Ilustrimi- Jeta Dobranja për BIRN

4 hapat që mund ta bëjnë ndryshimin në qeverisjen e ardhshme

Ngarkesa e sektorit publik me punonjës, rishikimi i skemës sociale dhe riorientimi i investimeve kapitale në projekte zhvillimore mbeten politikat sfiduese për secilën qeveri në ardhje. Hezitimi për t’i ndryshuar këto politika vjen nga frika e tkurrjes së votës për partitë politike por reformat mbeten domosdoshmëri.

Më 14 shkurt do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë. Partitë politike do të japin premtime të mëdha për katër vitet e ardhshme. Por, instrumenti kryesor për realizimin e atyre premtimeve është buxheti shtetëror. E buxheti shtetëror në vitin 2022 dhe vitet pasardhëse vështirë se do të duket ndryshe.

Buxheti është një ndër instrumentet kryesore që qeveritë kanë në dispozicion për të zbatuar programin zgjedhor dhe për të orientuar ndryshimet politike e sociale. Por, vendimet e papërgjegjshme të qeverive të mëhershme kanë bërë që buxheti i shtetit të mos jetë asgjë tjetër përveç mjet për betonizimin e politikave të gabuara.

Të paaftë për të ndikuar në rritjen ekonomike, punësim dhe zbutje të varfërisë, qeveritë klienteliste të derimëtanishme kanë përdorur buxhetin si mjet kusuritjeje për vota. Kësisoj administrata shtetërore është stërngarkuar me të punësuar; skemat sociale janë orientuar nga ato grupe të shoqërisë të cilat kanë më shumë fuqi votuese, e jo tek grupet që kanë më shumë nevojë për dorën e shtetit; investimet kapitale janë koncentruar në autostrada, të cilat nuk e kanë arsyetuar investimin astronomik në to.

Çdo vit, afër 60 për qind e buxhetit shtetëror është e programuar që të shkojë në paga dhe transfere sociale. Në dekadën e fundit, premtimet zgjedhore për rritje të pagave për të gjithë të punësuarit deri 25 për qind, rritje të punësimit, instalim të skemave të reja sociale për veteranët e luftës, arsimtarët e viteve ’90, burgosurit politikë, deputetët e viteve ’90, kanë bërë që shpenzimet rrjedhëse të rriten. 

Paga mesatare në sektorin publik është për 195 euro më e lartë sesa paga mesatare në sektorin privat.


Kurse, kategoria e investimeve kapitale e cila ka qenë kategoria me shpenzimet më të mëdha buxhetore me rreth 38 për qind të buxhetit të përgjithshëm në vitin 2013, tash është kategoria e tretë me vetëm 26 për qind të shpenzimeve të përgjithshme. Me Buxhetin e vitit 2021, 91 për qind e investimeve kapitale të nivelit qendror në komuna janë vazhdimësi e projekteve nga vitet paraprake, vetëm 9 për qind apo 8.5 milionë euro janë projekte të reja. Pjesa më e madhe e buxhetit të vitit 2021 është zotuar që në vitin 2019 kur kryeministër ka qenë Ramush Haradinaj (AAK). Si rrjedhojë, shumica e investimeve në komuna janë të orientuara në komunat që qeverisen nga AAK.

Për t’u shndërruar sërish në instrument të dobishëm të ndryshimit, strukturalisht buxheti duhet të pësojë ndryshime të mëdha.

E para, shpenzimet për paga dhe meditje duhet të ulen. Kjo bëhet duke zvogëluar numrin e të punësuarve në institucione publike. Aktualisht të punësuarit në organizata buxhetore dhe ndërmarrje publike përbëjnë 30 për qind të numrit të përgjithshëm të të gjithë të punësuarve në sektorin formal në Kosovë, apo rreth 93 mijë të punësuar. Ndërkohë që çdo vit, mesatarisht mbi 2,000 persona punësohen me kontrata mbi vepër.

Ulja e numrit të të punësuarve në sektorin publik nuk do të thotë përjashtimin e njerëzve nga puna, por duke vendosur moratorium afatgjatë në punësim dhe duke mos zëvëndësuar pozitat e atyre që dalin në pension. Në pesë vitet e ardhshme, pritet që 3,110 shërbyes civil dhe 3,561 punonjës të arsimit të arrijnë moshën e pensionimit. Vetëm duke mos i zëvëndësuar këto pozita numri i të punësuarve në administratën shtetërore do të bie dukshëm.

Ulja e të punësuarve në sektorin publik nuk do ta pengojë punën e institucioneve shtetërore. Përkundrazi, do të rris efiçiencën dhe efikasitetin. Numri i nxënësve nëpër shkolla është duke rënë. Prej vitit shkollor 2008/2009 deri në vitin shkollor 2018/2018 numri i nxënësve ka rënë për afër 100 mijë. Në anën tjetër numri i personelit në shkolla për të njejtën periudhë është rritur për më shumë se 400 persona.

Njësoj, zhvillimet teknologjike mundësojnë shkurtimin dhe lehtësimin e shumë procedurave administrative, duke bërë të panevojshëm një numër të madh të të punësuave në shërbimin civil të Kosovës.

Buxheti i cili kursehet nga pagat orientohet në projekte zhvillimore, duke përfshirë përmirësimin e ambientin e të bërit biznes. Kësisoj rritet punësimi në sektorin privat.

E dyta, duhet të bëhet një reformë rrënjësore në skemat sociale. Të gjitha skemat aktuale, shumica e të cilave janë të bazuara në kategoritë e prekura në vitet e ’90 duhet të zëvendësohen me skemat sociale të bazuara në gjendjen ekonomiko-sociale.

Kjo nënkupton që një veteran i luftës apo një arsimtar i viteve ’90 mbështetet nga shteti përmes skemave sociale në rast se gjendja e tij sociale nuk është e mirë, por jo vetëm pse është veteran ose punëtor i arsimit pa marrë parasysh gjendjen sociale, ashtu siç janë të dizajnuara skemat aktuale.

Një reformë e tillë mund të ndikojë që të rritet buxheti i përgjithshëm për transferet sociale dhe kjo do të bënte që varfëria të ulej dukshëm ose të zhdukej e tëra nëse shënjestrohen mirë 18 për qind e familjeve të cilat tash ndodhen nën kufirin e varfërisë, apo që jetojnë me më pak se 1.85 euro në ditë.

Edhe pse gratë përbëjnë pjesën më të madhe të atyre që konsiderohen të varfër, kanë papunësinë më të lartë, përballen me problemin e strehimit dhe qasjes në financa, prapë se prapë rreth 70 për qind e përfituesve të subvencioneve sociale janë burra. Kjo tregon për padrejtësinë e hartimit të politikave sociale.

E treta, orientimi i investimeve kapitale në projekte zhvillimore dhe në infrastrukturë sociale. Me buxhetin e vitit 2021 rreth 39 përqind e investimeve kapitale orientohen në infrastrukturë rrugore. AAK edhe më tej kushtëzon çdo qeveri me projektin e Autostradës së Dukagjinit, projekt i cili pritet të kushtojë më shumë se një miliard euro, së bashku me shpronësimet e tokave. Në anën tjetër, janë bërë shumë pak investime që ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillim dhe në mirëqenie sociale të regjionit të Dukagjinit. 

E katërta, përveç reformave në shpenzime, duhet të ketë edhe një ndryshim të qasjes sa i përket grumbullimit të të hyrave. Edhe më tej shteti nuk ka arritur të shtrijë sovranitetin e vet në tërë territorin e Kosovës, kësisoj duke i lënë hapësirë zhvillimit të ekonomisë jo formale dhe ekonomisë së zezë. Ekonomia jo formale përbën rreth 30 për qind të GDP të Kosovës, apo rreth 1.8 miliardë euro. Duke zgjeruar bazën e të hyrave, krijohet trajtim i barabartë për të gjitha bizneset dhe rritet buxheti i investimeve.

Fushatat e kaluara na kanë treguar se partitë politike nuk kanë guxim të prekin ato probleme që kanë të bëjnë me punësimin në sektorin publik, subvencionet sociale dhe investimet kapitale. Përkundrazi, fushatat elektorale kanë shërbyer vetëm si platforma për t’i hapur derën më shumë problemeve, duke premtuar rritje të pagave në sektorin publik, ndarje të subvencioneve për kategori të reja e investime në autostrada. Mbetet të shihet nëse kjo fushatë zgjedhore do të adresojë ‘elefantin në dhomë’, në këtë rast ‘elefantin në buxhet’.

Ky artikull është publikuar fillimisht në Prishtina Insight

Agron Demi ëshë hulumtues i lartë në Institutin GAP.

Ky opinion nuk reflekton domosdoshmërisht qëndrimet e BIRN-it.