Promovimi i Komentarit të Ligjit për Barazi Gjinore - Foto: KALLXO.com

Gërxhaliu-Krasniqi: Barazia Gjinore Është Kategori Kushtetuese

Gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese, Selvete Gërxhaliu-Krasniqi ka thënë se barazia gjinore është kategori kushtetuese dhe obligim i të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës.

Këtë deklaratë ajo e ka dhënë në promovimin e Komentarit të Ligjit për Barazi Gjinore që është organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore.

Ajo ka thënë se në Gjykatën Kushtetuese i ka disa mekanizma të cilët gjyqtarët mund t’i përdorin për të adresuar se a janë në përputhje normat ligjore dhe zbatimi i tyre me barazinë gjinore.

Në këtë tryezë ishte i pranishëm edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i cili tha se prezantimi i Komentarit është kontribut për familjarizimin e mëtejmë të të gjithëve me çështjen.

Ai u shpreh se do të jetë bashkë në avancimin e pozitës së femrës.

“Shpreh keqardhje për numrin jo të duhur dhe jo të drejtë të përbërjes së kabinetit me femra”, tha kryeministri Haradinaj duke iu referuar numrit të ministrive që udhëhiqen nga gratë.

Ndërkaq Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, përsëriti se Institucioni që drejton ai u ka bërë thirrje institucioneve për t’i zbatuar masat e veçanta të përcaktuara nga Ligji për Barazi Gjinore, të cilat sigurojnë përfaqësim 50% për secilën gjini në institucionet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore.

Jashari tha se promovimi i komentarëve të tillë nuk duhet të jetë punë e rastësisë dhe e mbështetjes së organizatave ndërkombëtare por proces i zakonshëm që drejtohet nga institucionet ligjvënëse “në mënyrë që t’u japin jetë ligjeve për zbatim praktik”.
Kryeshefja ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore, Edi Gusia, deklaroi se ka mangësi në zbatimin e ligjit.

“Ta arrish barazinë gjinore është më tepër se ta zbatosh një ligj, është më shumë se ta avokosh, është proces i riformësimit të një mendësie dhe të një shoqërie në përgjithësi”, ka thënë ajo.

Komentari i prezantuar është shkruar nga dekani i Fakultetit Juridik Haxhi Gashi dhe është mbështetur nga projekti SIDA nga Qeveria e Suedisë. KALLXO.com ka shkruar edhe më herët në lidhje me mendimet e shumëllojshme për këtë ligj.

Interpretim Burrëror i Ligjit për Barazi Gjinore nga Partitë