Gjashtë Persona Arrestohen për 21 Raste të Vjedhjeve

Policia e Kosovës në Deçan ka arrestuar një grup prej 6 personave që në bashkëpunim kanë kryer disa vjedhje në territorin e Deçanit gjatë viteve 2016/2017.

“Këto vepra penale, kryesisht janë vjedhje të rënda dhe vjedhje të ndodhura në shtëpi, banesa dhe dyqane afariste të qytetarëve të Deçanit me rrethinë. Në total kanë qenë 21 raste të raportuara të këtyre veprave që dyshohet që janë kryer nga ky grup personash”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Gjatë hetimit dhe procedimit me këto raste, Policia e Kosovës njofton se ka gjetur gjësende të vjedhura, si laptopë, projektorë etj që u janë kthyer pronarëve.

Përveç këtyre mjeteve, nga të dyshuarit Policia e Kosovës ka sekuestruar edhe armë automatike, pushkë ajrore, revole e municione përcjellëse.