3G-ja Fillon Në Dhjetor

Shumë është pritur për të ardhur 3G-ja. Kosova lë mbrapa epokën e vjetër të internetit për telefonat mobilë më 1 dhjetor, kur vendi do të fillojë me shërbimet 3G.

Do të jetë një zhvillim i mirëseardhur për përdoruesit e telefonave të mençur edhe pse 3G-ja tashmë është e tejkaluar nga 4G-ja në shpejtësi. 

“EDGE më mbyt çdo herë që unë e përdori, sepse është aq e ngadaltë dhe jostabile”, thotë Gent Thaçi, 19 vjeçar një “hacktivist” nga Prishtina, duke iu referuar teknologjisë aktuale të shërbimeve mobile që kanë operatorët në Kosovë.

“[3G] do të thotë se unë do të jem më produktiv në punën time, sepse do të jem në gjendje të përgjigjem në detyrat e mia me shpejtësi më të madhe.” 

Për fillim vetëm Ipko, operatori i dytë i telefonisë mobile në Kosovë, do të jetë ofruesi i vetëm për 3G.

Vala e PTK-së tha se shërbimet e saja për 3G do të vijnë në fillim të vitit të ardhshëm. 

Ipko ka kryer disa teste bazike në zona të kufizuara dhe ishte e gatshme që të ofrojë këto shërbime që nga qershori i këtij viti.

“Deri në ditën e lansimit, ne jemi duke bërë përpjekje maksimale që të kemi sinjal në zonat më të populluara urbane, duke përfshirë qytetet dhe qytezat më të mëdha në Kosovë,” tha Alban Kastrati, zëdhënës në Ipko.

Ai shtoi se kompania sllovene Ipko, pas mbulimit të zonave më të populluara urbane me rrjetin 3G, do të vazhdojë me zgjerimin e rrjetit të saj 3G edhe në zonat tjera të vendit.

“Me gjeneratën më të re të rrjetit 3G, Ipko do të mund të ofrojë internet disa herë më të shpejtë mobil dhe më shumë kapacitet për përdorim të internetit nga përdoruesit privatë dhe ata të bizneseve, të cilët përdorin pajisje mobile që e mbështesin rrjetin 3G,” tha Kastrati për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ndërsa Vala, shërbimi i telefonisë mobile në ndërmarrjen publike PTK, është aktualisht duke punuar intensivisht për ofrimin e 3G-së për konsumatorët e saj.

“Menaxhmenti i PTK-së është duke intensifikuar përgatitjet e nevojshme teknike që brenda një afati sa më të shkurtër kohor, të fillojë së realizuari projektin e rëndësisë së veçantë, siç është ofrimi i shërbimeve të reja të telefonisë mobile për të gjithë konsumatorët e saj,” thuhet në përgjigjen e Departamentit për Relacion me Publikun në Vala.

Ky departament shtoi se konsumatorët e saj do të kenë këtë teknologji të re në fillim të vitit të ardhshëm.

PTK-ja nuk ka dhënë përgjigje se cili është ndikimi i këtij investimi, ndërsa është në proces të privatizimit. 

Po ashtu, edhe Jan Budden, përfaqësues i konzorciumit Axos-Najafi nuk dha përgjigje për këtë çështje. Ky konzorcium është shpallur fitues nga qeveria e Kosovë në prillin e kaluar për blerjen e 75 për qind të aksioneve të PTK-së, me çmim prej 277 milionë euro. 

Privatizimi i PTK-së është bllokuar, pasi që partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës po kërkojnë që të krijohet një komision hetues për procedurën e privatizimit të PTK-së. 

PTK-ja ka paguar 966.525 euro për licencë, ndërsa Ipko Vala ka paguar 633.474 euro për t’u licencuar për ofrimin e shërbimeve 3G.

Licenca është lëshuar nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) e cila dha dritë të gjelbër më 4 tetor se 3G-ja mund të fillojë në Kosovë pas 1 dhjetorit.

Ky çmim i vendosur nga ARKEP-i për licencim është bërë në bazë të përqindjes së pjesës në treg nga operatorët mobilë.

Sipas raportit të tremujorit të dytë nga ARKEP-i, bazuar në parapagues, Vala ka 58.6 për qind, ndërsa Ipko 30 për qind të tregut në Kosovë.

Dy operatorët virtualë të Kosovës ndajnë pjesën tjetër të përqindjes, Z-Mobile me 10.1 për qind dhe D3 Mobile me 1.2 për qind te tregut të telefonisë mobile në Kosovë.

Z-Mobile dhe D3 Mobile nuk kanë paralajmëruar ndonjë plan për shërbimin 3G.