50 Kërkesa në Muaj për Shkurorëzim

Pas afër 13 vitesh martesë, çifti  A. A. dhe Sh. J. vendosën të zgjidhnin mospajtimet e tyre me shkurorëzim, më 17 prill. 

Trupi gjykues i Themelores i drejtuar nga gjyqtari Nehat Idrizi shpalli zgjidhjen e çështjes martesore me marrëveshje të palëve.  

Në një aktgjykim tjetër të vitit 2012, edhe një çift ishte ndarë me marrëveshje “me ndërmjetësimin e miqve dhe dashamirëve” pasi nuk kishte gjasa që martesa të mbahej. 

“Lidhja bashkëshortore është përkeqësuar deri në atë masë sa që jeta e tyre e përbashkët është bërë e padurueshme”, thuhet në aktgjykim. 

“Në fillim, palët kanë pasur raporte të mira, por më vonë kanë filluar të përkeqësohen për shkak të mentaliteteve dhe botëkuptimeve të ndryshme”.

Shkurorëzimet në Kosovë kohëve të fundit janë pjesë e zakonshme e procedimeve gjyqësore për dallim prej të kaluarës së afërt kur ndarja ishte më e sfiduar nga botëkuptimet konservatore në shoqëri.  

Siaps statistikave të gjetura nga Gazeta Jeta në Kosovë në nëntë komuna të Kosovës – Prishtinë, Kaçanik, Ferizaj, Shtërpcë, Lipjan, Shtime, Fushë-Kosovë, Obiliq dhe Podujevë – numri i lëndëve të pranuara për shkurorëzim ka qenë më i ulët gjatë vitit 2000 kur ishin regjistruar 351 kërkesa. 

Më 2001, kishte pasur 412 kërkesa. 

Gjendja ka ndryshuar më tej në vitin 2002 ku gjykata ka pranuar 546 lëndë, pastaj në vitin 2003 kur janë regjistruar 692 lëndë. Gjatë vitit 2005 dhe 2006 janë regjistruar 626, përkatësisht 676 lëndë. 

Viti 2007 ka shënuar kulmin e kresave me 717. 

Më 2008, janë regjistruar 709, ndërsa më 2009, 2010 dhe 2012 numri ka qenë mbi 600. 

Nga këto statistika del se në ish Gjykatën e Qarkut në Prishtinë në vitet e fundit janë paraqitur mesatarisht rreth 50 kërkesa për shkurorëzim brenda një muaji.

Në Kosovë e drejta e martesës por edhe e shkurorëzimit rregullohet me Ligjin mbi Familjen . 


Gjykata Themelore në Prishtinë duke vendosur shkurorëzim

Gjyqtari i Gjykatës Themelore në Kosovës, Nehat Idrizi, thotë se mosmarrëveshjet në martesë zgjidhet në dy forma.

“Është forma e anulimit të martesës dhe shkurorëzimit”, tha Idrizi. “Anulimi i martesës bëhet kur që në fillim martesa është e pavlefshme p.sh. nëse martesat lidhen në mes personave të gjakut, nëse martesa është lidhur nën ndikimin e dhunës, kërcënimit, kanosjes ose edhe të mashtrimit. Ndërsa shkurorëzimi bëhet kryesisht me anë të padisë dhe me propozim të përbashkët për zgjidhjen e martesës”.

Gjyqtari shpjegoi se procedura për shkurorëzim fillon së pari me tentim-pajtim, pastaj me ndërmarrje të masave të përkohshme dhe ndërkohë fillon edhe shqyrtimi kryesor ku shikohen faktet dhe provat. 

Por a zbatohen këta hapa gjithmonë?

“Zakonisht rastet që janë me pajtueshmëri të bashkëshortëve zgjidhen brenda një seance gjyqësore, ndërsa ato procese që kanë të bëjnë me kujdestarinë e fëmijëve marrin kohë më të gjatë dhe fillohet së pari me seancën e tentim-pajtimit mes çifteve e deri te shqyrtimi i provave, e më pas aktgjykimi në fund”, thotë Idrizi. 

Ai tregoi se shkaqet më të shpeshta të shkurorëzimit në Kosovë janë mos-durimi i ndërsjellët mes bashkëshortëve, tradhtia bashkëshortore, dhuna në familje, lënia në pakujdesje ose në gjendje të mjerueshme të bashkëshortit, rastet kur kryhet vepra penale etj.

Gjyqtari Idrizi tregoi se në këtë gjykatë shumë rrallë ka raste të ndarjes së pasurisë.

“Në praktikë kryesisht këto çështje palët i zgjidhin në procedurë kontestimore”, pohoi Idrizi.

Raste të ngjashme hasen edhe në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

“Por disa raste janë fiktive dhe nuk paraqesin gjendjen reale të bashkëshortëve sepse kanë qëllime për rregullimin e dokumentacionit në botën e jashtme”, tha gjyqtari i divizionit civil të Gjykatës Themelore në Ferizaj, Fejzullah Rexhepi.

Gjyqtari tjetër Enes Mehmeti thotë se “kur rastet paraqiten me propozim”, gjyqtarët e dinë se janë fiktive. “Ato raste zgjidhen shpejt, ndërsa kur kemi lëndë që janë me padi, ato marrin kohë sepse janë çështjet e fëmijëve dhe alimentacionet. Zakonisht në këto raste është vështirë të vendoset me një seancë”, tha Mehmeti.

Në Gjykatën Themelore në Ferizaj në tre muajt e parë të këtij viti janë paraqitur 71 kërkesa për zgjidhje të martesës. Prej tyre  24 janë zgjidhur, kurse 48 janë ende në procedurë.

Sociologu Besim Gollopeni, i cili është marrë me studimin e familjes, thotë se procesi i shkurorëzimit në Kosovë ka motive të përziera.

“Ndër shkaktarët kryesorë që çon drejt shkurorëzimit (29.8 për qind) është tradhtia bashkëshortore”, thotë Gollopeni, duke prezantuar një studim të tij. “Më pastaj mospërshtatja e karakterit (25.9 për qind), implikimet familjare (përzija e anëtarëve tjerë në jetën bashkëshortore) me 14.3 për qind, emigracioni (11.7 për qind), situata ekonomike (6.5 për qind) dhe raste të tjera (11.7 për qind)”

Ai shtoi se një ndër shkaqet mjaftë prezente në shkurorëzimin e çifteve në Kosovë është edhe prezenca e dhunës familjare, posaçërisht e dhunës së ushtruar ndaj gruas nga ana e bashkëshortit ose nga anëtarët tjerë të familjes së bashkëshortit.

Sociologu Gollopeni tha se shkurorëzimi lë pasoja të pashlyeshme në jetën familjare e sidomos te fëmijët dhe nënat.

“Pasojat që më së shumti vijnë në shprehje pas shkurorëzimit janë zvogëlimi i aftësisë reproduktive të femrës, heqja dorë nga rimartesa, heqja dorë nga lindjet në rimartesë, paraqitja e stresit – mërzisë, kujdesi i pamjaftueshëm i fëmijëve, suksesi i ulët në mësime i fëmijëve të prindërve të shkurorëzuar, dhe krejt në fund përhapja e dukurive negative si  prostitucioni, droga, alkooli e dukuri tjera”, tha ai.

Ndër tjerash sociologu Gollopeni tha se jeta e personave të shkurorëzuar në kontekstin e shoqërisë sonë përcillet edhe me një ndikim të madh të stigmatizimit dhe izolimit social të tyre.