30 Ditë Paraburgim për Plagosjen në “Relax”

Në Gjykatën e Qarkut në Pejë është mbajtur seanca dëgjimore për caktimin e paraburgimit për të akuzuarin Artan Baci.

Ai akuzohet për tentimvrasje të 19-vjeçarit Korab Bajgora, në lokalin “Relax”, në Pejë. Ngjarja kishte ndodhur pas një konflikti verbal, i nxitur nga një konflikt i mëhershëm. Gjykata i ka caktuar 30 ditë paraburgim të dyshuarit, sipas propozimit të prokurorisë.

Prokuroria e Qarkut në Pejë ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve kundër Arton Bacit, i dyshuar për kryerjen e veprave penale, “ Vrasje në tentativë” dhe “Mbajtje në pronësi, në kontroll, në posedim ose në shfrytëzim të paautorizuar të armëve”.

Në mbrëmjen e 18 shkurtit, në lokalin “Relax” në Pejë, Arton Baci, me dashje ka tentuar ta vrasë të riun Korab Bajgora. Krejt kjo ishte e nxitur për shkak të një konflikti verbal dhe përleshjeje fizike që i dëmtuari Korab kishte pasur me Leutrim Bacin, i vëllai i të akuzuarit.
 
Artoni së bashku me një shok të tij kishte shkuar në lokal, ku e kishte takuar Korab Bajgorën, duke pirë kafe. Pas disa minutash ndërmjet tyre fillon konflikti. Duke dalë nga lokali, Bajgora sulmohet nga Artoni dhe shoku i tij, me një shufër hekuri.

Posa e sheh rrezikun ai futet brenda, ndërsa Artoni shtie me revole duke i shkaktuar atij lëndime trupore. Bajgora ishte dërguar në Spitalin Regjional të Pejës për kurim.

Policia kishte arritur ta kapë të dyshuarin, pas dy ditësh, për ta mbajtur në ndalim policor prej 48 orësh. Ndërkohë sipas avokatit të Artonit, ai është vetëdorëzuar.

Prokurori publik, Ali Uka, ka ofruar prova të mjaftueshme mbi të cilat e mbështet propozimin për caktim të paraburgimit. Ai ka propozuar edhe dëshmitarë të vendit të ngjarjes. Sipas tij, paraburgimi është masë e domosdoshme, duke pasur parasysh rrethanat në cilat është kryer vepra penale.

Në anën tjetër, avokati mbrojtës, Flamur Kelmendi kërkoi nga gjyqtari i procedurës paraprake, Sali Berisha, që në vend të paraburgimit të akuzuarit t’i shqiptohet masa e arrestit shtëpiak apo dorëzania.

“I mbrojturi im është vetëdorëzuar policisë dhe nuk ka arsye të ikë, andaj e drejtë do të ishte caktimi i arrestit shtëpiak, por ai është i gatshëm që të paguajë edhe dorëzaninë”, deklaroi avokati Kelmedi.

Duke çmuar këtë vepër penale si të rrezikshmërisë së lartë dhe mundësi të acarimit të metejmë ndërmjet familjeve tani në konflikt, si dhe masë e domosdoshme për sigurimin e pranisë së tij në procedurë, gjyqtari i procedurës paraprake i caktoi të akuzuarit masën e paraburgimit prej 30 ditësh.