10 deputetët me veturat më të shtrenjta

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, kanë deklaruar pasurinë e tyre në Agjencinë Kundër Korrupsionit, e cila u bë publike më 14 qershor të këtij viti.

Sipas deklarimeve të pasurisë, KALLXO.com, ka krijuar listë prej 10 deputetëve të cilët kanë deklaruar në pasurinë e luajtshme vlerën e veturave të cilat i posedojnë ata, i kanë të përbashkëta, të prindërve, të bashkëshortit/bashkëshortes, fëmijës apo në pronësi të bizneseve.

Listës me vlerën më të madhe të veturave i prin deputeti Behgjet Pacolli, i cili në këtë legjislaturë hyn në grupin parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Pacolli, në llojin e pasurisë së luajtshme ka deklaruar në pronësi të tij një Avion Challanger CL 604 B&A Aviation në vlerën prej 8 milionë euro.

Në emër të tij ka deklaruar gjashtë vetura kurse të përbashkëta dy vetura që së bashku e arrijnë vlerën prej 504 mijë euro.

“Mercedes GI 450 në vlerë prej 35 mijë euro e deklaruesit, Mercedes ML 500, në vlerë 34 mijë euro në emër të deklaruesit, Mercedes SL 600, në vlerë prej 28 mijë euro në pronësi të deklaruesit, Mercedes G55L, AMG në vlerë 42 mijë euro në emër të deklaruesit, Mercedes S 600, në vlerë 170 mijë euro, Mercedes GL në vlerë 150 mijë euro në emër të deklaruesit. Ndërkaq Toyota Van në vlerë 30 mijë euro dhe VW Van në vlerë 15 mijë euro janë në pronësi të përbashkët”, thuhet në deklarim e pasurisë së Pacollit.

Deklarimi i Pasurisë, Behgjet Pacolli

E dyta në listë sipas këtyre deklarimeve renditet deputetja Adelina Grainca, e cila është pjesë e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa, postin e deputetes e fitoi duke garuar nga lista e Partisë Demokratike e Kosovës.

Grainca ka deklaruar dy vetura të biznesit në pronësi të saj, ndërsa katër vetura biznesi në pronësi të prindit që gjithsej e arrijnë vlerën e 186 mijë e 271 euro.

Dy veturat e deklaruara në emër të Graincës njëra e ka vlerën 5 mijë e 71 euro kurse tjetra 13 mijë e 200 euro. Varturat e deklaruara në pronësi të prindit, janë 43 mijë euro, 75 mijë euro, 30 mijë euro dhe 20 mijë euro.

Deklarimi i Pasurisë, Adelina Grainca

Në listë sipas renditjes vazhdon deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Bekim Haxhiu.

Haxhiu ka deklaruar një veturë Audi Q7 në vlerë prej 61 mijë euro në pronësi të Haxhiut dhe një veturë Mercedes B180, në vlerë prej 13 mijë e 800 euro që gjithsej vlera e dy veturave arrin në 74 mijë e 800 euro.

Deklarimi i Pasurisë, Bekim Haxhiu

Në listë hyn edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha.

Berisha, ka deklaruar një veturë BMW bë vlerë prej 11 mijë euro të cilën e ka në pronësi të tij, por që e ka dhuratë.

Në pronësi të tij Berisha e ka edhe në Mercedes në vlerë prej 18 mijë euro.

Në pronësi të përbashkët Berisha e ka deklaruar një Traktor me vlerë 14 mijë euro dhe një automjet KIA në vlerë 3 mijë euro. Kurse në pronësi të bashkëshortes e ka deklaruar një Audi me vlerë 15 mijë euro.

Të gjitha veturat e deklaruara të formularin e Berishës e arrijnë vlerën e 61 mijë euro.

Deklarimi i Pasurisë Hisen Berisha

Pas Berishës pason emri i deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Pal Lekaj.

Lekaj, ka deklaruar një automjet BMW 525 F10 (2012), në vlerë 10 mijë e 800 euro në pronësi të tij, Audi A21 (2014) në vlerë prej 6 mijë euro në pronësi të bashkëshortes dhe dy vetura në emër të fëmijëve. Njëra Land Rover Sport në vlerë prej 25 mijë euro kurse tjetra Audi Q3 (2014) në vlerë prej 12 mijë e 700 euro.

Të gjitha veturat e deklaruara të deputetit Lekaj arrijnë vlerën e 54 mijë e 500 euro.

Deklarimi i Pasurisë, Pal Lekaj

Edhe deputeti i partisë në pushtet Gramoz Agusholli, hynë në listën e deputetëve me vlerën më të madhe të veturave.

Në pronësi të tij, Agusholli ka deklaruar Audi A8L në vlerë 50 mijë euro dhe një Renault Twingo në pronësi të bashkëshortes në vlerë 6 mijë euro. Vlera e përgjithshme arrin në 56 mijë euro.

Deklarimi i Pasurisë, Gramoz Agusholli

Nënkryetari i Kuvendit Kujtim Shala nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe deputetja e PDK-së Blerta Deliu Kodra, kanë deklaruar vetura që në total e përbëjnë vlerën e njëjtë 50 mijë euro.

Kujtim Shala ka deklaruar dy vetura në pronësi të tij. Njëra në vlerë 13 mijë e 500 euro kurse tjetra në vlerë prej 36 mijë euro.

Deklarimi i Pasurisë, Kujtim Shala

Ndërkaq, deputetja Deliu Kodra, ka deklaruar veturë Mini në pronësi të saj me vlerë 20 mijë euro, ndërsa veturë Lexus në vlerë 30 mijë euro në emër të bashkëshortit.

Deklarimi i Pasurisë, Blerta Deliu Kodra

Vlerën prej 42 mijë euro të veturave që kanë deklaruar në Agjencinë Anti Korrupsion, e kanë edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Gani Krasniqi dhe deputetja e grupit Multietnik Duda Balje.

Krasniqi ka deklaruar vetura në pronësi të tij, të fëmijëve dhe në pronësi të përbashkët.

“Veturë Golf 5 plus, në emër të deklaruesit në vlerë 8 mijë euro, Opel Astra në vlerë 6 mijë euro në pronësi të fëmijëve, veturë Tiguan në pronësi të fëmijëve dhe në vlerë 20 mijë euro, Traktor me pajisje të tjera 5 mijë euro në pronësi të përbashkët, si dhe kamionet pune 3 mijë euro në pronësi të përbashkët”, thuhet në formularin e Krasniqit.

Deklarimi i Pasurisë, Gani Krasniqi

Kurse, deputetja Duda Balje në pronësi të saj e ka deklaruar një Audi në vlerë 25 mijë euro dhe një Toyota në vlerë prej 17 mijë euro në pronësi të bashkëshortit.

Deklarimi i Pasurisë, Duda Balje

Në këtë LINK mund t`i shihni deklarimet e pasurisë për vitin 2022 të Kuvendit të Kosovës.