Alma Lama, ambasadore e Kosovës në Itali - Foto: Facebook

Gazetarët i Reagojnë Ambasadores, Kërkojnë Sqarim nga MPJ

Në reagimin e vet, AGK tha se e dënon, siç u shpreh, gjuhën fyese të përdorur nga ambasadorja Alma Lama e cila në një postim të saj në rrjetin social “Facebook” ka fyer dhe akuzuar gazetarin e KTV-së Xhemajl Rexha.

Reagimi i Lamës erdhi pasi mbrëmë KTV transmetoi një kronikë në të cilën rikujtoheshin deklaratat e Lamës si deputete e Kuvendit të Kosovës kundër zgjedhjes së Hashim Thaçit në postin e Presidentit dhe qëndrimin e ndryshuar të saj.

“Për pseudogazetarin Xhemajl Rexha dhe KTV-në që mbrëmë paskan zbuluar se cila është “ëndrra” e shqiptarëve të Shqipërisë, por dhe albanofobinë e tij: Definivisht është më mirë të kesh ëndërr Romën, sesa të kesh ëndërr Beogradin që e ka soji juaj”, shkroi Lama në Facebook.

Por për AGK-në, “përdorimi i një gjuhe të tillë nga një ambasadore është fyerje për gazetarët në vend”.

“Duke dënuar këtë veprim njëherësh kërkojmë nga Ministria e Punëve të Jashtme që të deklarohet në lidhje me këtë rast. Ne kërkojmë nga MPJ që të mos lejojë ambasadorët që t’i fyejnë gazetarët në anjë rast”, thuhet në reagimin e AGK-së.

“Për më keq këto akuza të ulëta vijnë nga një ish-gazetare që vetëm para pak kohësh ka filluar të merret me politikë”,thuhet në reagim.

Por ambasadorja Lama, e cila para pak javëve ka dorëzuar letrat kredenciale te Presidenti i Italisë, nuk është tërhequr nga qëndrimii saj.

Pak minuta pas reagimit të AGK-së, ajo doli me një deklaratë tjetër.

“Unë tani e pashë të plotë kronikën e ndyrë kundër meje që ka transmetuar mbrëmë KTV. Xhemajl Rexha dhe kompania e tij ta gëzojnë padinë në gjyq për shpifje dhe tendencë të qëllimshme për dëmtim të reputacionit tim”, tha Alma Lama.

Ministria e Punëvetë Jashtme ende nuk ëhstë prononcuar rreth këtij rasti.