10 Mijë Euro Shpërblim për Gani Thaçin

Një shpërblim në vlerë prej 10 mijë eurosh i është dhënë Gani Thaçit, vëllait të madh të Kryeministrit Hashim Thaçi, me arsyetimin se ka kryer suksesshëm një aksion të parandalimit të mashtrimeve në industrinë e sigurimeve.

Këshilli Administrativ i Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS), që përbehet nga përfaqësues të kompanive private të sigurimeve, ka vendosur t’i japë shpërblim për punë shtesë zëvendësdrejtorit të BKS-së edhe përkundër pagës së tij mujore prej rreth 3 mijë e 500 eurosh.

Ky organ i kishte dhënë një detyrë të veçantë të zbatimit të ligjit njeriut që dikur ishte paguar për shërbime ndërmjetësimi për një kompani të huaj që bënte biznes në Kosovë. 

 “Z.Gani Thaçi i cili ka qenë i angazhuar për monitorimin e pikave kufitare me qëllim të parandalimit të mashtrimit dhe keqpërdorimit eventual të policave të Sigurimit Kufitar, t’i jepet shpërblim shuma prej 10 mijë euro bruto”, thuhet në vendimin e lëshuar nga Këshilli Administrativ i Byrosë më 21 shtator të këtij viti.

Fatmir Gashi, nënkryetar i këshillit, thotë se e nënshkroi vendimin pasi që Thaçi kishte kryer një punë të mirë. “Nëse nuk gabohem, në një mbledhje të Këshillit para dy-tre muajve kemi marrë vendim që të mbikëqyret puna e pikave shtesë nëpër kufi dhe është autorizuar z.Thaçi. Drejtori Menaxhues i BKS-së ka raportuar se është kryer një punë shumë e mirë dhe me sukses pastaj është propozuar shuma dhe është votuar për të. Vendimi është marrë me shumicë votash”, tha Gashi, nënkryetar i këtij Këshilli.

“Është kryer një punë shumë e mirë dhe me sukses pastaj është propozuar shuma dhe është votuar për të.” Fatmir Gashi

Gashi ka deklaruar se vendimi për të autorizuar Thaçin për kryerjen e kësaj pune është marrë para dy tre muajve.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kërkuar nga Faton Abazi, drejtor menaxhesus në BKS, që të ofrojë qasje në raportin e monitorimit që ka dorëzuar Thaçi. Abazi është arsyetuar me mungesë kohe duke thënë se ka takime në Shqipëri e Maqedoni. Më vonë, ai ka kërkuar që “të mos i bëhet presion” për këtë çështje .  

Gani Thaçit i janë dërguar pyetje në e-mailin zyrtar të BKS-së por nuk ka dhënë përgjigje. Ai nuk është përgjigjur as në thirrjet telefonike të gazetës.

Kështu, mbetet e paqartë se cilat janë detajet e punës që Thaçi e kishte kryer me sukses dhe për të cilën është shpërblyer.

Thaçi, në mars të këtij viti, ishte emëruar Drejtor në Byronë Kosovare të Sigurimeve pasi ishte përzgjedhur përmes një konkursi publik.

Në garë ishte edhe një kandidat që kishte përvojë menaxhuese më shumë se sa Thaçi por ishte refuzuar pasi kishte ndërruar shpesh vendet e punës në të kaluarën e tij.

Kryetari i Bordit të Byrosë, Rrahim Pacolli, atëherë kishte konfirmuar se paga e drejtorit ekzekutiv ishte rreth 4 mijë euro ndërkohë e zv/drejtorit rreth 3 mijë e 500 euro.

Diku një javë pas emërimit, Thaçi kishte dhënë dorëheqje duke thënë se këtë po e bënte për shkaqe personale. Pas dorëheqjes, ai u rikthye si zëvendësdrejtor i BKS-së e cila u themelua më 1 gusht të vitit 2011.

Ky institucion zëvendëson Shoqatën e Kompanive të Sigurimeve, një organizatë që përfaqësonte industrinë e sigurimeve në Kosovë.

Banka Qendrore e Kosovës, bazuar në Ligjin për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia është mbikëqyrëse e Byrosë Kosovare të Sigurimeve.

Byroja po ashtu është përfaqësuese kombëtare në Këshillin e Byrove dhe është përgjegjëse për të gjitha detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi në sistemin e kartonit të gjelbër. Kjo organizatë kryen edhe funksionin e Fondit të Kompensimit për pagesën e dëmeve të parashikuara me këtë ligj.

Gani Thaçi – ndërmjetësues në biznes

Në janar të vitit 2000 policia e UNMIK-ut kishte bastisur apartamentin e Gani Thaçit në lidhje me një incident me armë zjarri.

Përveç gjetjes së një arme të fshehur nën një dyshek fëmijësh, policët kishin gjetur edhe 250 mijë dollarë. 

“Ganiu i tha policisë se paratë i ishin dhënë atij nga një firmë ndërtimi kanadeze që punon në Kosovë, Meridian Resources”, thuhet në artikullin “Kosova e mbërthyer nga reketi”, botuar në BBC në prill të vitit 2000.

Më tej, në këtë artikull, thuhet se vëllai i Kryeministrit aktual kishte punuar si ndërmjetës i kësaj firme kanadaze.

Policët i kishin gjetur edhe 250 mijë dollarë. BBC

“Drejtori i firmës Shaun Going thotë se shuma që i ishte dhënë ishte afër 60,000 dollarë, por pranon se Ganiu paguhej për ‘shërbime ndërmjetësimi’”, thotë artikulli.

“Ganiu, thotë ai, e ndihmoi atë për të bërë marrëveshje me disa kompani që ishin marrë nën kontroll nga administrata e Hashim Thaçit pas luftës”, vazhdon artikulli.

Going kishte deklaruar se në Kosovë është vështirë të bëhet biznes pa u marrë me ish-anëtarët e UÇK’së.

“Nuk ka dyshim se njerëzit e ish-UÇK-së janë të pozicionuar mirë në biznes kështu që nuk ka mënyrë për të bërë biznes në këtë vend pa ta ose pa kaluar kah ata në baza ditore”, thotë ai, në artikullin e BBC-së.

Avokati Haxhi Millaku, i cili e ka përfaqësuar Gani Thaçin në atë kohë, tha për Gazetën Jeta në Kosovë se kurrë nuk kishte pasur procedurë të hapur në lidhje me këtë rast. “Paratë i ishin kthyer (Thaçit) me shkresë përkatëse, sepse ishte kuptuar që ato ishin paga për punëtorë”, tha ai.