Gjykimi i Sllobodan Gavriqit | Foto: KALLXO.com

Gavriq: Nuk u Kontrollova Gjatë Hyrjes në Kosovë

“Gjatë hyrjes në Kosove nuk më është kontrolluar automjeti, ndërsa unë kam hyre në Kosovë me letërnjoftim të Serbisë,” tha Gavriq gjatë paraqitjes së mbrojtjes së tij në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Gavriq që po pretendon se materien shpërthyese e solli në Prishtinë për ta shitur, tregoi se derisa qëndronte në Hotelin “Grand” eksplozivin e kishte me vete.

“Derisa kam qëndruar në ‘Grand’, materia-eksplozivi ka qenë me mua,” tha Gavriq.

Gavriq më tutje tregoi se 12.219 kilogramët e eksplozivit të llojit PETN që iu zunë në makinë në Prishtinë në dhjetor të vitit 2014 i kishte marrë 10 ditë para se të vinte në Kosovë.

“Këtë masë e ka sjellë një mik-Zhelko Todoroviq me qellim që t’i ndihmoj për shitje në Kosovë,” tha Gavriq.

Ai përsëriti edhe sot se nuk ishte hera e parë që me këtë masë shpërthyese erdhi në Kosovë.

“Unë në Kosovë kam ardhur me atë materie tri herë. Herën e dytë kam ardhur dy ditë pas herës së parë, ndërsa herën e tretë kam ardhur një ditë pas herës së dytë,” sqaroi Gavriq.

Edhe në nëntor të vitit të kaluar Zhivojin Jokanoviq, avokati i Gavriqit duke kundërshtuar aktakuzën tha se klienti i tij tri herë kishte sjellë eksploziv në Prishtinë.

http://kallxo.com/sllobodan-gavriq-kishte-sjelle-tri-here-eksploziv-nga-beogradi-ne-prishtine/

Gavriq tregoi në gjykatë se kujt do t’ia dërgonte eksplozivin që solli në Prishtinë.

“Unë atë materie kam pasur t’ia dorëzoj Zhelko Todoroviqit. Atë e kam njohur para tre-katër vjetësh, e kam takuar te një mik i imi,” tha Gavriq.

Para se të niste mbrojtjen e tij, në gjykimin e Gavriqit u lexuan provat e paraqitura nga prokuroria. Prokuroria propozoi që si provë në shkresat e lëndës të futet edhe raporti policor nga vendi i ngjarjes, i cili propozim u pranua nga gjykata.

Në prova hyri edhe lista e mysafirëve në Hotelin “Grand”, ku shihej edhe prania e Gavriqit në atë listë.

gavriq1

Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë kudër Sllobodan Gavriqit më 10 korrik 2015.

Sipas aktakuzës, Sllobodan Gavriq, ka përgatitur kryerjen e veprën penale të terrorizmit  ashtu që gjatë muajit dhjetor të vitit 2014 në Beograd është furnizuar me 25 pajisje eksplozive me peshë totale 12.219 gramë, të cilat përmbajnë eksploziv të fuqishëm PETN i kombinuar me fragmente metali, bulona dhe gozhda, të cilat shërbejnë për rritjen e fuqisë shkatërruese dhe shkaktimit sa më të madh të viktimave në njerëz dhe dëme materiale.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Gavriqi këtë sasi të eksplozivit e ka transportuar nga Beogradi për në Prishtinë me veturën e ti “Renault Clio” kur rreth orës 21:00 në Lagjen “Arbëria” është ndaluar nga Policia e Kosovës me ç‘rast gjatë kontrollimit të kryer në bagazhin e veturës së tij është gjetur çanta në të cilin ishte vendosur eksplozivi.

Sipas aktakuzës, eksplozivi i Gavriqit, ishte marrë në Beograd dhe kishte për qëllim kryerjen e një akti terrorist.

gavriq