Kamil Demirkaya

Gazetari turk rrezikon të ekstradohet nga Rumania

Një eurodeputet rumun ka paralajmëruar se Rumania “do të humbasë të gjithë besueshmërinë” në Bruksel, nëse ekstradon një gazetar turk që kërkohet nga autoritetet turke.

Policia rumune ndaloi të mërkurën një gazetar turk, Kamil Demirkaya, dhe e solli atë para Gjykatës së Apelit në Bukuresht, ku ai rrezikon ekstradimin në Turqi në bazë të një urdhri të lëshuar nga autoritetet e Ankarasë.

Kërkesa për ekstradim lidhet me akuzat për terrorizëm dhe lidhje me armikun e presidentit Rexhep Tajip Erdogan, klerikun në mërgim Fethullah Gulen.

Pas seancave dëgjimore të mërkurën, u vendos që një vendim do të jepet të enjten, sipas familjes së Demirkayas.

Demirkaya ishte kryeredaktore i Zaman Bulgaria midis viteve 2003 dhe 2011. Ai u kthye në Turqi, por u shpërngul në Bukuresht me familjen e tij në vitin 2016.

Ai ka vetëm një leje qëndrimi të përkohshme në Rumani. Në nëntor, ai paraqiti kërkesën për zgjatjen e lejes dhe dokumentet po përpunohen nga autoritetet rumune.

Ai nuk ka të dhëna kriminale dhe nuk ka kryer asnjë krim në Turqi sipas dokumenteve që mund të shihen në faqen e internetit të Ministrisë turke të Drejtësisë.

Një gazetar turk në Bukuresht, Necdet Celik, tha për BIRN se gjyqtarët tani do të vendosin nëse Demirkaya do të ekstradohet ose jo.

“Po e ndjek nga afër çështjen.  Për mendimin tim, ambasadori turk, Koray Ertas, duhet t’i bëjë një “dhuratë” presidentit Erdogan në fund të mandatit të tij në Bukuresht,” tha ai.

Celik shtoi se ambasadori turk në Bukuresht kishte luftuar shumë për të bërë që gazetarë të ndryshëm turq në Bukuresht të ekstradoheshin në Ankara.

Eurodeputeti rumun Cristian Preda ka paralajmëruar se nëse Rumania e ekstradon gazetarin turk, ajo do të “humbasë të gjithë besueshmërinë në Bruksel”.

“Demirkaye drejton zyrën e gazetës Zaman në Bukuresht, e cila kritikon regjimin e Erdoganit. Asgjë nuk është më e ndershme,” shkroi Preda në faqen e tij në Facebook.

Ai tha se autoritetet rumune duhet të respektojnë angazhimet ndërkombëtare që ata kishin bërë të mos i ekstraduar qytetarët në vendet ku të drejtat e njeriut janë në rrezik dhe Turqia është një vend i tillë.

Gjatë një vizite të kryeministres së Rumanisë, Viorica Dancila, në Turqi në mes të tetorit, Erdogan falënderoi Rumaninë për ndihmën që i kishte dhënë Ankarasë në trajtimin e grushtit të dështuar të shtetit që ndodhi në korrik 2016, për të cilin Erdogan mban përgjegjës Gulenin.

Turqia i përshkruan përkrahësit e Gulenit si “FETO” – shkurt për “Organizatën Terroriste Fethullah”.

“Ne nuk do ta harrojmë kurrë mbështetjen që Rumania na dha gjatë përpjekjes së grushtit të shtetit dhe do të kontaktojmë të gjitha autoritetet rumune për të kërkuar mbështetjen e tyre dhe për të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme ndaj individëve dhe institucioneve në Rumani që kanë lidhje me FETO-n,” tha Erdogan në një konferencë për shtyp me Dancilan.

BIRN i kërkoi Ministrisë së Jashtme, asaj Drejtësisë dhe Ministrisë së Brendshme të Rumanisë të shpjegonin se çfarë mbështetjeje i kishte ofruar Rumania Turqisë gjatë dhe pas grushtit të shtetit të vitit 2016. Ministria e Jashtme ia drejtoi këto pyetje Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Brendshme.

Ministria e Drejtësisë tha se “nuk mund të komentonte mbi deklaratat e një kreu të huaj shteti”.

Që prej grushtit të dështuar të shtetit të vitit 2016, qeveria turke ka vënë presion mbi disa qeveri të Ballkanit që të dorëzojnë anëtarë të dyshuar të organizatës së klerit Gulen.

Shërbimet sekrete moldave dhe turke në shtator arrestuan gjashtë shtetas turq që punonin për një zinxhir privat shkollash të mesme në Moldavi të lidhura me Gulenin.

Në mars, policia në Kosovë arrestoi pesë punonjës shkollash turke, gjest të cilin zyrtarët e shkollës pretenduan se ishte një përgjigje ndaj presionit nga Ankaraja ndaj Prishtinës, lidhur me goditjen e presidentit Erdogan mbi “Gulenistët” e dyshuar.