‘600 milionë euro dëm ekonomik’ nga pandemia, parashikon Besnik Bislimi

Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, ishte pjesë e emisionit televiziv ‘Jeta ne Kosove’ të BIRN të enjten, duke i bërë të ditura parashikimet ekonomike dhe adresimin e zbatimit të pakos fiskale emergjente në Kosovë, si pasojë e pandemisë koronavirus.

Në një intervistë ekskluzive për emisionin e BIRN ‘Jeta ne Kosove’ ditën e enjte, Ministri në detyrë i Financave, Besnik Bislimi, adresoi pyetje të shumta që kanë të bëjnë me të ardhmen e ekonomisë kosovare pas shpërthimit të koronavirusit në vendin tonë.

Duke folur me moderatoren Jeta Xharra, Bislimi shpjegoi se akoma është shumë herët për të folur se deri në çfarë mase sektori privat i Kosovës do të ndikohet nga masat e bllokadës. Megjithatë, ai tha se ministria të cilën  e udhëheqë po bën çmos për ta zbutur goditjen që e kanë pësuar kompanitë të cilat janë prekur që nga mbyllja e kufijve si dhe mbyllja masive e lokaleve afariste.

Ministri deklaroi se qeveria aktualisht është duke bërë procesimin e dhjetëra mijëra aplikimeve për ndihmë financiare të bëra nga bizneset dhe individët, si pjesë e pakos emergjente fiskale nga qeveria e projektuar për zbutjen e  efekteve të pandemisë.

Pakoja, e bërë publike në fund të marsit, parashihej të ofrojë subvencione për qiradhënësit deri në 50 përqind për bizneset e vogla dhe të mesme, dhe të bëjë mbulimin e pagave të punonjësve deri në shumën prej 170 euro në muaj.

Qeveria ka ndarë 170 milionë euro për 15 masa, të cilat gjithashtu përfshijnë transferimin e pagesave të dyfishta për muajt prill dhe maj për përfituesit ekzistues të skemave të ndihmës sociale të Kosovës, si dhe një plotësim pagash prej 300 eurosh për punonjësit e ekspozuar direkt ndaj rrezikut të infektimit me virusin gjatë kryerjes së detyrave të tyre përgjatë prillit dhe majit. Ministria e financave ka thënë se 43 prej 170 milionë eurove në pakon  emergjente janë shpenzuar deri më tani.

“Jeta në Kosovë”: Intervistë me Besnik Bislimin dhe debat me shqiptarët në Amerikë

Përveç shpenzimeve të bëra nga pakoja, ministri i financave deklaroi se koronavirusi do t’i kushtojë qeverisë edhe miliona euro të tjerë nga humbjet në të hyrat financiare.

“Kemi vlerësuar se dëmi ekonomik në Kosovë do të arrijë afërsisht 600 milionë euro,” shpjegoi Bislimi, duke shtuar se këto të dhëna vijnë nga një parashikim ekonomik i prezentuar në mënyrë që të aplikohet për mbështetje financiare ndërkombëtare. “Ky skenar parashikon një rënie ekonomike prej 10 përqind në krahasim me vitin e kaluar.”

Ministri deklaroi se Qeveria e Kosovës ka marrë një kredi në vlerë 52 milionë euro nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, FMN, dhe 100 milion euro nga Komisioni Evropian. Pasi u pyet për përgjegjësinë fiskale të marrjes së një shume kaq të lartë borxhi në këtë kohë, përgjigja e ministrit Bislimi ishte se kjo varet nga rritja e ardhshme ekonomike.

“Ne nuk mund të fitojmë para nga hiqgjëja,” tha ai. “Se sa do ta rrisë kjo borxhin publik, krejt varet nga ajo se sa do të jetë rritja ekonomike vitin e ardhshëm. Derisa të zbulohet vaksina, bota po flet vetëm për rimëkëmbje, dhe ata po thonë se meqenëse ekonomia ka rënë me shpejtësi, do të ketë një rritje të shpejtë.”

Dorëzimi i pakos emergjente

Ministri Bislimi e pranoi se ka pasur disa ndërhyrje në zbatimin e pakos fiskale emergjente në Kosovë. Përgjegjësit për përpunimin e kërkesave për ndihmë sociale për të papunët, në veçanti për përpiqen të përballojnë vëllimin e madh të aplikimeve që e kanë pranuar qysh nga fillimi i bllokadës në Kosovë.

“Ndarja e ndihmës sociale nuk është adresuar asnjëherë si përparësi nga qeveria paraprake,” tha Bislimi. “Disa nga këto departamente nuk kanë as kompjuterë, dhe tani ata kanë pasur një fluks prej 70,000 kërkesash. Ata kurrë nuk kanë parë kaq shumë kërkesa në krejt historinë e tyre brenda këtij departamenti. ”

Bislimi deklaroi se rreth 30 përqind e aplikacioneve të përpunuara deri më tani e kanë kaluar fazën e verifikimit, dhe do të duhej ti kishin pranuar pagesat këtë javë. Ai shtoi se dy qytetet me aplikimet më të suksesshme të mirëqenies individuale ishin Lipjani dhe Prizreni, dhe i gjashti si më i suksesshmi, ishte Leposaviqi.

Sidoqoftë, ai bëri me dije se shumë aplikacione kanë dështuar për shkak të gabimeve teknike në procesin e aplikimit, ose për shkak se individët që kanë aplikuar për ndihmë sociale tashmë kanë qenë subjekt të përfitimeve përmes një skeme tjetër sociale apo edhe përmes anëtarëve të familjes.

Bislimi po ashtu përmendi se në disa komuna veriore ishin paraqitur disa probleme gjatë procesit të verifikimit për aplikantët që kërkojnë 130 euro në muaj për shkak të “kushteve të këqija sociale” – siç parashikohet në masën 15 të pakos emergjente.

Procesi kërkon deklarime mbi statusin e punësimit të familjes, pasi është i hapur vetëm për ata që janë deklaruar si të papunë nga një institucion përgjegjës dhe të cilët nuk janë përfitues të ndonjë të ardhure mujore nga buxheti i Kosovës. “Verifikimi i statusit të anëtarëve të familjes në komunitetet serbe nuk mund të konfirmohej, e që doli të ishte një problem me të cilin ne hasëm,” vuri në dukje Bislimi.

Sidoqoftë, ministria i konfirmoi BIRN se aplikantët serbë të Kosovës do të merrnin një lloj konfirmimi nga qeveria në gjuhën serbe.

“Do të dëshiroja t’ju konfirmoj se të gjitha aplikimet dhe pyetjet e pranuara në gjuhën serbe kanë marrë përgjigje në gjuhën serbe”, tha Ilir Aliu, zëvendësministri i financave i cili dha një përgjigje pas debatit në pyetjen e parashtruar nga një qytetar.

Ministri i Financave bëri të ditur se ka shumë individë që janë duke u përpjekur të abuzojnë me skemat e përshkruara në pakon emergjente duke aplikuar pa i përmbushur kriteret e listuara në pakon qeveritare.

“Unë nuk do të lejoj që kjo masë të keqpërdoret. Nëse ka keqpërdorim duhet ta ndalojmë atë,” tha ai. “Disa njerëz thjesht përpiqen të testojnë sistemin për të parë nëse mund të marrin para. Eshtë detyrim ndaj tatimpaguesit që t’i identifikojë ata. ”

Bizneset kishin më shumë të ngjarë të abuzonin me sistemin sesa individët, tha ai, sepse shumica e bizneseve që kishin aplikuar e bënë këtë si ndihmë në pagimin e punonjësve të tyre – një masë e cila, për ata që ende operojnë gjatë masave të bllokadës, ishin në gjendje të aplikonin bazuar në numrin e të punësuarve që ata kanë si dhe nivelin e rrezikut ekonomik ndaj të cilit janë të ekspozuar.

“Qëllimi ynë ishte t’i ndihmojmë ata në mënyrë proporcionale deri në atë shkallë në të cilin është ndikuar biznesi i tyre. Ata nuk mund të aplikojnë për t’i mbuluar pagat për të gjithë punonjësit e tyre atëherë kur nuk ishin prekur fare,” shpjegoi Bislimi. “Le të themi se unë jam pjesë e një biznesi prodhimi të pijeve. Mund të them se jam prekur sepse bizneset nuk kanë blerë pije nga unë. Janë ekipet që e bëjnë një vlerësim për këtë. ”

Ekonomia informale ka qenë prej kohësh një temë në vete në Kosovë, me shumë punëdhënës që kanë refuzuar t’i regjistrojnë punëtorët në të kaluarën për të shmangur pagimin e taksave dhe pensioneve.

Sidoqoftë, për të qenë subjekt i ndihmës financiare me paga nga pakoja emergjente, punëtorit i kërkohet një kontratë nga punëdhënësi. Kjo ka bërë që të kemi rreth 15,000 kontrata të reja pune të krijuara në dy muajt e fundit për punëtorët të cilët, më parë njiheshin si pjesë e asaj që njihet si “ekonomia gri”.

Bislimi u përball me atë nëse ka gjasa që këta punonjës të regjistroheshin thjesht sa për përfitime financiare për bizneset – dhe nëse tendenca e punësimit informal, pa kontrata ose regjistrim të ligjshëm, do të vazhdonte pasi bllokada të lehtësohej.

“Kjo pako jep udhëzime se si duhet të bëhet implementimi i saj,” u përgjigj Bislimi. “Pakoja operacionale thotë që nëse pas disa muajsh punonjësit nuk i marrin rrogat e tyre, punëdhënësit duhet ti kthejnë paratë.”

Ministria e Ekonomisë ka instaluar një linjë telefonike (080044440) në mënyrë që të marrë raporte nga banorët e Kosovës lidhur me abuzimin e masave financiare në Kosovë, si dhe të kërkojë sqarime në lidhje me këtë skemë. Ministri Bislimi i inkurajoi njerëzit që të telefononin.

“Dikush na ka raportuar se kompanitë e pastrimit që punojnë në QKUK po i zëvendësojnë emrat e punonjësve në listë pra emrat e atyre që do të përfitojnë paga shtesë me emrat e menaxherëve dhe pronarëve të kompanisë! Ne kemi ndërhyrë,” tha ai. “Zyra ime është e hapur për të dhënë këshilla dhe për të pranuar ankesa njëkohësisht.”

Puna e ministrisë së financave në pritje për shkak të COVID-19

Ndërkohë që zyra e tij po vazhdon me implementimin e pakos emergjente, shumë prej përgjegjësive ditore të Ministrisë së Financave janë shtyrë për një kohë të pacaktuar tashmë.

Sipas ministrit, planet për hetimin e korrupsionit brenda Administratës Tatimore të Kosovës dhe përcaktimin e objektivave të reja për mbledhjen e taksave gjithashtu do të duhet të presin deri në kohën kur pandemia deklarohet si e përfunduar. “Janë planifikuar masa të reja disiplinore, por unë nuk mund të lë pakon emergjente dhe të merrem me reformën e AKM-së për momentin,” deklaroi ministri.

I pyetur në lidhje me masat e parashikuara reciproke të Qeverisë së Kosovës me Serbinë, Bislimi tha se planet për ti zhvilluar këto masa këtë javë janë ndalur, porse do të vazhdohen në të ardhmen pasi Serbia ende nuk i ka lehtësuar kufizimet e saj ekonomike mbi Kosovën.

Sidoqoftë, ministri Bislimi nuk ishte në gjendje të përshkruajë se si do të zbatohen saktësisht masat reciproke. “Unë nuk mund ta them një gjë të tillë derisa të mos ketë një marrëveshje në nivel qeveritar, dhe kur e bëjmë këtë kjo do të varet nga mundësitë që do ti kemi në dispozicion” tha ministri i financave. “Ju nuk mund ta imagjinoni sa punë kemi për momentin.”

Lehtësim në kufizimin e bllokadës gjatë fluksit të diasporës

Sipas ministrit Bislimi, diaspora kosovare i ka dhënë donacion  më shumë se gjysmë milioni euro shtetit të Kosovës pas shpërthimit të pandemisë koronavirus në muajin mars. Megjithatë, këto para nuk janë futur brenda pakos fiskale emergjente.

“Ka pasur një vendim të brendshëm nga ministria që të mos përdoren këto para për pakon emergjente dhe ato të përdoren për blerjen e pajisjeve mjekësore në mënyrë që njerëzit të dinë se çfarë është blerë me këto donacione,” tha ai.

Bislimi shtoi se banorët e Kosovës nuk duhet të shqetësohen për një rënie ekonomike të shkaktuar nga mundësia e mosardhjes në Kosovë të diasporës gjatë muajve të verës. “Remitencat nga diaspora vazhdojnë me të njëjtën normë si vitin e kaluar, dhe ne nuk mund ta vlerësojmë sa duhet këtë fakt,” tha ai. “Diaspora duhet të vijë në Kosovë me të njëjtin ritëm ashtu siç ka bërë në kushte normale, pasi që kufijtë e Gjermanisë dhe të Zvicrës do të rihapen së shpejti dhe do të ketë përsëri fluturime të rregullta.”

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik do të lehtësojë kufizimet për njerëzit që hyjnë në Kosovë gjatë gjithë verës sa më shumë që të jetë e mundur, vuri në dukje ministri Bislimi duke shtuar se atyre nuk do t’u kërkohet të kalojnë një periudhë karantinimi dyjavor pas arritjes së tyre në Kosovë.

“Së shpejti karantinimi do të reduktohet në vetëm një javë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik po punon në nxjerrjen e një vendimi që do t’i lehtësojë këto rregulla edhe më tej në të ardhmen e afërt,” tha Bislimi.

Bislimi gjithashtu u pyet nga një qytetar, pjesë e audiencës, në lidhje me hapjen e shkollave dhe çerdheve – një pyetje ekonomike pasi shumë gra nuk do të jenë në gjendje të kthehen në punë më 1 qershor për shkak të mungesës së kujdesit për fëmijët.

“Ne nuk mund t’i zgjidhim të gjitha çështjet e një krize shëndetësore me masa ekonomike,” tha Bislimi. “Por unë ju siguroj, nëse shikojmë listën e përfituesve nga skema emergjente, 60 përqind e përfituesve do të jenë gra.”

 

Kjo seri e debateve është mbështetur dhe financuar nga UNMIK. Programi pasqyron vetëm pikëpamjet e individëve.