8 muaj pas fillimit të COVID-19, ShSKUK me tender për hartimin e projektit për sistem të oksigjenit

Tetë muaj nga fillimi i pandemisë COVID-19 në Kosovë, ShSKUK do të harojë projekt për mungesat e sistemit të Oksigjenit në Spitalet Rajonale.

Shërbimi Spitalor Universitar i Kosovës ka nënshkruar kontratë për “Hartimin i projektit për Gazra Medicinale nëpër Spitalet Rajonale në Kosovë”.

Sipas njoftimit në e-prokurim, ShSKUK ka planifikuar të shpenzojë 9 mijë e 999 euro, ndërsa çmimi kompanisë së cilës i është dhënë kontrata arrin shumën 6 mijë e 400 euro.

Në dokumentacionet e publikuara në E-Prokurim, ky hartim i projektit do të bëhet në disa spitale regjionale pasur parasysh se nuk janë të kompletuara me të gjitha nevojat për nevojat e sistemit të gazrave medicinale.

Kompania e cila është zgjidhur fituese është Grup i Operatorëve Ekonomik DEA GROUP SH.P.K.; PROing&Partners SH.P.K.

Sipas dokumenteve, ky projekt do të hartohet për Spitalin Regjional të Gjilanit, Vushtrrisë, Mitrovicës, Podujevës, Pejës, Gjakovës.

Spitali Rajonal Gjakovë do të bëhet hartimi i projektit për 82 kyçje me sistemin e Oksigjenit (O2),  82 kyçje me sistemin e ajrit të komprimuar, 82 kyçje me sistemin e vacuumit.

Në Spitalin Rajonal të Pejës do të bëhet hartimi i projektit për 94 kyçje me sistemin e Oksigjenit (O2), 94 kyçje me sistemin e ajrit të komprimuar, 94 kyçje me sistemin e vacuumit.

Në Spitalin Rajonal  të Gjilanit do të bëhet hartimi i projektit për 84 kyçje me sistemin e Oksigjenit(O2),  84 kyçje me sistemin e ajrit të komprimuar, 84 kyçje, me sistemin e vacuumit.

Në Spitalin Rajonal të Ferizajt do të bëhet hartimi i projektit për 34 kyçje me sistemin e Oksigjenit (O2), 34 kyçje me sistemin e ajrit të komprimuar, 34 kyçje, me sistemin e vacuumit.

Në Spitalin Rajonal të Mitrovicës do të bëhet hartimi i projektit për 66 kyçje me sistemin e Oksigjenit(O2), 66 kyçje me sistemin e ajrit të komprimuar, 66 kyçje, me sistemin e vacuumit.

Në Spitalin Rajonal të Vushtrrisë do të bëhet hartimi projektit për 30 kyçje me sistemin e Oksigjenit(O2), 30 kyçje me sistemin e ajrit të komprimuar dhe 48 kyçje, me sistemin e vacuumit.

Në Spitalin Rajonal të Podujevë do të bëhet hartimi i projektit për 31 kyçje me sistemin e Oksigjenit(O2), 31 kyçje me sistemin e ajrit të komprimuar, 27 kyçje, me sistemin e vacuumit.

Sipas dokumenteve ky projekt pritet të hartohet për tre muaj kur edhe do të skadojë kontrata.

Përmes këtij projekti pritet të kryhet analizë e lokacionit ekzistues dhe specifikat e hapësirës ekzistuese ku parashihet investimi, e cila  përfshin përcaktimin e kapacitetit ekzistues, numrin e kyçjeve, sistemin gypor dhe të gjitha elementet përbërëse të sistemit dhe një numër tjetër të punëve teknike të instalimit dhe zgjerimit të rrjetit të gazrave medicinale.

Kosova tashmë ka hyrë në muajin e nëntë që kur janë paraqitur rastet e para të pandemisë COVID-19.

Deri më sot, që nga 13 marsi janë nfektuar 24 mijë e 792 persona, janë shëruar 16 mijë e 226 persona ndërsa kanë vdekur 768 perosna të infektuar me COVID-19.

Numri i pacientëve në Kosovë, që po kërkojnë ndihmë mjekësore nga sëmundja COVID-19, po rritet çdo ditë. Kjo ka ardhur si rezultat i rritjes së numrit të të infektuarve me koronavirusin e ri javëve të fundit.

Gjatë së enjtes, më 5 nëntor, është shënuar numër rekord i rasteve nga fillimi i pandemisë, duke arritur në 661 persona të infektuar në 24 orët e fundit. Ndërkaq, autoritetet raportuan edhe për gjashtë viktima.

Pacientët me COVID-19 (sëmundjen që e shkakton koronavirusi), janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive, Pulmologjike dhe atë të Mjekimit Qendror Intensiv të Qendrës Klinike Universitare. Spitalet rajonale, po ashtu, trajtojnë pacientët me koronavirus.

Aktualisht, më shumë se 70 pacientë, që janë të shtrirë në Qendrën Klinike Universitare, janë në gjendje të rëndë, ku katër prej tyre janë vendosur në respiratorë, e 67 po trajtohen me oksigjenoterapi.

Drejtoresha e Klinikës Infektive në QKUK, Lindita Ajazaj-Berisha, thotë për Radion Evropa e Lirë se numri i të shtrirëve në këtë klinikë po varion çdo ditë, dhe mesatarja e atyre që pranohen gjatë natës janë rreth dhjetë pacientë, por që i njëjti numër lirohet të nesërmen dhe kjo rutinë vazhdon.

Në Klinikën Infektive, thotë Ajazaj-Berisha, janë 120 shtretër në dispozicion.

“Janë rreth 110 pacientë në klinikë. Por, jo të njëjtit mbesin të shtrirë, meqë disa lirohen, pra ata që janë në gjendje më të mirë për t’u trajtuar në shtëpi, derisa të tjerë frekuentojnë klinikën dhe varësisht nga gjendja shtrihen ose lirohen. Por, ajo çka mund të them është se kapacitetet tona aktualisht janë të mjaftueshme”, tha ajo.

Anesteziologu Nehat Baftiu duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se në Mjekimin Intensiv ku po trajtohen pacientët në gjendje të rëndë nga COVID-19, situata është mjaft e rënduar. Kjo për shkak se dhjetë mjekë anesteziologë dhe dhjetë infermierë janë të infektuar me koronavirus.

Rrjedhimisht, vëllimi i punës është shtuar shumë, thotë Baftiu, sipas të cilit çdo të dytën ditë, mjekët anesteziologë kujdestarojnë, për shkak të mungesës së stafit.

“Kemi angazhuar katër anesteziologë në Klinikën Infektive dhe atje është hapur Mjekimi Intensiv për shkak që të pakohet numri i pacientëve në Mjekimin Intensiv Qendror. Kjo për arsye se ka pacientë me trauma të ndryshme edhe pa COVID-19”, thotë ai.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se këtë vjeshtë, Evropa duhet të jetë e përgatitur për më shumë vdekje nga COVID-19, kjo pasi ka filluar të rritet numri i të infektuarve në Evropë, e që rrjedhimisht parashihet të ketë më shumë vdekje.