Gjakovë - I akuzuari mohon se ka grabitur ordinancën gjinekologjike

Në gjykimin ndaj Jetmir Kurhaskut, i akuzuar nga Prokuroria për grabitje, sot në gjykatën e Gjakovës, është deklaruar i pafajshëm.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ramiz Buzhala, i akuzuari u deklarua i pafajshëm.

“Jo, nuk e pranoj fajin”- tha ai.

Kurhasku po akuzohet për grabitjen e 1200 eurove nga ordinanca gjinekologjike “Arba”, me pronare Aida Kumnova, në Gjakovë.

Punëtorja e ordinancës gjinekologjike, Albina Kida, tha se atë natë ka qenë duke i pastruar instrumentet e punës.

“Prej dritares e kam parë sikur hije që është dikush, ka hy brenda është afruar gjysmë metre afër meje dhe ka folur me zë shumë të ulët”, deklaroi dëshmitarja Albina Kida.

Ajo tregoj se personi duke ia kërkuar paratë e kishte ofenduar, i cili kishte qenë i maskuar.

“Ai ka pasur armë në dorë, e kishte drejtuar drejt meje e pastaj kur e ndjeva veten të kërcënuar ja kam dhënë paratë”, tha ajo.

Dëshmitarja Albina Kida, tha se gjatë kohës kur ju kishte drejtuar arma kishte hyrë edhe një person tjetër i dytë i maskuar.

“Personi i dytë nuk më është afruar, por ka kontrolluar një pjesë të zyrës dhe pastaj kanë dalur duke vrapuar”, tha ajo.

“Personi i parë më ka thënë qiti paret se të vrasim, më ka sharë me nënë dhe jam detyruar të ja jap paratë prej 1200 euro, të cilat i kishim aty në ordinancë”, tha dëshmitarja Albina.

Më pas trupi gjykues me kryetar Gëzim Pozhegu dhe anëtarët Myfera Hoxha dhe Ilir Rashkaj, caktuan datat 3 dhe 4 korrik për seancat e radhës.

Sipas aktakuzës, në vitin 2015 në ordinancën gjinekologjike të Aida Kumnovës, kishte hyrë i maskuar.

Aktakuza shpjegon se i akuzuari Jetmir Kurhasku, me një maskë të zezë dhe nën kërcënimin e armës, me forcë ia merr shumën prej 1200 euro nga punëtorja Albina Kida dhe i njëjti ka ikur.