Seanca gjyësore ndaj Driton Hoti, Gjakove - FOTO KALLXO

Gjakovë - Gjeodeti pranoi fajin, dënohet me 8 muaj burgim

Driton Hoti i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, dënohet me 8 muaj burgim me kusht.

Prokuroria pretendon se Hoti në mars të vitit të kaluar, në cilësinë e ekspertit të gjeodezisë, ka shfrytëzuar detyrën e tij duke tejkaluar kompetencat e tij me qëllim të përfitimit pasuror.

Paraprakisht Hoti kishte arritur marrëveshje me Prokurorinë mbi pranimin e fajësisë, për veprën që i ngarkohet.

Kjo marrëveshje është arritur me vullnet të lirë, ndërmjet prokurorit Agron Matjani dhe të akuzuarit Driton Hoti në praninë e avokatit të tij Azem Islamaj.

Avokati Islamaj i kërkoj gjykatës, që gjatë marrjes së dënimit të ketë parasysh rrethanat lehtësuese për të mbrojturin e tij.

Sipas aktakuzës, Hoti kishte bërë matjen kadastrale të gabueshme, duke e vënë objektin e lojërave të fatit në afërsi të drejtpërdrejtë me objektet arsimore, institucioneve historike e fetare dhe të pronës komunale.

Këto objekte sikurse lojërat e fatit duhet të vihen së paku 500 metra larg institucioneve të tjera.