Foto: Kallxo.com

Gjakovë - I akuzuari e pranon se ka bërë pazar për kontrabandim të një personi

Sali Krasniqi i cili po akuzohet për veprën penale kontrabandim me migrantë, sot para gjykatës së Gjakovës, e ka pranuar fajin. Bashkë me Krasniqin në këtë rast i akuzuar është edhe Bashkim Isufi, por i njëjti nuk ishte prezent në seancë.

Dy të akuzuarit po ngarkohen me akuzën se për shumën prej 2800 euro, kanë arritur marrëveshje që ta kontrabandojnë Agron Hoti.

Fillimisht prokurori i rastit Ali Uka, i propozoi gjykatës që të veçohet procedura penale kundër të akuzuarit Bashkim Isufi, pasi që i njëjti është në vuajtje të dënimit në shtetin e Gjermanisë, që nga viti 2016.

Ndërsa trupi gjykues i përbërë nga kryetari Shaqir Zika i ndihmuar nga anëtarët Gëzim Pozhegu dhe Myfera Hoxha, aprovuan propozimin e prokurorit për të vazhduar me gjykimin ndaj të akuzuarit Sali Krasniqi.

Në sallë të gjykimit nuk ishin prezent i dëmtuari Agron dhe dëshmitarët Arben Hoti e Rrahman Gashi, të cilët kishin njoftuar gjykatës se nuk kërkojnë kompenzim të dëmit material.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ali Uka,  i akuzuari Sali Krasniqi u deklarua i fajshëm.

“Unë pe pranoj fajin”- tha ai.

Mbrojtësi i të akuzuarit Sali Krasniqi, avokati Agim Muhaxhiri tha se i mbrojturi i tij pranimin e fajësisë e ka bërë pas konsultimeve me të dhe pa asnjë presion.

“I mbrojturi im ka pranuar fajësinë që të përfundojë një situatë e tillë të ngritur nga Prokuroria e Qarkut në Pejë, andaj i propozoj gjykatës që të ketë parasysh të gjitha rrethanat lehtësuese e poashtu faktin se i njëjti është liruar njëherë për këtë procedurë, e gjithashtu i njëjti është arrestuar dhe gjendet në paraburgim që një muaj vetëm se kishte ndërruar vendqëndrimin”, tha avokati Agim Muhaxhiri.

Sipas aktakuzës, në shkurt të vitit 2008 në Gjakovë, të akuzuarit Bashkim Isufi dhe Sali Krasniqi kishin marrë pjesë në kontrabandimin e migrantëve.

Në Gjakovë, të akuzuarit janë takuar me të dëmtuarin Agron Hoti dhe vëllain e tij Arben Hoti, të cilët janë dakorduar që Agron Hotin ta dërgojnë në shtetin e Italisë, në këmbim të shumës prej 2800 euro- thuhet në aktakuzë.

Aktakuza shpjegon se i dëmtuari Agron Hoti përmes mikut të tij Rrahman Gashi ia ka paguar shumën prej 400 euro si dhe një telefon mobil në vlerë prej 400 eurove.

Në këtë rast o dëmtuari rrugës për në Itali, është ndaluar dhe është kapur nga ana e policisë boshnjake, në qytetin Velika Klladusha të Bosnjës.