Erjone Popova, BIRN

Gazetarja Popova tregon se si filloi skandali për kryesuesin e bordit të ZRRE-së

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” sonte transmetoi një hulumtim rreth vendimit të qeverisë për dërgimin në Kuvend të listës me emrat e të përzgjedhurve për Bordin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Gazetarja e BIRN-it, Erjonë Popova qysh në muajin gusht kishte shkruar për largimin e dyshimtë të dy kandidatëve nga lista për kryesues të bordit të ZRRE-së.

Ajo për emisionin Drejtësia në Kosovë tregon se si ka kuptuar që uebfaqen e Qeverisë është publikuar krejt diçka tjetër prej asaj çfarë fillimisht ishte votuar në mbledhjen e Qeverisë.

“Ne kemi qenë në Qeveri dhe e kemi parë që janë votuar 4 emra, të njëjtat emra futen edhe në komunikatën e Qeverisë. Pas pak ditësh, duke kërkuar diçka tjetër në vendimet e Qeverisë, krejt rastësisht e gjejmë që në vendimin për kryesues të bordit të ZRRE-së janë vetëm dy emra”, ka thënë për Drejtësia në Kosovë, gazetarja Popova.

Fillimisht, ajo kishte menduar që është një gabim teknik, mirëpo pas pyetjeve të dërguara në Qeveri, kishte kuptuar se nuk kishte qenë gabim teknik, por diçka më shumë.

“Fillimisht mendojmë që është gabim teknik, por kur i kemi pyetur në ZKM dhe përgjigja që na kthehet është se këto janë procedura normale që ndodhin në të gjitha rastet dhe janë konform rregullores së Qeverisë”, tha tutje ajo.

Zyra e ZKM-së, nuk kishte kthyher përgjigje kur gazetarja e BIRN-it u kishte dërguar pyetje shtesë për të gjetur se në bazë të cilit nen të rregullores së Qeverisë kishin vendosur që t’i “zhdukin” 2 emra, por nuk kishte marrë përgjigje.

“Me gjithë insistimin tonë për ta gjetur fajtorin në këtë mes, ne nuk kemi arritë me identifiku se kush është ai person që i ka heq këta dy emra prej listës. Kur diçka tjetër merret si vendim në mbledhje të Qeverisë, ku votojnë Kryeministri e ministrat, e diçka tjetër shtypet në një vendim të Qeverisë, nuk e di nëse mund të quhet falsifikim, por për që është një ndryshim i dokumentit, është, andaj prokuroria duhet me u marrë me këtë rast”, tha në mes tjerash gazetarja Popova.

Për pozitën e Kryesuesit të Bordit të ZRRE-së, ishin miratuar 4 emra: Petrit Pepaj, Bekim Jakupi, Përparim Kabashi dhe Fadil Ismajli. Dy të fundit ishin hequr në mënyrë të dyshimtë nga lista, ani pse ishin votuar në mbledhjen e Qeverisë.

Hulumtimin e plotë të ‘Drejtësia në Kosovë’ për këtë rast mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: