Gazetarët e rinj mbjellin drunj dekorues në kampusin e UP-së

Absolventët e Departamentit të Gazetarisë në Universitet të Prishtinës, sot mbollën fidanë në kampusin universitar.

Kjo ishte vetiniciativë e studentëve që përfunduan studimet themelore në UP.

Rektori i UP-së, Marjan Dema tha se kjo iniciativë tregon se Universiteti i Prishtinës është në proces të ndryshimeve pozitive.

Ai shtoi se përmes mbjelljes së këtyre fidanëve, po shënohet edhe diplomimi i studentëve të Departamentin të Gazetarisë.

“Studentët kanë vendosur që t’i mbjellin disa lule dekorative, disa pemë, në mënyrë që t’i shënojnë emrat e tyre dhe të shënohet ky sukses. Kjo iniciativë do të vazhdojë edhe tek studentët e diplomuar të tjerë që t’i lidhim me universitetin dhe të shohin drurin që e ka mbjellë”, ka thënë rektori.

Shefi i Departamenti të Gazetarisë në Fakultetin Filologjik, Milazim Krasniqi thotë se kjo është njëra nga idetë kreative të studentëve të këtij departamenti të cilët sipas tij, vazhdimisht vijnë me ide dhe projekte kreative.

Ai tha se departamenti dhe fakulteti kanë qenë të gatshëm t’i përkrahin.

“Kjo është njëra nga iniciativat shumë simpatike për të lënë kujtim të mirë në kampus edhe besoj se kjo do të duhej të shndërrohej në një traditë, që do të vazhdonte nga gjithë të diplomuarit dhe meqë këtu diplomojnë shumë studentët, kampusi do të shndërrohej jo në një park, por në një pyll”, deklaroi profesori Krasniqi.

Absolventët e gazetarisë mbollën trëndafila dhe drunj dekorues në oborrin e Fakultetit të Arteve në UP.