Gjakovë, Komuna paralajmëron gjobë për banorët që nuk i ndajnë ujërat atmosferikë nga ujërat e ndotura

Përmes një njoftimi, komuna e Gjakovës ka bërë të ditur se do të aplikohet gjobë për banorët që deri në shtator të këtij viti, nuk bëjnë ndarjen e sistemit të ujërave atmosferik nga ujërat e ndotura, nëpër pronat private të tyre.

“KRU Gjakova ka kërkuar që ndarja e sistemeve të bëhet nga të gjithë qytetarët e komunës së Gjakovës, të cilët një gjë të tillë duhet ta bëjnë vetë në brendi të pronave të tyre, pasi që as ujësjellësi por as komuna nuk kanë të drejtë të kryejnë punë brenda pronave private. Një ndarje e tillë është thelbësore për të gjithë banorët e rrugëve ku kalon kolektori kryesor, e që janë: “Zidi i Sadik Agës”, “Nëna Terezë” deri te rruga “Dardania”, thuhet në njoftimin e komunës së Gjakovës.

Sipas njoftimit kërkohet që ndarja të bëhet vetëm në brendësi të pronës private, ndërsa kontraktuesi i KRU Gjakova do të bëjë pjesën tjetër në pronën publike.

Sipas komunës, ky projekt është mbështetur me fonde për zhvillim nga Gjermania dhe Zvicra për të investuar në rrjetin e kanalizimit dhe në impiantin për trajtimin e ujërave të ndotura.

“Në rast se parashihni ndonjë vështirësi në kryerjen e pjesës suaj të ndarjes së sistemeve, deri në shtator të këtij viti, ne iu bëjmë thirrje që të na kontaktoni e të diskutojmë se si kjo mund të arrihet brenda një afati  të arsyeshëm kohor, meqë, me keqardhje na duhet t’iu themi që nëse një gjë e tillë nuk bëhet me sukses, atëherë do të jemi të detyruar të aplikojmë masa ligjore, përfshi edhe gjoba, kundër atyre të cilët nuk kanë vepruar me këtë kërkesë”, thuhet në njoftim.