Arkiv - Gjykata Themelore e Pejës

4 vjet në kërkim të drejtësisë, lënda shkon drejt parashkrimit

Një rast penal i kanosjes që dyshohet se ka ndodhur në gusht të vitit 2017 në Bjeshkët e Istogut, arrin parashkrimin absolut këtë muaj.

Për afër 4 vjet, institucionet e drejtësisë nuk po arrijnë t’i japin epilog këtij rasti.

Kështu me rastin e parashkrimit pas disa ditëve, për të akuzuarit nuk do të ketë një vendim që i gjen fajtor ose i liron nga akuza për shkak të pafajësisë.

KALLXO.com me rastin e analizimit të dosjes së lëndës, ka gjetur se vepra e kanosjes, dyshohet se ka ndodhur në vitin 2017 ndaj të dëmtuarit Enver Hasanaj.

Për këtë rast, Prokuroria e Pejës po akuzon në bashkëkryerje Tahir Arifaj, Eshref Arifaj, Bashkim Arifaj, Rexhë Arifaj dhe Enver Arifaj.

“Ska me të dalë mirë as ty e as neve”, “As këtu as kërkun, kur të vish nesër ndryshe”, “Skem ma besë, a don me ia nisë prej qetij sekondi, dy minuta i ki me e dhezë xhipin”, “Mos na qo fellutave” janë disa nga fjalët kanosëse që të akuzuarit dyshohen se i kanë drejtuar të dëmtuarit Enver Hasanaj.

Dosja e prokurorisë thotë se të akuzuarit kanë kërkuar nga i dëmtuari që t’i ndërpres punimet në një tokë, tokë që ata po pretendojnë se është e tyre.

Kallëzimi penal me shkresa të lëndës i është dorëzuar Prokurorisë së Pejës më 18 gusht të vitit 2017.

Prokuroria për më shumë se një vit, nga dita e pranimit të kallëzimit penal, nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për fillim të hetimeve, apo hedhjes së kallëzimit penal.

Kështu vetëm në tetor të vitit 2018 ka filluar hetimi penal për këtë rast, ku prokurori Muharrem Bajraktari ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve.

Pasi lënda ka qëndruar në prokurori për 1 vjet e 7 muaj, në mars të vitit 2019 është ngritur aktakuza ndaj të akuzuarve e lënda me shkresa i është dorëzuar Gjykatës së Pejës, Dega në Istog.

Lënda nga prilli i vitit 2019 është në gjykim, pa arritur të marrë një epilog meritor.

I dëmtuari Hasanaj, i pakënaqur me këtë zvarritje, ka ngritur shqetësimet për zvarritjen e procesit gjyqësor dhe rrezikun për parashkrim të lëndës.

Kryetari i Gjykatës, Armend Berisha, ka pranuar këtë ankesë nga i dëmtuari përmes Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Berisha ka vlerësuar se gjyqtari nuk e ka zvarritë qëllimisht procedurën penale, pasi ka caktuar diku rreth 10 seanca gjyqësore, duke përmendur edhe pamundësinë për veçim të procedurës për shkak se vepra dyshohet të jetë kryer në bashkëkryerje.

“Duhet pas parasysh se në këtë çështje penale, aktakuza është ngritur për pesë të pandehur për vepër penale të kryer në bashkëkryerje dhe veçimi i procedurës është i pamundur, në mungesë të njërit të pandehur seancat kanë dështuar të mbahen, megjithatë nga të lartcekurat shihet se gjyqtari në vazhdimësi ka ndërmarrë veprime me qëllim që kjo çështje penale të këtë epilog dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se gjyqtari me qëllim e ka zvarritur procedurën penale”, thuhet në përgjigjet e kryetarit të gjykatës, Armend Berisha.

Në këtë përgjigje të kryetarit, është thënë se gjyqtari Arben Mustafa ka caktuar diku rreth 10 seanca gjyqësore, duke specifikuar po ashtu arsyet pse kanë dështuar disa prej tyre.

Kryetari ka dhënë edhe arsyet që kanë dërguar në dështim të seancave.

Shkresa e kryetarit Berisha tregon se seanca fillestare nuk është mbajtur pikërisht për shkak të kërkesës së të dëmtuarit për përjashtim të gjyqtarit të rastit, ndërsa seanca e datës 08 prill 2020 nuk është mbajtur për shkak të vendimit të KGJK për reduktim të aktiviteteve të gjykatës lidhur me situatën e pandemisë COVID-19.

Ndërsa seanca e datës 7 korrik 2020 nuk është mbajtur për shkak të mungesës së të akuzuarit Rexhë Arifaj, që ka qenë jashtë vendit, seanca tjetër e datës 24 shkurt 2021 nuk është mbajtur sipas gjykatës pasi i pandehuri Enver Arifaj ka qenë i shtrirë në spital, ndërsa i pandehuri Bashkim Arifaj jashtë shtetit.

“Më datë 07.04.2021 përsëri është caktuar seanca gjyqësore e cila nuk është mbajt për shkak se i pandehuri Tahir ka qenë i sëmur, i pandehuri Enver ka qenë në spital në Turqi për trajtim mjekësor… gjithashtu as seanca e shqyrtimit gjyqësor e datës 17.05.2021 nuk është mbajtur për shkak të mungesës së palëve”, thuhet në shkresën e kryetarit të gjykatës.

Sipas shkresave tjera të lëndës të siguruara nga KALLXO.com, shihet se edhe seanca e datës 13 korrik 2021, ka dështuar të mbahet për shkak të mungesës së disa të akuzuarve.

Për disa nga të akuzuarit, gjyqtari ka lëshuar edhe urdhëresë për sjellje me detyrim.

Dështim pas dështimi i seancave ka bërë që rasti të rrezikojë parashikimin absolut.

Parashkrimi apo vjetërsimi absolut i lëndës konsiston në atë që për shkak të kalimit të afatit të paraparë me ligj, nuk mund të vazhdojë ndjekja penale.

Vepra që iu vihet në barrë 5 të akuzuarve Arifaj është e dënueshme më gjobë ose me burgim deri në 6 muaj.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, llogaritja e vjetërsimit të lëndës penale fillon të rrjedhë nga momenti i kryerjes së veprës penale.

Ky rast i kanosjes, sipas aktakuzës, është kryer më 12 gusht 2017, ndërsa legjislacioni parasheh që për vepra penale të dënueshme me dënim me burgim deri në 1 vit ose dënim me gjobë, vjetërsimi i tyre bëhet pasi të kenë kaluar 2 vite.

Sipas legjislacionit parashkrimi absolut i ndjekjes penale paraqitet kur kalon dyfishi i kohës që kërkohet sipas ligjit për parashkrimin, pa marrë parasysh në ndërprerjet apo ndaljet eventuale të mëparshme.

Në rastin konkret, të akuzuarit Arifaj, akuzohen së në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale me 12 gusht 2017, kështu me 12 gusht 2021 do të arrijë parashkrimi absolut i kësaj vepre penale.

Tahir Arifaj, Eshref Arifaj, Bashkim Arifaj, Rexhë Arifaj dhe Enver Arifaj po akuzohen se në Bjeshkët e Istogut, seriozisht dhe secili në mënyrën e vetë, kanë kanosur të dëmtuarin Enver Hasanaj duke i shkaktuar frikë dhe ankth.