48 Orët Pa Ujë - Fajësohet Kompania e Ndërtimit

Një gyp uji me diametër prej 350 milimetrash dhe me kapacitet 250 litra ujë në sekondë, që furnizonte me mijëra shtëpi dhe biznese në Prishtinë e që gjendet në rrugën Lordi Bajron ose në lagjen e Muhaxherëve, është prishur të martën e kaluar dhe pati pasoja të prekshme për qytetarët.  

Uji i rrufeshëm krijoji një gropë edhe më të madhe prej asaj që shkaktoi shembja e dheut nga pakujdesia e kompanisë ndërtuese. Si pasojë, 40 për qind e Prishtinës mbeti pa ujë për më shumë se dy ditë. 

Nuk kishte të lënduar, por shumë banorë të asaj rruge mbeten pa shtëpi për tri ditë. Në ndërkohë, shërbimi i ujit për lagjet në Dardani, Ulpianë, lagjen e Muhaxherëve dhe një pjesë e Dodonës nuk u rregullua gjer të enjten. 

“Nuk kishte asnjë ndihmnë nga komuna. Ata nuk ndjenë asnjë përgjegjësi ndaj nesh”, tha Zejnel Shala, 60 vjeçar, i cili jeton përball vendit ku është shkaktuar shembja e dheut. 

Zyrtarët e kompanisë regjionale të ujit të Prishtinës dhe komuna e Prishtinës fajësuan kompaninë “El Construction” e cila ishte duke gërmuar për ndërtimin e objektit dhjetë katësh, me rreth 60 banesa. 

Një raport nga një grup i inxhinerëve të komunës thotë se muri mbrojtës – në themelet e hapura – ishte i dobët dhe si rrjedhojë kishte krijuar shembje të dheut. Kjo dhembje kishte prishur gypin e ujit po ashtu. 

“Rrëshqitja e dheut ka rrezikuar jetët dhe pronën e qytetarëve përreth lokacionit ku janë zhvilluar punimet”, shkruan në raportin e komisionit të lëshuar të enjten. 

Komuna e Prishtinës i ka lëshuar leje ndërtimi kompanisë El Construction më 27 maj. Ajo i kushtoi kompanisë 186,177 euro. 

Gazeta Jeta në Kosovë ka rënë në kontakt me kompaninë “El Construction”, me pronar Hasan Guney Demir, përmes agjencisë së regjistrimit të bizneseve të Kosovës, ARBK. 

Në numrin e paraqitur u lajmërua një personi që tha se më nuk ishte pjesë e kompanisë por se pyetjet do t’i delegojë përkthyesit të pronarit turk të kompanisë.

Gazeta nuk mori asnjë përgjigje përkundër disa tentimeve që të bie në kontakt me pronarët e kompanisë. 

Komisioni komunal ka pezulluar punët e kompanisë për një kohë. I ka kërkuar asaj që të mbush hapësirën e shembur me gur natyralë dhe po ashtu të sjellë një mendim eksperti për sigurinë e vinçit. 

Më tutje, Behxhet Musliu, drejtor i urbanizmit në komunën e Prishtinës, tha se kompania ka punuar jashtë parametrave të ndërtimit. 

“Luga e bagerit ka gropuar më shumë se vija e lejuar e ndërtimit. Ajo vijë është kapërcyer”, tha Musliu. 

Arberie Zogiani, zëdhënësja e kompanisë së ujit, tha se El Construction ishte në dijeni se po punon afër një gypi kryesor të ujit.

“Ata kanë ditur vendndodhjen e gypit dhe i janë afruar shumë gjatë gërmimit”, tha Zogiani, e cila shtoi se zakonisht kompanitë ndërtimore janë furnizuar me harta dhe skica të gypave të ujit.  

“Kompania do të bëjë ankesë në organet kompetente dhe do të kërkojë dëmshpërblim të dëmeve”, tha Zogiani. 

Një banor i lagjes, Rexhep Krasniqi, tha po ashtu se do të bëjë një padi në emër të lagjes në lidhje me incidentin. 

“Nuk do të ndalemi. Do të dërgojmë këtë rast në gjykatë dhe do të kërkojmë fajtorin”, tha Krasniqi. 

Gjersa komuna e Prishtinës fajëson ekskluzivisht kompaninë ndërtimore, arkitekti i pavarur Ylber Vokshi thotë se komuna jep leje të ndërtimit në mënyrë shabllone dhe nuk përcjell punimet në terren. 

“Komuna duhet të jetë më rigoroze në dhënien e lejeve dhe të inspektojë më shumë vend punishtet”, tha Vokshi.  

Ferit Fazliu, njëri nga autorët e komisionit komunal dhe inspektor në drejtorinë e urbanizmit, refuzoi të flasë i pyetur nëse inspektorët komunalë kanë vizituar vendin e ndërtimit para incidentit. 

Vokshi, një kritikues i shpeshtë i praktikave të planifikimit urban në Kosovë, tha se incidenti i kësaj jave i ngjan një tjetri që ka ndodhur në mars, kur shembja e dheut në një vendpunim në lagjen Dardania dëmtoi rrethojen e një çerdheje të fëmijëve që gjendej në afërsi. 

Në një tjetër rast, qendra e Prishtinës pati humbur ujin e pijshëm pasi që ekipet e ndërtimit prishen një gyp të ujit gjatë punimeve në sheshin Zahir Pajaziti.

Incidenti i fundit i javës së klalruar ndërpreu ujin për rreth 40 për qind të Prishtinës për përafërsisht dy ditë të plota, gjersa ekipi i kompanisë ujit ka montuar një gyp të përkohshëm të enjten.

Që nga fundi i luftës, projektet ndërtuese kanë prishur gypat e ujit kohë pas kohe, por asnjë si kjo e fundit, tha zëdhënësja e kompanisë së ujit Zogiani. 

“Ky është rasti më i rëndë deri më tani”, tha ajo. 

Gjersa banorët e Prishtinës ballafaqohen me reduktime të ujit gjatë natës, dhe disa orë gjatë ditës, për shumë banorë këto dy ditë ishin të vështira. 

Banorët me kova dhe shishe ishin bërë rend tek një stacion në parkun e qytetit për të mbushur ujë, javën e kaluar. Marigona Boshnjaku ishte njëra nga ata.

“Ishte shumë e vështirë për ne qytetarët”, tha Boshnjaku. “Nuk ishim të informuar për reduktimet dhe nuk kishim mundësi për të mbushur rezervat e ujit më herët. Fatkeqësisht, ishte problem edhe për të blerë ujë pasi që nuk kishte në markete”.

Jasin Vertopi, i cili erdhi në parkun e qytetit pët të mbushur ujë me veturën e tij, tha se praktikat nuk kanë ndryshuar në mbushje të ujit pasi që ata e bënin atë zakonisht te shtëpia kur uji ndalet përkohësisht gjatë ditës. “Tani, kemi ndryshuar vetëm vendin”, tha Vertopi.

Reduktimet e ujit, si nga ky incident nuk janë gjë e re për banorët e Prishtinës. Nga orët e vona të mbrëmjes – zakonisht nga ora 11 e natës  gjer në mëngjes, rreth orës 5 ose 6 – shumica e shtëpive dhe bizneseve janë pa ujë të pijshëm. Reduktimet ndodhin edhe gjatë ditës, për disa orë, në disa lagje. 

“Furnizimi me ujë 24 orë pa ndërprerë tani për tani është i pa mundur për arsye të mungesës së kapacitetit të prodhimit për t’u përballë me nevojën në rritje të konsumit”, tha Zogiani. 

Sipas planit të biznesit 2013-2016 të kompanisë së ujit, kyçjet ilegale dhe konsumi i tepërt nga zonat periferike dhe fshatrat gjithashtu mundojnë furnizimin me ujë. 

Por kompania është duke planifikuar që të ofrojë 24 orë ujë në vitin 2016 ose në vitin 2017 me krijimin e fabrikës së tretë shtesë. Fabrika e ujit do të ndërtohet në Shkabaj, rreth gjashtë kilometra nga Prishtina, me kapacitet prodhimi prej 700 litrave për sekondë.

Fabrika do të kushtojë 35 milionë euro, me 20 milionë fonde nga huaja prej Bankës gjermane për zhvillim, KfW, e cila ka nënshkruar kontratë me kompaninë e ujit në qershor të vitit 2012.  

Komisioni Europian, qeveria e Kosovës dhe komuna e Prishtinës kanë zotuar secila nga pesë milionë euro. 

Kompania gjermane “Dorch” është kontraktuar për të përgatitur tenderin për ndërtimin e fabrikës së ujit. 

Ilir Abdullahu, drejtor teknik në kompaninë e ujit, tha se kompania do të përgatisë edhe specifikat teknike për fabrikën që do të kompletohen për gjashtë muaj. 

“Sipas konsultave që kemi, fabrika e ujit do të jetë gati në vitin 2016 ose në fillim të vitit 2017”, tha Abdullahu.