Jamal Khashoggi / rel

Gazeta turke "identifikon skuadrën vrasëse" të gazetarit saudit

Një gazetë pro-qeveritare turke tha se ka identifikuar një “skuadër vrasëse” prej 15 anëtarësh, e cila, sipas saj, është dërguar në Turqi për të sulmuar një gazetar të shquar saudit.

Zyrtarët turq, më herët, shprehën frikën se gazetari Jamal Khashoggi është vrarë në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll.

Gazeta Sabah publikoi emrat dhe fotografitë e 15 shtetasve sauditë, për të cilët tha se kanë arritur në Turqi me dy avionë privatë, në ditën kur Khashoggi është zhdukur.

Fotografitë duket se janë marrë nga kamerat e sigurisë në një aeroport.

Khashoggi është zhdukur më 2 tetor, pasi ka vizituar Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll, për të kompletuar disa dokumente.

Zyrtarët sauditë i mohuan pretendimet e Turqisë se ai mund të jetë vrarë brenda konsullatës.

Të martën, Ministria e Jashtme e Turqisë tha se autoritetet saudite janë pajtuar që t’i lejojnë autoritetet turke të kontrollojnë konsullatën, në kuadër të hetimit të zhdukjes së Khashoggit.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se është “detyrë e tij politike dhe humanitare” për të zgjidhur këtë rast.

Khashoggi është larguar nga Arabia Saudite vitin e kaluar, duke shprehur frikë nga ndëshkimi për kritikat e tij ndaj politikës saudite në luftën e Jemenit.