16 Euro Për Kokë Qeni

Qentë luajnë shumë role bashkëveprimi me njerëzit si në gjueti, mbrojtje, asistencë policore, ushtri, shoqërim dhe shpesh në ndihmë personave hendikep. Kjo ju ka dhënë atyre në rrethin njerëzor epitetin “Shoku më i mirë i njeriut”.

Ka të atillë që i donë qentë dhe prandaj i mbajnë brenda shtëpive dhe lidhen me ta, por ka edhe nga ata të cilët kur qeni u del i vështirë e humbin, thotë Hetem Sahiti, mitrovicasi rreth të 60’tave.

Këta qenë që i rrisin e pastaj i humbin po u shkaktojnë shumë probleme banorëve të Mitrovicës.

“Na e kanë lodhë shpirtin, menjëherë kur del në rrugë të flugën mbrapa”, tha Bujar Rexha, një tjetër banor i Mitrovicës.

Kjo atmosferë e frikës nga qentë ka shtyrë këto ditë komunën e Mitrovicës që së bashku me policinë e Kosovës dhe Shoqatën e Gjahtarëve Sportivë “Trepça” të fillojnë një aksion për eliminimin e qenve. Vrasjen e tyre. 

Shefqet Aliu, shef i sektorit për kërkim dhe shpëtim pranë Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në komunë, tha për Gazetën Jeta në Kosovë se aksioni ka filluar nga data 22 nëntor 2011 dhe do të zgjas deri më 8 dhjetor 2011.

“Këta qenë rrinë më shumë afër restauranteve, shkollave, gjithkund ku u hidhen mbeturina”, tha Aliu.

Sipas tij, deri më 29 nëntor, janë vrarë 125 qenë për të cilët gjuetarët i kanë marrë të hollat, shpagimin për vrasjet.

Besim Hoti, zëdhënës rajonal i Policisë së Kosovës në rajonin e Mitrovicës, raportoi për gazetën se nga data 22 deri më 29 nëntor, janë zhvilluar katër operacione ndërsa janë eliminuar 93 qenë endacakë.

Edhe në ditët e mbetura të dhjetorit, nga ora 02:00 e natës e deri në ora 06:00 të mëngjesit brenda qytetit e pastaj nga ora 06:00 deri në ora 08:00 nëpër fshatra, gjuetarët e shoqatës “Trepça” do të vrasin qenë duke u paguar nga komuna 16 euro për një kokë që e vrasin.

Sipas planit, këta qenë pastaj gëlqerosen dhe varrosen në deponinë e mbeturinave në Koshtovë.

Përkundër se ata përballen me telashet që sjellin qentë endacakë, disa nga banorët thonë se zgjidhja më e mirë do të ishte jo vrasja por ngritja e një strehimoreje për ta.

 “Ka prezencë të madhe të këtyre qenve, edhe këtu para hyrjes rrinë shumë”, tha Shpresa Jusufi, përderisa po hynte në banesën e saj. “Ama, zgjidhja më e mirë do të ishte me i marrë me i dërgu në ndonjë vend tjetër, jo me i vra se është gjynah”.

Banori Bujar Rexha thotë se nëse do të ndërtohej një strehimore, aty do të mund të punësoheshin disa njerëz sikurse edhe të tjerët do të mund të shkonin të merrnin qenë atje nëse kushto do të zgjedhnin.

Dennis Capstick, drejtor ekzekutiv në organizatën jo qeveritare ‘Miqtë e kafshëve të Kosovës’ nuk përkrahë idenë e strehimores. Organizata promovon programin për t’i kapur, vaksinuar dhe liruar qentë, që deri më tash ka bindur vetëm kryeqytetin e Kosovës .

“Këta qenë pasi të vaksinohen dhe kastrohen duhet të kthehen prapë andej nga kanë ardhur. Kështu ata vdesin natyrisht  dhe problemi prej qenve endacakë eliminohet njerëzisht”, thotë Capstick.

Ai shprehet se njerëzit nuk duhet të jenë të egër dhe barbarë me kafshët e pambrojtura. “Studime të shumta tregojnë se fëmijët / të rriturit që janë mizorë për kafshët, shpesh përfundojnë duke u bërë mizorë për njerëzit d.m.th. duke i rrahur fëmijët e tyre dhe gruan. Kujdesi për kafshë të pambrojtura është gjë e civilizuar”, tha ai.

Capstick shtoi se rreziku prej qenve endacakë vije nga vet qytetarët pasi që ata i ngacmojnë dhe mandej qentë mbrohen. “Kosova pretendon se dëshiron të jetë pjesë e një Europe moderne progresive. Megjithatë,  në trajtimin qenve dhe mirëqenien e kafshëve në përgjithësi, vepron në mënyrat e vjetra të Ballkanit”, u shpreh ai.

As komuna e Mitrovicës nuk duket ta ketë opsionin e vrasjes së qenve shumë për zemër. Por zyrtarët thonë se nuk kanë buxhet për kastrim pasi që një projekt i tillë kushton shumë.

Vrasja e qenve endacakë është një fenomen i përhapur vitet e fundit në Kosovë dhe në të kanë qenë të përfshirë edhe trupat e NATO’s.

Gjatë kësaj vere, aktorja dhe aktivistja franceze për mbrojtjen e kafshëve Brigitte Bardot i kishte shkruar komandantit të KFOR’it që të ndalonte kërdinë kundër qenve.

“Afër 200 qenë ishin vrarë me armë duke përjetuar një vrasje të ngadalshme dhe pikëlluese”, kishte shkruar Bardot.

Po ashtu, disa vjet më parë autoritetet norvegjeze kishin nisur një hetim kur anëtarë të armatës së saj qenë parë në një video duke vrarë qentë endacakë me armë në Kosovë dhe duke qeshur me këtë gjest.