Seanca ndaj Arbnor Zymberit, i akuzuar për narkotik, Foto: Kallxo.com

Gjakovë, i akuzuari që u kap me drogë e pranon fajësinë

Arbnor Zymberi, i akuzuar nga Prokuroria Themelore e Gjakovës për vepra penale që ndërlidhen me narkotik e ka pranuar fajësinë dhe për këtë ka arritur marrëveshje me prokurorin e rastit Ali Uka.

Kjo u bë e ditur sot gjatë mbajtjes së shqyrtimit të dytë të seancës ndaj të akuzuarit të Prokurorisë Arbnor Zymberi në Gjykatën Themelore të Gjakovës.

Pas pranimit të fajësisë nga i akuzuari, shpallja e aktgjykimit lidhur me dënimin e tij pritet të bëhet të hënën.

Prokuroria e Gjakovës e ngarkon Arbnor Zymberin për veprën penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të substancave narkotike.

I akuzuari përmes mbrojtësit të tij, avokatit Prek Kola kishte paraqitur me shkrim pranë gjykatës marrëveshjen e arritur me prokurorinë.

Prokurori Ali Uka ne fjalën e tij tha se “marrëveshja është bërë në mënyrë të vullnetshme, andaj kërkoj nga trupi gjykues që e njëjta të pranohet”.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit avokati Prek Kola kërkoj nga gjykata që ta pranoj marrëveshjen mbi pranimin e fajësisë.

Gjyqtari i trupit gjykues Nikollë Komani, e aprovoj këtë marrëveshje lidhur me pranimin e fajësisë mes prokurorisë dhe palës së akuzuar.

Ndërsa avokati Kola deklaroj se “meqenëse në marrëveshje kemi paraparë edhe llojet e lartësive të dënimit, ne si mbrojtje mbesim pranë kësaj marrëveshje, por gjykatës i propozojmë që si rrethana lehtësuese të ketë parasysh gjendjen e dobët ekonomike, papunësinë dhe pranimin e fajësisë nga ana e të mbrojturit tim”.

Sipas aktakuzës dyshohet se i akuzuari më parë ishte furnizuar pa autorizim për barna narkotike, substanca psikotrope, materie narkotike të llojit marihuanë, hashash dhe kokainë.

Gjatë kontrollit në lokalin e lojërave të fatit “Kajot”, që gjendet në rrugën “Emin Dervishdana” në Gjakovë, me datën 28 gusht të vitit të kaluar, rreth orës 22:00 janë gjetur qese najloni me ngjyra, forma dhe sasi të ndryshme të mbushura me substancë narkotike- thuhet në aktakuzë.

Gjithnjë sipas aktakuzës së Prokurorisë, sipas raportit të ekspertizës së Agjencionit të Kosovës për Forenzikë në Prishtinë, ka rezultuar se substancat e gjetura tek i akuzuari janë të llojit Kanabis (Marihuanë) që përmban Tetrahidokanabinol, në peshë prej 626.19 gram, pastaj Kanabis (Hashah) në peshë prej 4.24 gram, dhe Kokainë në përzierje me Benzokainë, Levamisol dhe Tetrahidrokanabinol në peshë prej 10.28 gram.

Me këto veprime dyshohet se i akuzuari ka kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e e pautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge, nga neni 273, paragrafi 1 i KPRK-së.

https://kallxo.com/shtyhet-gjykimi-per-droge-per-shkak-te-gjendjes-shendetesore-te-prokurorit/