
2024, vit i mbarë apo i mbrapshtë në shëndetësi?
Viti 2024 që shënon edhe vitin e fundit të plotë të Qeverisë Kurti 2 po përmbyllet pa u dhënë zgjidhje shumë problemeve në sektorin e shëndetësisë në Kosovë.
Qytetarët vazhdojnë të përballen me sfidat e kamotshme gjatë trajtimit nëpër institucionet shëndetësore, meqë reforma në shëndetësi nuk u realizua, sigurimet shëndetësore nuk u zbatuan dhe Sistemi Informativ Shëndetësor (SISh) mbeti jofunksional. Përgjithësisht, kujdesi shëndetësor sërish u cilësua si shqetësues në Raportin e Progresit për Kosovën të përpiluar nga Komisioni Europian.
Raporti i Punës për 9 mujorin e parë të vitit të institucionit më të madh shëndetësor në vend – Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar (ShSKUK) – la shumë për të dëshiruar për Bordin Drejtues të tij.
Institucionet e Kosovës kanë publikuar në TikTok video promovuese të punës në shëndetësi, ndërsa opozita ia ka numruar dështimet e qeverisë në këtë sektorë (shih këtu, këtu dhe këtu). Derisa pushtetarët mburren me investimet infrastrukturore, miratimin e Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm Shëndetësor, rritjen e buxhetit dhe të furnizimit me barna që u bënë këtë vit, opozitarët e vlerësojnë si një vit të dështuar e të humbur për sektorin e shëndetësisë.
Në anën tjetër, njohësit e shëndetësisë vlerësojnë se shëndetësia është “sektori më i prapambetur” në Kosovë dhe se investimet e bëra nuk kanë ndikim rrënjësor për të reformuar e përmirësuar sistemin në një periudhë afatgjate.
Si rrjedhojë, qytetarët vazhdojnë të harxhojnë nga xhepi i tyre për shërbime shëndetësore e për barna si dhe të përballen me pabarazi kur kërkojnë shërim nga sëmundjet e tyre.
Investimet në shëndetësi gjatë këtij viti u fokusuan në renovime të infrastrukturës, kryesisht në klinikat e Qendrës Klinike e Universitare të Kosovës. Punëtorët shëndetësorë, në veçanti ata të mesëm protestuan disa herë, duke kërkuar rritjen e pagave dhe përfitimet e tjera që pretenduan se i humbën me shkëputjen e Kontratës Kolektive.
Rëndom sikurse në të kaluarën, edhe këtë vit, pati përzgjedhje të drejtorëve që kanë lidhje me partinë në pushtet, aktakuza të ngritura ndaj mjekëve, e mungesë të veprimeve nga menaxhmenti, ashtu siç e parasheh ligji për këto raste.
Së fundmi Qeveria miratoi Strategjinë Sektoriale të Shëndetësisë 2025-2030. Në legjislacionin për shëndetësi, risitë ishin minimale, me vetëm një ligj të miratuar.
S’ka reformë
Reformimi i sektorit të shëndetësisë është në faqen 10 të Programit të Qeverisë 2021-2025, menjëherë pas menaxhimit të pandemisë dhe ringjalljes ekonomike. Reforma në shëndetësi si togfjalësh në fakt u dëgjua shpesh nga qeveritarët, por në realitet mbeti e pabërë.
Besim Kodra nga Shoqata e Pacientëve thotë se reforma nuk bëhet me këtë qasje, teksa vë theksin te mungesa e një strategjie të shëndetësisë, që sipas tij është gjëja e parë që duhet bërë, me konsultim të gjerë të shoqërisë.
Kosova do të ketë Strategji Sektoriale të Shëndetësisë për vitet 2025-2030, pasi që ajo u miratua në Qeveri më 13.11.2024.
Kodra thotë se në draftin e Strategjisë kanë lënë komente, të cilat nënkuptojnë që strategjia do duhej të bëhej krejtësisht prej fillimit, meqenëse “ka pasur probleme esenciale”.
Strategjia sektoriale, sipas Kodrës cakton problemet e prioritetet e sistemit dhe hap rrugën që në bazë të saj të krijohen ligje e rregullore të reja. Këtë e konsideron të rëndësishme edhe për faktin se ajo parandalon që çdo ministër ta drejtojë shëndetësinë “kah ka qejf vetë”.
“Me këtë qasje, nuk bëhet reforma. Mënyrën qysh funksionon shëndetësia në Kosovë, krejt shtetet moderne e kanë hek prej mode, se nuk është funksionale” – thotë Kodra.
Edhe Ilir Hoxha, specialist i shëndetit publik, nuk sheh ndonjë reformë në sistemin e shëndetësisë, i cili sipas tij, është sektori më i prapambetur në Kosovë. Madje, ai thotë se nuk e di nëse kjo Qeveri ka pasur ndonjë program për të bërë reformë.
“I vetmi politikan që ka bo naj reformë është Ferid Agani. A është e mirë a s’është ajo reformë, është tjetër muhabet. E ka pas planin dhe e ka mbërri pjesën legjislative. Në ekzekutim s’ka mbërri …” – thotë Hoxha.
Përshtypja e tij është që problemi në këtë sektor është mungesa e një vizioni afatgjatë dhe konsensusi për të ecur përpara.
“Nevojitet një vizion në të cilin mbështetemi për 20 vitet e ardhshme. Zhvillimi i shëndetësisë nuk është diçka që bëhet brenda një mandati. Duhet të jenë 20 deri në 30 vjet me e arrit atë farë pune. Prandaj, kërkohet një konsensus që shkon përtej një qeverie” – shton ai.
Reformimi i një sektori është punë afatgjate, sipas kryetares së Komisionit parlamentar për Shëndetësi, Fatmire Mulhaxha- Kollçaku. Kjo është arsyeja pse ajo thotë se po kërkojnë edhe një mandat tjetër.
“Asnjëherë nuk them që është bërë krejt çfarë duhet brenda një mandati sepse është e pamundur të bëhen të gjitha. Kjo është arsyeja që e kërkojmë mandatin e dytë, sepse mendojmë që e kemi nis mirë dhe duhet të vazhdojmë” – thotë deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje.
Megjithatë, ajo përmend disa prej sukseseve që i konsideron si reform. Ndër to janë rritja e buxhetit për Listën e Barnave Esenciale, investimi në burime njerëzore përmes rritjes së pagave dhe “përmirësimi i kushteve të punës” për të ndaluar ikjen e tyre jashtë vendit.
Mulhaxha-Kollçaku po ashtu përmend se puna e kësaj Qeverie nisi në kohë pandemie, kur prioritet ka qenë tejkalimi i saj.
Por, Armend Zemaj, deputet i LDK-së dhe ish-ministër i Shëndetësisë thotë se në përgjithësi, ky vit ka qenë i humbur për këtë sektor.
“Skandalet e mëdha dhe mungesa e investimeve janë kryefjala e dështimit. Menaxhimi skandaloz i Listës së Barnave Esenciale, me ndërhyrje të personave të afërm të pushtetit e shumë dyshime për implikime korruptive është shqetësim real. Mungesa e gjërave elementare, si në QKUK, spitale regjionale e deri të QKMF-të, është shqetësimi real tjetër” – thotë Zemaj.
Veç një ligj i miratuar
Kuvendi i Kosovës gjatë këtij viti arriti të miratojë vetëm një ligj që i përket shëndetësisë, atë për Sigurimin e Detyrueshëm Shëndetësor, i cili u votua më 05.12.2024.
Asnjë projektligj tjetër nga Ministria e Shëndetësisë s’i shkoi Kuvendit, i cili nuk kaloi as projektligjet e përcjella nga vitet paraprake.
“Agjenda legjislative është pasqyra më e mirë e dështimit të tyre, jo vetëm në vitin 2024, por gjatë gjithë mandatit është i miratuar vetëm Ligji për çmimin e barnave, dhe për miratimin e tij vendimtare ishin votat e opozitës” – thotë Zemaj.
E për Ligjin për sigurime shëndetësore, ai thotë se u miratua në mënyrë skandaloze, me qëllim djallëzor për përfitime elektorale, dy muaj para zgjedhjeve.
Kolegia e tij nga pozita, deputetja Mulhaxha-Kollçaku shpreh keqardhje që opozita e ka dërguar këtë ligj në Gjykatë Kushtetuese, duke thënë se ai është esencial.
Ndonëse miratuan veç një ligj, ajo thotë se si komision nuk kanë ndejt, por kanë moniturar disa projektligje e ligje të tjera të rëndësishme, që direkt a indirekt lidhen me shëndetësinë.
“Kemi monitoru disa ligje të rëndësishme, si Ligji për shëndetin mendor, për duhanin, për Odat e profesionistëve shëndetësorë, dhe për shërbime sociale dhe familjare. Ne nuk kemi ndejt. Kemi kontribuar edhe në bisedime gjatë hartimit të strategjisë” – thotë ajo.
Projektligji i ri për Shëndetësi, si esencial, ka kaluar vetëm fazën e konsultimeve publike. Kur u publikua, ai ngjalli shumë pakënaqësi te Odat e Profesionistëve shëndetësorë të cilët u distancuan nga ai. Përveç se e cilësuan në kundërshtim me Kushtetutën dhe me një varg ligjesh të tjera, ata u shprehën të indinjuar edhe që nuk janë ftuar e konsultuar fare për këtë draft. Ligji aktual për Shëndetësi është në fuqi nga viti 2013.
Besim Kodra vlerëson se cilësia e Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm Shëndetësor dhe të Projektligjit për Shëndetësi është më e dobët se sa te ligjet paraprake.
“Me ligjin e ri për Sigurimet Shëndetësore, janë hek kriteret, në bazë të të cilave shteti mundet me fillu me na i marr premiumet. Përpara ka qenë që para se me fillu me u mbledh premiumet, me qenë lista e shërbimeve, çmimorja, me pas sistem informativ shëndetësor, e të tjera. Kur fillojnë me ua shti njerëzve durt në xhepa, me ua marr premiumet, pa ju garantu se çka kanë me ju ofru me to, kjo e prish paqen sociale” – tha ai.
Ndryshe mendon deputetja Kollçaku, e cila thotw se ligji paraprak ka qenw i pazbatueshwm e ligji i ri i domosdoshwm.
“Duke qenë se kemi ligj tash e 10 vite, ai ka qenë i pazbatueshëm, këta e ka tregu koha. Është dashtë të kemi një ligj të ri që realisht do të implementimet dhe me këtë ligj të ri edhe do të krijohet fondi për sigurim shëndetësor, sepse deri tani kemi pas një fond për trajtim jashtë vendit” – thotë ajo.
Pavarësisht miratimit të ligjit, sigurimet shëndetësore vlerësohet të jenë vështirë të zbatueshme edhe për disa vite, deri në përmbushjen e disa kritereve, përfshirë edhe funksionalizimin e Sistemit Informativ Shëndetësor (SISh).
Miratimin e një ligji, Kodra e sheh si proces goxha sfidues, pasi që secila palë tërheq interesat e veta. Por prapëseprapë involvimin e të gjitha grupeve të interesit në këtë proces, ai e sheh si shmë të rëndëishme, sepse siç thotë ai, ato japin impakt.
Kodra sheh gabime trashanike edhe në renditjen e miratimit të ligjeve.
“Ne kemi ba gabime trashanik në hapa. Të parin ligj që e kemi çu në Kuvend ka qenë Ligji i Sigurimeve Shëndetësore, pa e çu Ligjin e Shëndetësisë. Një herë na duhet me definu çka po na duhet, e mandej me definu qysh i sigurojmë financat me ble atë që po na duhet” – thotë ai.
Ndërsa, Ilir Hoxha vlerëson se aprovimi i ligjeve nuk është problemi shëndetësor në këtë sektor.
Ku janë ngecjet?
Mungesa e sigurimeve shëndetësore, mosfunksionalizimi i Sistemit Informativ Shëndetësor, listat e pritjeve për pacientët janë disa prej problemeve kyçe të sektorit të shëndetësisë, të cilat prodhojnë edhe probleme të tjera.
Raporti 9-mujor i punës së ShSKUK-së vuri në pah shfrytëzimin e ulët të shtretërve dhe të pajisjeve mjekësore, numrin e ulët të operimeve në disa njësi, numrin e lartë të lindjeve me prerje cezariane, harxhimin e ulët të buxhetit për investime kapitale e mosraportimin e të gjitha të dhënave të kërkuara nga njësitë përbërëse. Problemet e njëjta ishin paraqitur para bordit edhe në raportin e vitit të kaluar.
KALLXO.com gjatë këtij viti, ndër të tjera, raportoi për problemet që përcollën procesin e unifikimit të çmimeve të barnave i cili ende s’është finalizuar, për mos sigurimin e 88 llojeve të barnave esenciale nga shteti, për “fshehjen e barnave” nga stafi shëndetësor, për klinikat me nga 8 dhoma për pacientë e 9 për personel, për rënien e numrit të shtretërve në ShSKUK, për shërbimin e ri që e mori vec një pacient për 7 muaj e për “sistemin e çoroditur”, ku një infermiere kujdeset për 20 pacientë përnjëherësh.
Sipas vlerësimit të Ilir Hoxhës, tendenca për centralizim është emëruesi i përbashkët i ngecjeve në shëndetësi.
“E di që njerëzit që mundohen me bo centralizimin shpesh kanë qëllime të mira, por nëse ka diçka që në mënyrë efektive ka me e shkatërru sistemin e shëndetësisë ka me qenë kjo. Institucionet shëndetësore duhet me u pavarësu prej nivelit politik” – thotë Hoxha.
Përveç në Ministri e në ShSKUK, sipas tij centralizimi ka filluar të përhapet edhe nëpër komuna, të cilat “kanë tendencë që t’i menaxhojnë direkt qendrat e mjekësisë familjare, duke ia redaktuar fuqitë menaxhuese drejtorive të tyre.
Hoxha ka një ide ndryshe për ndarjen e kompetencave mes Ministrisë së Shëndetësisë e institucioneve shëndetësore.
“Çështjen e prokurimit, menaxhimit të institucioneve dhe stafit duhet të merren institucionet shëndetësore, jo instancat politike. Ato mund të përcaktojnë politikat, nevojat, kornizat buxhetore, por ato nuk kanë nevojë me u marrë me menaxhimin e sektorit. Është qasje e gabuar, edhe pse mundet me qenë me qëllime të mira” – thotë ai.
Pagat e pabazuara në performancë dhe fokusi i tepërt në kujdes dytësor e tretësor shëndetësor, duke lënë pas atë parësorin janë dy prej problemeve kyce që në anën tjetër i përmend Besim Kodra.
“Mjekëve u del paga, punoi- s’punoi. Asnjë pacient mos me pas, i del [paga]” – thotë Kodra, i cili mendon se pagesa e mjekëve bazuar në performancën e tyre do të bënte ndryshim drastik për të mirë. Kjo, sipas tij, do të rriste dukshëm performancën e mjekëve, pasi “do të mundoheshin më shumë në mënyrë që të fitojnë më shumë”.
“Mjekët nuk është dashtë me qenë në Ligj të pagave. Pse duhet me ia pamundësu një mjekut në Kosovë me e marrë pagën 15 mijë euro, nëse ai po na vyn, në qoftë se bën punë të vlefshme? Pse duhet me i kallxu ne atij që ti duhesh me i marrë 1 mijë e 500?”
Çështja tjetër që ai e ngrit është fokusi i investimeve në QKUK, si qendër dytësore e tretësore, e jo në kujdes primar shëndetësor.
“Përderisa jem t’u investu në QKU, jemi t’u kallxu që kujdesi primar i ka thy barrierat. Njerëzit janë t’u ardhë atje. 30 mijë njerëz me hy në QKU brenda ditës, a din çka është? Është ma shumë se sa Qendra Klinike Universitare e Londrës që është 18 herë më e madhe” – thotë ai.
Fokusi, sipas tij, duhet të kthehet në kujdesin primar, duke bërë shpërndarjen e tyre sa më afër komunitetit, që mjekët familjarë t’u tregojnë njerëzve për stilin e jetës, parandalimin e menaxhimin e sëmundjeve.
“Në Skoci, 80 për qind e kujdesit shëndetësor është vetëkujdes. Qaq shumë ka shku vetëdija lartë. Në spital shumë pak njerëz mundesh me pa” – thotë ai.
I pyetur për ngecjet kryesore, deputeti Zemaj përmend emërimin e shkarkimin e drejtorëve të klinikave e spitaleve, mungesën e barnave të domosdoshme e mjete higjienike e mungesën e menaxhimit.
Për Listën e Barnave Esenciale, ai thotë se ka pasur menaxhim skandaloz, ndërhyrje, heqje e futje të produkteve, “në funksion të interesave biznesore e në kurriz të pacientit”.
Cilat janë sukseset?
Votimi i Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm Shëndetësor, votimi i Strategjisë Sektoriale, projekti i përzgjedhjes së mjekut familjar, transformimi i QKUK-së përmes renovimeve, pajisjet e shërbimet e reja në QKUK e spitale rajonale, krijimi i Listës së barnave esenciale, që s’ka hyrë në fuqi ende, janë disa prej gjërave që Fatmire Mulhaxha Kollçaku i përmend kur pyetet për sukseset e këtij viti në shëndetësi.
Në QKUK, sivjet u rinovuan Onkologjia, Gjinekologjia, Urologjia, Emergjenca, Mjekësia Nukleare, Kardiokirurgjia, blloku operativ e pjesë të tjera të disa klinikave.
Pas furnizimit me disa pajisje, sistemi publik nisi edhe ofrimin e disa shërbimeve të reja. Raporti i Punës përmend SPECT/CT-në dhe PET/CT-në që ndihmojnë në diagnostikimin e shumë sëmundjeve, screening-un neonatal, transportin neonatal, radioterapinë stereotaktike në Onkologji e të tjera.
Ndërkohë, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka premtuar se deri në fund të vitit do të fillojë edhe fertilizimi i asistuar mjekësor.
Me miratimin e Strategjisë Sektoriale dhe Planit të veprimit, sipas deputetes, Mulhaxha-Kollçakujanë definuar linjat kryesore të orientimit të sistemit, të cilin ajo thotë se e kanë trashëguar si të fragmentuar, e jo të integruar.
“Është mbështetur shumë sistemi parësor shëndetësor dhe është lansuar projekti i zgjedhjes së mjekut familjar. Ka ndodh një transformim i dukshëm për secilin qytetar i cili frekuenton QKUK-në. Klinikat janë shumë më miqësore për qytetarët, me reparte të renovuara të pajisura me pajisje më moderne, disa prej tyre më modernet në Ballkan, që deri më tani nuk janë siguruar” – shton ajo.
Me krejt këto, sipas Kollçakut, po përgatitet infrastruktura për zbatimin e sigurimeve shëndetësore, sepse do të ishte e pamundur që institucionet publike të konkurronin me ato private, nëse nuk do bëheshin këto investime.
Deputetja thotë se ka ende shumë për të bërë dhe beson se në mandatin e parë kanë bërë mjaftueshëm për të fituar besimin e qytetarëve edhe për një mandat të dytë, që “vërtetë të kemi një sistem të integruar shëndetësor”.
Rritja e buxhetit
Një tjetër lëvizje pozitive dhe me rëndësi po konsiderohet edhe rritja e buxhetit për shëndetësi.
Mbi 345 milionë euro ishte shuma e ndarë për shëndetësi në buxhetin e vitit 2024. Kjo shumë ishte rreth 50 milionë euro më e lartë se sa ajo e vitit 2023.
Rritjen e buxhetit, Ilir Hoxha e vlerëson pozitivisht. Ndonëse thotë se nuk ka të dhëna që ta dijë se a janë shpenzuar mençur ato para, ai thotë se ato që janë shpenzuar në pajisje dhe në barna janë shpenzime të mençura.
“Investimi në pajisje dhe barna që u vyjnë pacientëve është njëra prej çështjeve kryesore” – shprehet ai.
Një këndvështrim ndryshe e ka Kodra, i cili thotë se rritja e cilësisë së shërbimeve shëndetësore nuk është në proporcion me rritjen e buxhetit.
“Rritja e buxhetit nuk e ka përcjell rritjen e pritshme për shërbime ose cilësi të shërbimeve.”
Një pjesë e mirë e buxhetit të këtij viti u fokusua në renovime të klinikave, ndërtim të objekteve dhe blerje të pajisjeve mjekësore.
Këto shihen si pozitive dhe me ndikim te qytetarët, por sipas Kodrës, ato janë afatshkurtra, sepse institucionet nuk kanë performancë të mirë. Ai përmend një raport të vitit 2012 të Bankës Botërore, e cila i ka rekomanduar Kosovës që investimet kapitale të mos kalojnë 10 për qind të buxhetit, dhe që fokusi të jetë në cilësi dhe performancë të institucioneve.
“Unë e kuptoj që krejt këto e kanë njëfarë impakti në publik, se duken fotografitë e mira, por ndryshimin nuk e bajnë. Ne po vdesim 10 vite më herët se qytetarët e Bashkimit Europian. Qesaj qysh me i dhanë përgjigje. Në bazë të çkafit është definu që renovimet e ndryshojnë shëndetësinë? Me çka e ke identifiku si problemin kryesor?” – thotë ai.
Për këto renovime, deputeti Zemaj thotë se ishin parciale, me plot defekte e me shumë afera korruptive. “Vetëm heqja e një pllake ka kushtuar 28 mijë euro”.
Raporti i Progresit për vitin 2024 vlerësoi se blerjet janë jostrategjike duke rezultuar në joefikasitet të konsiderueshëm dhe rezultate të dobëta shëndetësore.
Probleme të tjera të identifikuara në raport janë edhe jetëgjatësia në lindje më e ulëta e vdekshmëria e foshnjave më e larta në rajon, mospërputhja e disa ligjeve me acquis të BE-së, shitja e barnave pa recetë dhe zbatimi jo i plotë i Ligjit për kontrollin e duhanit.