cilët kishin kërkuar shfuqizimin e Marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe Demarkacionin për shënjimin e kufirit me Malin e Zi.
“Hashim Thaçi po bëhet President me bekimin e Vuçiqit.” – kishte thënë atëkohë kryetari i LVV-së, Visar Ymeri, duke thënë se Thaçi ka nënshkruar Marrëveshje të jashtëligjshme me Serbinë.
Përkundër se mbahet mend si një nga kryengritjet më të mëdha politike të paspavarësisë në Kosovë, kundër formimit të një institucioni, Thaçi kishte arritur synimin e tij dhe në fund të seancës ishte zgjedhur President. Pas gati dy muajsh, më 07.04.2016, kishte dhënë betimin dhe kishte pranuar zyrtarisht detyrën nga ish-presidentja, Atifete Jahjaga.
Në fjalimin e tij të parë si President i zgjedhur i Kosovës, Thaçi kishte thënë se detyra e re në krye të shtetit “është një besim për një detyrë dhe përgjegjësi për t’i shërbyer vendit dhe qytetarëve të Kosovës”.
Thaçi nuk kishte arritur që ta çojë në fund mandatin. Më 05.11.2020, ai dha dorëheqje pas ngritjes së Aktakuzës ndaj tij nga ana e Prokurorisë së Dhomave të Specializuara.
Pas njoftimit për ngritjen e Aktakuzës nga ana e Speciales në qershor 2020, Thaçi ishte zotuar se do të japë dorëheqje nëse Aktakuza ndaj tij konfirmohet.
“Ashtu siç kam premtuar, nuk do të lejoj që para gjyqit të dalë Presidenti. Unë sot jap dorëheqje nga pozita e Presidentit të Republikës së Kosovës. Ftoj forcat politike të dëshmojnë maturinë që kërkon koha dhe të mos lejojnë të thellohemi në krizë kushtetuese e institucionale.” – ishte shprehur ai në Konferencën e fundit për media në Prishtinë.
Pas dorëheqjes së tij posti i Presidentit i kishte kaluar atëkohë kryeparlamentares Vjosa Osmani si ushtruese e detyrës, ashtu siç e përcakton Kushtetuta. Më pas, Osmani ishte përzgjedhur si Presidente e Kosovës me mandat të rregullt në vitin 2021 – pozitë që vazhdon ta mbajë ende.
Kjo nuk ishte hera e parë që Thaçi nuk arriti ta përfundojë mandatin. Mandati i kishte mbetur në gjysmë edhe dy herë si Kryeministër dhe një herë si Ministër i Punëve të Jashtme.
Para se të arrestohet në Hagë, Thaçi kishte mbajtur pozita kyçe në institucionet qendrore të Kosovës.
Në Zgjedhjet parlamentare të 17.11.2007, Hashim Thaçi ishte zgjedhur Kryeministër i Qeverisë së Kosovës. Ai lexoi Deklaratën e Pavarësisë, më 17.02.2008.
Hashim Thaçi në Hagë
Më 05.11.2020, Hashim Thaçi u transferua në Hagë, me urdhër të Gjykatës Speciale pas konfirmimit të Aktakuzës. Procesi gjyqësor ndaj tij është duke vazhduar ende.
Gjykata Speciale ishte miratuar më 03.08.2015, pas pretendimeve të raportuesit të Këshillit të Evropës Dick Marty në vitin 2010, në lidhje me krimet e pretenduara të kryera nga anëtarët e UÇK-së. Thaçi si President i vendit e kishte mbështetur zëshëm krijimin e kësaj Gjykate.
“Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe donatorët e tjerë kanë ofruar mjete domethënëse për zhvillimin e kësaj infrastrukture fizike të Gjykatës në Hagë.” – kishte shkruar Thaçi në letrën dërguar Sekretarit Pompeo.
Ndaj letrës së Thaçit, Pompeo është përgjigjur duke thënë që “heqja ose dëmtimi i strukturës së punës ose lokacionit të Dhomave të Veçanta ose Prokurorisë së Specializuar, në çfarëdo mënyre, do ta dëmtonin seriozisht kredibilitetin dhe reputacionin ndërkombëtar të Kosovës.
Më 26.07.2020, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte publikuar një Aktakuzë të pakonfirmuar në të cilin pretendohej se ish-presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentari Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për afër 100 vrasje.
Madje, Prokurori i Specializuar e kishte konsideruar të domosdoshme nxjerrjen e njoftimit publik për akuzat, për shkak të “përpjekjeve të përsëritura të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit për pengimin dhe sabotimin e punës së Dhomave të Specializuara të Kosovës”.
Sipas Aktakuzës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar, pjesëtarë të UÇK-së, gjatë periudhës mars 1998 – shtator 1999 kishin kryer krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit – duke arrestuar dhe ndaluar persona civil në mënyrë të paligjshme; duke i trajtuar në mënyrë mizore, torturuar dhe zhdukur.
Në këtë Aktakuzë thuhet se Thaçi dhe të tjerët nxitën sulmet ndaj kundërshtarëve dhe nxitën vrasjen e tyre.
Sipas Prokurorisë, krerët e UÇK-së përmes deklaratave publike dhe veprimeve në terren frikësuan, denigruan, eliminuan kundërshtarë dhe kërkuan të pozicionoheshin si i vetmi zë dhe si i vetmi përfaqësues legjitim i shqiptarëve të Kosovës.
Aktakuza pretendon se pas një ofensive serbe, forcat e UÇK-së në Llapushnik kishin arrestuar afërsisht 30 persona dhe se disa prej tyre më pas ishin lënë të lirë, ndërsa të tjerët ishin qëlluar e vrarë.
Arsyeja se pse krerët e UÇK-së akuzohen për krimet dhe vrasjet e sipërmendura, sipas Prokurorit të Specializuar, është përgjegjësia komanduese.
Më 06.12.2024, Gjykata Speciale ka njoftuar për një Aktakuzë të re kundër Hashim Thaçit.
Për Aktakuzën e re Hashim Thaçi është deklaruar se nuk e pranon fajësinë.
Sipas Aktakuzës, Thaçi, si dhe Hajredin Kuqi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj e Fadil Demaku akuzohen për “ndikim në dëshmitarë”.
Rruga e Thaçit
Karriera politike e Thaçit filloi me angazhimin e tij në Lëvizjen Popullore të Kosovës (LPK) – lëvizje politike kjo që synonte emancipimin e pozitës së shqiptarëve në ish-Jugosllavi – sipas biografisë në uebfaqen e Presidencës.
Si student i Historisë në Universitetin e Prishtinës, Thaçi u bë lider i Lëvizjes Studentore në periudhën mes viteve 1990 dhe 1993.
Në vitin 1993, Thaçi u largua nga Kosova për të marrë azil politik në Zvicër. Atje u bë anëtar themelues i organizatës politiko-ushtarake, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Nga viti 1997, Thaçi ishte udhëheqës i Drejtorisë Politike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Nga kjo pozitë, ish-Presidenti kishte kryesuar delegacionin e Kosovës në Konferencën Ndërkombëtare të mbajtur në Rambuje, nga 6 deri më 22 shkurt 1999.
Pas luftës, në kohën kur Kosova po administrohej nga misioni i Kombeve të Bashkuara, UNMIK, Hashim Thaçi ishte Kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës nga 1999 – 2000.
Në fundin e vitit 1999, ai u zgjodh Kryetar i Partisë së re për Progres Demokratik, më vonë mori emrin Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e këtë pozitë e ka mbajtur deri më 26.02.2016 – ditën kur u zgjodh President.
Pas dorëheqjes së Thaçit nga kreu i PDK-së, këtë detyrë e kishte marrë Kadri Veseli.
Në vitet 2005-2007 Thaçi ishte anëtar i Ekipit të Unitetit, që përfaqësoi Kosovën në procesin negociator të udhëhequr nga Emisari Special i OKB-së, presidenti Martti Ahtisaari, i cili negocioi statusin politik të Kosovës.
Para se të bëhej President, Thaçi ka qenë një vit Zëvendëskryeministër i Parë dhe Ministër i Punëve të Jashtme (2014-2015), si dhe Kryeministër i Republikës së Kosovës në dy mandate (2007-2014).