Gashi: Albin Kurti u dënua me 1.3 vjet burg për armëmbajtje, standardi duhet të vlejë edhe për Sami Lushtakun

Gazetari Kreshnik Gashi ka bërë një analogji mes dënimit me 1.3 vjet burg të deputetit Albin Kurti dhe dënimit të mundshëm të ministrave Dardan Gashi e Endrit Shala, si dhe të Sami Lushtakut, për të njëjtën vepër penale – armëmbajtje pa leje.

Këtë analogji Gashi e bëri në emisionin “Click” të Rtv21.

Kreshnik Gashi kujtoi dënimin me burg të kreut të Vetëvendosjes, duke shtuar se i njëjti standard duhet të përdoret edhe në rastin e Endrit Shalës, Dardan Gashit, Sami Lushtakut dhe të tjerëve.

Në seancën e sotme gjyqësore, Shala, Gashi dhe të tjerët e pranuan fajësinë, ndërsa Lushtaku u mbrojt në heshtje.

Po ashtu, gazetari Gashi tha se është shqetësuese fakti që ministri i Tregtisë dhe zëvendëskryeministri nuk e dinë se cilat mallra janë të lejuara dhe të ndaluara në tregun e Kosovës.

“Ministri i Tregtisë nuk e din çka është e ndalume në Kosovë, me u shit me u ble me u mbajt. Paramendojeni, ministri i Tregtisë mos me ditë cilat janë mallrat e ndalume për me u shit e mu ble në Kosovë. Arma me gaz është armë e ndalume nuk është e lirë për qarkullim në treg të Kosovës. Zëvendëskryeministri i Kosovës nuk e din çka është e ndalume në shtetin tonë edhe sillet sikur me kanë njeri, i cili nuk e ka asnjë ditë shkollë për me mujt me kuptu një element shumë të rëndësishëm që arma me gaz është armë, e cila sipas kodit penal vlerësohet si armë e zjarrit. E njëjta gjë me një ish kryetar të komunës, i cili pranon publikisht me dal me thanë që nuk e kem ditë që arma me gaz është armë normale në Kosovë, vlerësohet si armë normale.”, u shpreh ai.

Kjo gjendje është shqetësuese sipas tij dhe më shqetësuese është fakti që prokurori i rastit ka kërkuar rrethana lehtësuese për shkak se e kanë pranuar fajësinë, duke e ditur që këta janë persona publikë dhe kanë dhënë një shembull të keq në shoqëri.

“Kjo është shqetësuese edhe është shqetësuese lehtësia me të cilën prokurori e merr trajtimin e rastit. Prej asaj që dëgjova unë me fjalën e tij përfundimtare, ai ka kërkuar rrethanat lehtësuese me u përmend këtu, për shkak se këta e kanë pranu fajësinë edhe ka harru që njëra prej rrethanave më rënduese është se këta janë persona publik edhe kanë dhënë shembull të gabuar në shoqëri”, tha Gashi.

Prokuroria e Gjakovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Dardan Gashit, Sami Lushtakut dhe Endrit Shalës për posedim të paautorizuar të armëve më 16 maj të 2018-së, pasi që të njëjtit ishin parë në një video duke festuar me armë në odën e Fatmir Limajt.

Më pas, kësaj aktakuzës i janë shtuar edhe Behar Amerllahu, Fadil Demiri dhe Sherif Kastrati.

Ata në festën e Limajt, pas lirimit nga akuzat e Prokurorisë për krim të organizuar dhe keqpërdorim detyre janë parë duke gjuajtur me armë nga dritaret e odës.

Që të tre e pranuan fajësinë për gjuajtje me armë.

Thanë se armët ishin me gaz, andaj kërkuan që të dënohen me gjobë./21Media