Gashi: Nuk do ta tolerojmë vjedhjen e produkteve të KALLXO.com

Kryeredaktori i KALLXO.com, Kreshnik Gashi ka komentuar vendimin e fundit të kësaj redaksie për të ndaluar kopjimin e jashtëligjshëm të produkteve gazetareske të këtij mediumi.

Më 5 shkurt të këtij viti, BIRN dhe Internews Kosova, organizatat produkt i të cilave është KALLXO.com shpërndanë një njoftim tek mediat vendase për masat që do të ndërmerren nëse vazhdon kopjimi jashtë standardeve ligjore të lajmeve, hulumtimeve e të tjera.

Kjo pasi pas u konstatua se deri më tani mediat e tjera kanë ripublikuar mbi 20 mijë materiale të prodhuara nga KALLXO.com pa respektuar rregullat e citimit të të drejtat e autorit.

I ftuar në emisionin ‘Jeta në Kosovë’, Gashi tregoi për problemet me të cilat është ballafaquar redaksia për shkak të fenomenit të vjedhjes së produkteve.

“Në KALLXO.com punojnë diku përmbi 30 gazetarë, një staf bukur i madh teknik edhe redaktorë edhe me e mbërri volumin e punës prej afër 100 artikujve në ditë, lajme të shkurta , të gjata, hulumtime, analiza, duhet këta njerëz me punu me derdhë njersë shumë të madhe për me mbërri deri te ky rezultat. Ajo që jemi ballafaqu në dy tri vitet e fundit është që në mediat e tjera të cilat kanë krijuar mekanizma me të cilat artikujt tonë vetëm i kanë marrë edhe i kanë ripublikuar pa i editu, pa na citu”, tha Gashi.

Ai shtoi se ky fenomen ka rënë nga momenti i paralajmërimit se do të ketë pasoja ligjore.

“Për fat të mirë prej momentin që i kemi paralajmëruar në Këshill të Mediave është duke funksionuar dhe nuk janë duke na i vjedhë lajmet përpos mediave me të cilat kemi bashkëpunim. Arsyeja është që kemi bërë një kërcënim mjaft serioz për masat ligjore ndaj atyre. Kemi ardhë në momentin që puna jonë është duke u kopjuar dhe duhet ta bëjmë një punë shtesë, një angazhim shtesë për ta mbrojtur punën tonë”, shtoi ai.

‘Jeta në Kosovë’ sonte zhvilloi debat lidhur me lajmet e rreme dhe solli rrëfim ekskluziv të një publikuesi të lajmeve të rreme që ka zhvilluar biznes në këtë fushë.

Përveç kësaj, në pjesën e dytë të këtij emisioni transmetohet edhe intervista me zbuluesin e ‘Bombave’ në Maqedoni: Gjorgji Lazarevski.

Emisionin e plotë ‘Jeta në Kosovë’ mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm:

www.kallxo.com